28 Mars 2024

Protesta dëmtoi Kosovën

Prishtinë, 27 janar - Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi në një konferencë të përbashkët për media kanë folur për protestën e sotme.

Kryeministrit Isa Mustafa, ka deklaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës, sot, gjatë tërë ditës, ka ndjekur me shqetësim të thellë ngjarjet e dhunshme në sheshet kryesore të Kryeqytetit, në protestën e organizuar nga partitë politike opozitare.
 

\"Qeveria dënon ashpër dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve, gjë që çoi në eskalimin ekstrem të situatës dhe në rrezikimin e sigurisë e të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhjen e thellë për të gjithë të lënduarit në protestën e sotme\", ka pohuar ai.

Sipas tij Qeveria e Republikës së Kosovës dënon nxitjen politike dhe dhunën e ushtruar gjatë tërë ditës ndaj institucioneve publike, qytetarëve, pronës private dhe ndaj Policisë së Kosovës.

\"Qeveria konsideron se është tepër e dëmshme që për qëllime politike të krijohen ndasi ndëretnike në Kosovë. Policia e Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës së saj kushtetuese, është përballur me ultimatume politike dhe të paligjshme, është sulmuar ashpër nga ana e protestuesve me gurë, mjete të tjera të forta dhe me koktej molotovi\", ka theksaur ai.

Sipas tij Sheshet e Prishtinës janë dëmtuar në masë tepër të madhe, pronat e qytetarëve janë shkatërruar, pronat dhe qytetarët janë sulmuar në hapësirat publike e në pronat e tyre.

 
\"Protesta e sotme, e motivuar politikisht, i ka bërë dëm të jashtëzakonshëm shtetit tonë të ri. Qeveria dënon instrumentalizimin e protestuesve dhe përdorimin e nxënësve në protestë për qëllime politike nga ana e organizatorëve. Qeveria bën thirrje për ndërprerjen e akteve të dhunës ndaj institucioneve, pronës publike, Policisë së Kosovës, qytetarëve dhe të pronës së tyre\", ka pohuar ai.

Sipas tij Qeveria e Republikës së Kosovës e respekton në plotëni të drejtën e protestës si një mjet për të shprehur shqetësimet dhe pretendimet qytetare.
 

\"Por, poashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se protesta nuk duhet të përdoret për të përmbushur ambiciet për pushtet, meqë pushteti fitohet vetëm me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, e jo me dhunë dhe përmes dhunës. Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga organet kushtetuese që të garantojnë sigurinë e qytetarëve, të institucioneve, të pronës private e publike, konform normave kushtetuese\", ka theksaur ai.

 
Kruse zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, ka theksuar Protesta është mjet demokratik, por protestat e së shtunës dhe e sotshmja nuk kanë pasur objektiva qytetare, të vullnetit qytetar, por thjesht objektiva të politikës ditore.

 
\"Ato nuk kanë qenë të organizuara nga vullneti i qytetarëve, por nga 3 subjekte politike opozitare. Dialogu, komunikimi duhet të zhvillohen në mes të opozitës dhe pozitës në Parlament e jo në sheshe. Protestat lejohen dhe gjithmonë janë lejuar, por dhuna është mjet i papranueshëm dhe në asnjë moment nuk do të dorëzohemi përballë dhunës\", ka theksaur ai.

Ai  ka falënderuar qytetarët që nuk i janë përgjigjur akteve të dhunës dhe nuk i janë përgjigjur ftesave për protesta të dhunshme.

 
\"Aktet e sotshme janë akte të një grupi të vogël. I falënderojmë policët për sjellje të përmbajtur dhe mbrojtje të pronës dhe jetëve të qytetarëve. Sot ata kanë vepruar me shumë sakrificë. Ata sot e shpëtuan Kosovën nga më e keqja. Dhuna e sotshme nuk është e paplanifikuar\", ka theksaur ai.

Sipas tij disa protestues të dhunshëm filluan sulmet brutale kundër policisë, duke lënduar me dhjetëra policë, vajza dhe djem të Kosovës që kanë dhënë betimin që do ta mbrojnë ligjin, rendin, Kushtetutën dhe shtetin.


\"Qeveria e Kosovës, siç e tha edhe kryeministri, populli i Kosovës, miqtë ndërkombëtarë të Kosovës – që të gjithë janë kundër dhunës dhe ata që prodhojnë dhunë dhe që i gëzohen pamjeve të dhunës në Prishtinë janë minorancë\", ka pohuar ai.

Ai ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës për besim në institucione, në Policinë e Kosovës, në njëri-tjetrin dhe konsideroj që nuk ka asnjë arsye të kemi pamje të tilla në kryeqytetin tonë, pamje që e konfronton policinë me qytetarin tonë, ku të gjithë janë vëllezër e motra dhe kanë një qëllim – forcimin e shtetit të Kosovës dhe demokracisë.

 
\"Në të njëjtën kohë, ftojmë subjektet politike që çdo shqetësim të tyre ta zgjidhin dhe shprehin në Kuvend dhe me rrugë demokratike. Çdo veprim tjetër bën humbës qytetarin dhe shtetin tonë. E ritheksoj edhe njëherë, sot në Prishtinë ka ndodhur ajo që më së paku i është dashur shtetit tonë të ri\", ka pohuar ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)