26 Prill 2024

Zgjidhja, në duart e deputetëve dhe liderëve

Prishtinë, 29 shtator - Presidentja Atifete Jahjaga, edhe pas kthimit nga vizita zyrtare në Nju Jork dhe në prag të vazhdimit të seancës konstituive që është caktuar më 2 tetor, do t’i vazhdojë takimet me liderët e partive parlamentare për të diskutuar për çështjen e konstituimit të institucioneve të reja.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 2 tetor. Por, deri më tani partitë politike parlamentare, PDK-ja dhe partitë e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma me Lëvizjen Vetëvendosje!, nuk kanë arritur  ndonjë marrëveshje për zgjedhjen e kryeparlamentarit, i cili është bërë “mollë sherri” për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas rundit të parë të takimeve me liderët e partive politike, të cilin e ka mbajtur më 18 shtator, do t’i vazhdojë takimet me liderët e partive parlamentare për të diskutuar për çështjen e konstituimit të institucioneve të reja.

Këshilltar i lartë politik për media dhe marrëdhënie me publikun i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, ka bërë me dije për “Epokën e re” se shefja e shtetit do t’i lehtësoj diskutimet në mes të liderëve të partive parlamentare për ta tejkaluar ngërçin politik në të cilin gjendet Kosova.

“Presidentja Jahjaga do të vazhdojë t’i lehtësojë diskutimet me liderët e partive politike në vend për ta gjetur zgjidhjen në përputhje me kuadrin kushtetuese të vendit”, ka thënë Vllahiu.

I pyetur se a do të propozojë presidentja Jahjaga ndonjë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik, në mënyrë që Kosova t’i formojë institucionet e reja, Vllahiu ka thënë se tejkalimi i këtij ngërçi është në duart e deputetëve dhe liderëve të cilët, sipas tij, duhet të gjejnë rrugëdalje në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Zgjidhja është në duart e deputetëve dhe liderëve politikë dhe gatishmërisë së tyre për të gjetur rrugëdalje nëpërmjet zbatimit të vendimeve të Kushtetueses”, ka deklaruar Vllahiu.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë vizitës zyrtare në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka takuar përfaqësues të shumë shteteve, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të SHBA-ve nga të cilët ka marrë mbështetje që së bashku me liderët e partive politike ta gjejnë mënyrën për ta konstituuar Kuvendin dhe institucionet e tjera.  

Jahjaga gjatë takimit me ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Evropë dhe Azi, Victoria Nuland, ka marrë mbështetjen e kësaj të fundit për formimin e institucioneve të reja në përputhje me Kushtetutën  e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ndihmëssekretarja Nuland e siguroi presidenten Jahjaga se ajo e ka mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane në përpjekjet e saj që me liderët e partive politike të Kosovës ta gjejnë mënyrën për të ecur përpara në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, është thënë në një komunikatë të lëshuar për medie nga Zyra për Informim e Presidencës, e cila mban datën e 27 shtatorit.

Seanca konstituive e Kuvendit pati filluar punimet më 17 korrik të këtij viti dhe ende nuk ka përfunduar, për shkak të mospajtimeve në mes të PDK-së dhe koalicionit LDK-AAK-Nisme me Vetëvendosje!-n. 

Më 17 korrik Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit, pasi kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina, e kishte mbyllur seancën në mungesë kuorumi.

Për shkak të zgjedhjes së Isa Mustafës kryeparlamentar, 30 deputetë të PDK-së kishin deponuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën, duke kërkuar nga kjo gjykatë ta shpallë antikushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës. Fillimisht kjo gjykatë kishte pezulluar pozitën e kryeparlamentarit dhe më 22 gusht kishte konstatuar se Mustafa është zgjedhur në këtë pozitë në mënyrë antikushtetuese dhe ka kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndërkaq, më 18 shtator është mbajtur vazhdimi i seancës konstituive, në të cilën Arsim Bajrami nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë kryeparlamentar. Në favor të tij kanë votuar 44 deputetë, 61 kundër, 11 kanë  abstenuar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)