26 Prill 2024

RrGGK lansoi Strategjinë e re 2015-2018

Prishtinë, 20 nëntor - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) lansoi sot Strategjinë e re 2015-2018, ku ishin të pranishëm përfaqësuese të organizatave anëtare të RrGGK-së, përfaqësues të policisë së Kosovës, sektorit të gjyqësisë, zyrtarë për çështje gjinore, partnerë ndërkombëtarë, bordi i drejtorëve të RrGGK-së etj.

“Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës është pasqyrim i gruas në shoqërinë tonë, shembull dhe inspirim për gjeneratat e reja,” ishte mesazhi i Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, i transmetuar tek të pranishmit përmes një videoje, në pamundësi të prezencës fizike të saj.

Duke përmendur punën e deri tanishme me RrGGK-në, Edona Hajrullahu, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyren e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, shprehi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

“Përmes qasjes së tyre bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse, RrGGK është një nga rrjetet më të fuqishme në rajon,” u shprejh znj. Hajrullahu. “Me Rrjetin kemi për të punuar shumë bashkarisht edhe në të ardhmen, për të adresuar çështjet që përbëjnë prioritet për gratë dhe vajzat.”

Gjatë këtij eventi, publikisht u dha lajmi që RrGGK do të vazhdojë të jetë e përkrahur edhe tre vite të tjera nga Austrian Development Agency (ADA), si dhe që RrGGK për herë të parë do të përkrahet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për dy vite.

“Strategjitë nuk janë krijuar për të mbetur në letër; vetëm së bashku mund t’i transformojmë këto strategji në agjenda tona të punës, me qëllim që të mund ta shkundim botën dhe ta shëndërrojmë atë në një vend më të mirë,” tha Gaby Hagmuller, Udhëheqëse e Ekipit për Zhvillim Social, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuese Speciale e BE-së. “Ne do të përkrahim RrGGK-në dhe anëtaret e saj që në mënyrë efektive të ngrisin kapacitetet e tyre, si dhe të përfshijnë gratë në vendimmarrje.”

Më tutje, u fol edhe për bashkëpunimin e RrGGK-së me palët e tjera të interestit.

“Është shumë e rëndësishme ta kemi të qartë rolin e shoqërisë civile, sepse ajo çfarë shoqëria civile bën është krijimi i hapësirës për transformim të ideve dhe përkushtimit të tyre, në vepra,” tha Andrew Russell, Kordinator për Zhvillim i OKB dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP.

Prezantimin e strategjisë së re të RrGGK-së 2015-2018 për të pranishmit e bëri Ariana Qosaj – Mustafa, Kryetare e Bordit të Drejtorëve të RrGGK-së.

Strategjia e re e RrGGK-së është përpiluar nga anëtaret e saj, Bordi i Drejtorëve, partnerët kyç dhe palët e interesuara dhe përfshin pesë fusha programatike të identifikuara si prioritete nga anëtaret e RrGGK: Ngritja e Kapacitetit të Programit të RrGGK; Gratë në Politikë dhe Vendim-marrje; Të Drejtat e Grave në Kujdesin Shëndetësor; Programi kundër Dhuës në Baza Gjinore dhe Fuqizimi Ekonomik i Grave.

Gjithashtu, në këtë event, RrGGK për herë të parë shfaqi dokumentarin për Fondin e Grave të Kosovës, i cili u themelua në vitin 2012 për të kontribuar në aktivitetet që organizojnë anëtaret e RrGGK.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)