25 Prill 2024

KDI: Vetëm 36 % e çështjeve të ngritura në interes për qytetarët

Rahovec 29 janar - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar “Fletënotimin” i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 31 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Korrik-Dhjetor 2014.

Sipas publikimit të KDI-së  “anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Rahovecit janë: Fatmir Iska (AAK) me 12.8 %, Florije Boshnjaku (AAK) me 11.7 %, dhe Rukije Krasniqi (AAK) me 7.4 % të vlerësimit të përgjithshëm.

Anëtarët që nuk kanë treguar asnjë rezultat, përfshirë këtu të gjitha kategoritë vlerësuese janë: Florinda Krasniqi (PDK) 0.0 %, Erlira Mullabazi (PDK) 0.0 %, Elvedina Cana (PDK) 0.0 % dhe Minavere Hoti 0.0 %.

Gjatë gjashtë mujorit të dytë të këtij viti nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Rahovecit janë ngritur gjithsej 126 çështje, prej të cilave vetëm 36 % nga fushat me interes për qytetarët e Rahovecit ndërkaq 64 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Rahovecit.

Nga këto të dhëna del se anëtarët e AAK-së prijnë edhe për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 50.8 % të çështjeve të ngritura, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së me 21.4 % të çështjeve të iniciuara ndërsa Florije Boshnjaku (AAK) dhe  Fatmir Iska (AAK) kanë shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me nga 12.7 % përkatësisht 10.3 % të çështjeve të përgjithshme.

Gjatë seancave të mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2014 në Kuvendin e Komunës së Rahovecit janë propozuar gjithsej 13 amandamente. Nga këto, AAK dhe LDK  me nga 31.0 % të amendamenteve,  PDK dhe PD me nga 15 % të amendamenteve.

Sa i përket pyetjeve të bëra nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Rahovecit drejtuar ekzekutivit komunal, në këtë periudhë janë  bërë gjithsej 92 pyetje ndaj ekzekutivit të kësaj komune nga të cilat 51 % nga fushat me interes për qytetarët e Rahovecit ndërkaq 49 % e pyetjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Rahovecit. Anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Rahovecit janë Fatmir Iska (AAK) me 17.4 % dhe Florije Boshnjaku (AAK) me  14.1 % të pyetjeve.

Në Kuvendin e Komunës së Rahovecit në seancat e mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2014 është vërejtur një mos pjesëmarrje e anëtarëve në seanca. Në këtë periudhë janë shënuar 11 raste të mungesës së anëtarëve në seancat e këtij institucioni.

Qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Rahovecit në periudhën Korrik-Dhjetor 2014, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.

Fletënotimi për periudhën Korrik-Dhjetor 2014 është përgatitur në kuadër të projektit “Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC).


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)