20 Prill 2024

Demaçi: Këto s’janë protesta për shpëtimin e Kosovës

Prishtinë, 27 janar - Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë se opozita po bën protesta për të ardhur në pushtet.

Ai ka shprehur skepticizëm se kjo rrugë mund t’u sjellë përfitime subjekteve politike opozitare.

Demaçi në këtë intervistë për “Epokën e re” ka treguar se problemi i Kosovës është ndërrimi i sistemit, e jo i individëve.

Demaçi ka thënë se subjektet politike të cilat dështuan të vijnë në pushtet pas zgjedhjeve nacionale po përpiqem që nëpërmjet protestave të vijnë në pushtet.

“Tani po vërtetohet se këto protesta janë luftë për pushtet. Pra, nuk është luftë për ta rregulluar sistemin dhe për ta shpëtuar Kosovën prej gabimeve dhe prej lëshimeve që janë bërë deri më tani. Nuk po bëhet kjo luftë, por po bëhet luftë për të ardhur në pushtet dhe për të vazhduar pastaj njësoj sikur këta që janë aktualisht”, ka thënë Demaçi.

Ai ka vlerësuar se pa dashur bashkësia ndërkombëtare ministri për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jabllanoviq, nuk mund të shkarkohet. Sipas tij, nëse kryeministri Mustafa e shkarkon Jabllanoviqin, atëherë mund të bjerë edhe qeveria.

“Shkarkimi i Jabllanoviqit nuk është problem. Këtë mund ta bëjë Isa Mustafa, sepse ai e ka formuar qeverinë. Por, Isa Mustafa nuk dëshiron ta shkarkojë veten, sepse ata që e kanë vendosur Isa Mustafën në krye të qeverisë nuk janë për shkarkimin e Jabllanoviqit. Ata nuk e duan këtë shkarkim, sepse ata kanë kontribuar për krijimin e sistemit aktual politik”, është shprehur Demaçi.

Demaçi ka shtuar se populli nuk e përkrah opozitën sepse nuk ka besim në të. “Populli nuk është i sigurt se këta njerëz që po protestojnë, të cilët për gjashtë muaj e bllokuan sistemin dhe nuk fituan asgjë e bënë kaq shumë gabime, mund të bëjnë diçka më mirë”, ka thënë ai, duke shtuar se ishin pikërisht këto parti që deri dje bashkëpunuan me Listën Serb për t’i marrë votat e saj.

Simboli i rezistencës kombëtare e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje! se e ka shfrytëzuar politikisht protestën e së shtunës dhe i ka keqpërdorur ndjenjat e nënave të viktimave të luftës.

Demaçi e ka dënuar dhunën e shkaktuar në protestën e së shtunës, duke thënë se përgjegjësinë për të duhet ta marrin organizatorët e asaj proteste.

/Epoka e Re/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)