29 Mars 2024

Kadaj-Bujupi: LDK-ja na tradhtoi “natën dhe mbrapa shpinës”

Prishtinë, 29 nëntor - Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, e ka kritikuar mënyrën se si LDK-ja iku nga blloku për t’iu bashkuar PDK-së.

Sipas saj, LDK-ja, pos që e tradhtoi elektoratin e vet, i tradhtoi pabesisht edhe AAK-në, VV-në dhe Nismën. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ajo ka thënë se LDK-ja ka bërë tradhti pas shpinës së koalicionit paszgjedhor.

“Mendoj se i tradhtuar ndihet elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilit gjatë gjithë fushatës i është thënë të votohet kundër qeverisë Thaçi. Kurse në fund në mënyrë shumë të pabesë, mbrapa shpinës dhe natën është tradhtuar sikurse janë tradhtuar edhe partnerët e koalicionit: AAK-ja, Vetëvendosja! dhe Nisma, veprime këto që në traditën shqiptare identifikohen dhe cilësohen si tradhti”, është shprehur Kadaj-Bujupi.

Ajo ka vlerësuar se koalicioni qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së është bashkim i të ligjve dhe të këqijve, i cili do ta vazhdojë keqqeverisjen dhe varfërimin e qytetarëve të shtetit të Kosovës.

“Është një koalicion qeverisës në mes të ligjve dhe të këqijve sepse veprimet qeverisëse të këtyre dyja partive si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror dëshmojnë se ata mund të përshkruhen pikërisht si të tillë. Është koalicion i cili do ta vazhdojë keqqeverisjen dhe varfërimin e qytetarëve të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Kadaj-Bujupi, për Epokën e re.

Në këtë kontekst, ajo ka premtuar se AAK-ja do të punojë për interesat e vendit, duke qenë zë i fuqishëm opozitar për ndryshim dhe për një jetë sa më të shkurtër të bashkëqeverisjes në mes të PDK-së dhe LDK-së.

“Ne jemi duke punuar në terren dhe po bashkëbisedojmë me strukturat tona për t’u informuar për rrjedhën e deritanishme të zhvillimeve si dhe për veprimet e mëtutjeshme të AAK-së si parti opozitare. Ne do të vazhdojmë të punojmë në të mirë të qytetarëve dhe të interesave të vendit, duke qenë zë i fuqishëm opozitar për ndryshim dhe për një jetë sa më të shkurtër të kësaj qeverie, e cila mashtrimin e ka në zanafillën e saj”, ka theksuar ajo, duke shtuar se opozita duhet të jetë unike.

“Jemi për një bashkim të forcave opozitare, mirëpo duke ruajtur specifikat e identitetit partiak”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)