19 Prill 2024

Mbledhja e qeverive të Kosovës e Shqipërisë thellon bashkëpunimin

Prishtinë, 27 shkurt – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti në takim homologun shqiptar, Ditmir Bushati, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Thaçi falënderoi ministrin Bushati për mbështetjen e çmuar që shteti shqiptar po i jep Kosovës në konsolidimin dhe forcimin e shtetit, por edhe për kontributin e saj të rëndësishëm në procesin e njohjeve dhe në afirmimin e përgjithshëm të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Thaçi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërfqinjësor për Kosovën dhe shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësimin e saj në mekanizmat rajonalë, evropianë dhe botërorë, tani kur ajo është bërë pjesë e Bankës Botërore, FMN-së dhe BERZH-it.

“Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, si parakusht për anëtarësimin e saj në BE, NATO dhe OKB”, tha Thaçi.

Ndërsa, për mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, zëvendëskryeministri Thaçi tha se me 23 mars do të thellohet bashkëqeverisja strategjike dhe do të bisedohet për avancimin dhe bashkëpunimin ndërshtetëror në fushat e ekonomisë, politikës, kulturës, sportit.

Në anën tjetër, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, theksoi se Republika e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve dhe se Tirana e Prishtina po i bashkërendojnë veprimet për mbledhjen e dytë të përbashkët, ku palët do t’i analizojnë edhe rezultatet e mbledhjes së parë.

Bushati tha se Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshje për lehtësimin e shkëmbimit tregtar, por se mbetet ende punë për të korrur fryte në praktikë dhe se dy vendet po punojnë për një program afatgjatë në fushat e kulturës dhe arsimit.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, tha se të dy qeveritë po i sinkronizojnë aktivitetet, si në rrafshin e bashkëpunimit bilateral, ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar. “Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është i një roli strategjik, stabilizues dhe orientues për të ardhmen e dy vendeve, por edhe për rajonin në përgjithësi”, u shpreh Bushati.

Ai theksoi se do të ketë një bashkëpunim të posaçëm në fushën e sigurisë dhe se do të ndërtohet një raport i ri institucional, për t’i ndihmuar Kosovës në aspiratën e saj për t’iu bashkuar NATO-s. Ndërsa, duke folur për bashkëpunimin rajonal,

Bushati tha se pas konferencës për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Berlin dhe në prag të konferencës së dytë, e cila do të mbahet në Vjenë, Kosova do të kthehet në qendër të vëmendjes, kur më 25 mars do të organizojë samitin e ministrave të jashtëm dhe të infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor, gjë që sipas Bushatit, pa dyshim se dëshmon qasjen euro-atlantike të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)