20 Prill 2024

Sindikata e RTK njofton LDK me parregullsistë në RTK

Prishtinë, 16 shtator - Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, në përbërje të kryetarit, Fadil B. Hoxha, nënkryetarit, Arsim Halili dhe anëtarëve të kryesisë, Behare Bajraktarit, Mahmut Rexhepit dhe Artan Cernaverit, janë takuar sot me  nënkryetarin e LDK-së, Avdullah Hotin.

Në këtë takim, drejtuesit e Sindikatës kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me keqmenaxhimin e RTK-së dhe situatën e rëndë financiare e programore në të cilën gjendet ky medium, si pasojë e keqmenaxhimit.

Sindikata e RTK-së e njoftoi z. Hoti për manipulimet me shifra milionëshe rreth borxhit të RTK-së nga ky menaxhment, falsifikimin e raporteve financiare, punësimet e pakontrolluara përfshirë këtu kabinetin e drejtorit gjeneral prej 10 këshilltarësh, të cilat çdo ditë e më shumë po e rrezikojnë të ardhmen e RTK-së.

Përfaqësuesit e SPRTK njoftuan drejtuesit e LDK-së për shkeljen e Ligjit të Punës dhe për moszgjidhjen e statusit të rreth 60 punëtorëve të cilët prej vitesh vazhdojnë të punojnë pa kontrata e nën presion të vazhdueshëm.

Drejtuesit e LDK-së u njoftuan lidhur me ankesat për censurën me të cilën po ballafaqohen gazetarët dhe redaktorët e RTK-së por edhe frikësimin dhe presionin që u bëhet punonjësve me përvojë shumëvjeçare në mediumin publik.

Kryesia e SPRTK-së ka njoftuar nënkryetarin e LDK-së, për presionin dhe shantazhin deri me largim nga puna, që menaxhmenti i RTK-së po u bën të zgjedhurve sindikalë, për shkak të denocimit të parregullësive që po ndodhin në RTK. Sipas tyre ky sulm është intensifikuar sidomos pasi kryetari i SPRTK-së, Fadil Hoxha dëshmoi në njësinë për krime ekonomike dhe korrupsion të policisë së Kosovës rreth hetimeve që po zhvillohen në RTK.

Sindikalistët kanë kërkuar që të lihen të lirë në ushtrimin e aktiviteteve sindikale në pajtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe të Konventave ndërkombëtare.

Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti tha se LDK është e interesuar për zgjidhjen  afatgjatë të çështjes financiare të RTK-së me qëllim që këtij medium t`i garatohet  pavarësia editoriale. Ai tha se në RTK ka shumë punë për organet e rendit dhe të ligjit dhe se subekti i tij parlamentar do të insistojë për t`i ngritur këto çështje. Z. Hoti shprehu pakënaqësi edhe për cilësinë programore që aktualisht ofron RTK-ja për publikun.

Takimi i sotëm u realizua në vazhdën e takimeve me subjektet parlamentare me qëllim të njoftimit për gjendjen e përgjithshme në të cilën gjendet RTK.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)