19 Prill 2024

Muja refuzon ballafaqimin me Forumin Transparenca

Prishtinë, 22 shtator - Pas dy ftesave brenda një muaji për të marrë pjesë në debatin “Ballafaqim” me anëtarët e Forumit Transparenca, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja ka dhënë edhe një dëshmi për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies karshi qytetarëve.

Ai ka refuzuar të ballafaqohet me gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile për të diskutuar mbi çështjet e qeverisjes lokale.

Refuzimi për të diskutuar me grupet e komunitetit është shkelje e parimeve themelore të qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse nga Kryetari i Komunës. Për më tepër, ky barrikadim i Kryetarit të Komunës në periudhën e hartimit të buxhetit komunal për vitin 2015 paraqet edhe shkelje të obligimeve ligjore.

Sipas Ligjit për Financat Publike, Kryetari është edhe Administrator Financiar i Komunës dhe obligohet të veprojë në pajtim me obligimet ligjore të konsultimit me qytetarë në raport me menaxhimin e parasë publike.

Obligim tjetër ligjor i Kryetarit të Komunës rrjedh edhe nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, sipas të cilit, përveç takimeve publike, komunat janë të obliguara t’i informojnë qytetarët e komunës për çfarëdo planesh apo programesh të rëndësishme me interes publik, siç rregullohet me statutin e komunës. I njëjti ligj përcakton se Kryetari përfaqëson komunën dhe vepron në emër të saj. Forumi Transparenca e ka ftuar Kryetarin e Komunës për t’u informuar dhe diskutuar mbi qeverisjen lokale, ndërsa refuzimi i tij qartë paraqet shkelje ligjore.

Kryetari Muja edhe një herë është dëshmuar si shkelës i vullnetit të qytetarëve duke refuzuar edhe debatin publik me gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile. Kjo mbyllje e tij është në kundërshtim me praktikën e qeverisjes demokratike dhe shkelje e kontratës së tij me qytetarët, të cilët përmes votës e kanë autorizuar atë që t’u shërbejë, duke qeverisur në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse.

Forumi Transparenca shpreh mospajtimin e vet me këtë veprim jodemokratik të Kryetarit Muja. Megjithatë, ne dëshirojmë t’i japim edhe një mundësi Kryetarit, duke e ftuar edhe një herë publikisht që të ballafaqohet me Forumin Transparenca.

Kjo është ftesa e fundit që Forumi Transparenca i bën Kryetarit Muja që të përmbushë njërin nga obligimet më bazike ligjore dhe demokratike, takimin dhe komunikimin me qytetarët.

Forumi Transparenca është trup joformal i përbërë nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike dhe misioni i tij është koordinimi i veprimeve të këtyre akterëve për të rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të Prizrenit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)