19 Prill 2024

Veseli: Do t'i ndjekim edhe predikuesit e luftërave fetare

Prishtinë, 1 shtator - Intervistë e zëvendëskryetarit të PDK'së, për një medium amerikan, rreth zhvillimeve të fundit.

1. Samiti i Berlinit përfundoi para disa ditësh. Kosova dhe veçmas Shqipëria u përfaqësuan me dinjitet. Kryeministri Rama u prezantua në konferencë në emër të rajonit, derisa Kosova u përfaqësua pa fusnotë. Sipas analistëve politikë, ky hap i Gjermanisë, po shihet si një vendim i politikës gjermane që të eliminohet mundësia që rajoni të bie në ndikimin e Rusisë, ndikim që po kthehet në mënyrë agresive në ish-zonat e Bashkimit Sovjetik. Si e shihni ju këtë veprim të Qeverisë Gjermane?

Kadri Veseli: Dua ta filloj këtë përgjigje duke e uruar Kancelaren Mrkel dhe diplomacinë gjermane për këtë samit, që është edhe një nga përpjekjet më serioze të vendeve perëndimore dhe diplomacisë europiane në vitet e fundit të integrimit të rajonit tonë në Bashkimin Europian.

Siç edhe potencuat në pyetjen tuaj, për shkak të historisë së luftërave në rajon, pra këtu ka filluar Lufta e Parë Botërore dhe nuk është rastësi që samiti u organizua në 100 vjetorin e saj, pra rajoni tani është në një pikë kthese.

E kaluara e dhimbshme, e përjetuar pothuaj nga të gjithë popujt nën diktaturat totalitare, nuk lë vend për dyshime se çfarë duhet të jetë e ardhmja. Bashkimi Europian nuk ka alternativë.

Njerëzit janë të lumtur me arritjet zhvillimin politik dhe social të Bashkimit Europian. Kjo është ajo që ne duam të arrijmë, pavarësisht vështirësive që dalin.

Kosova ka arritur një progres të konsiderueshëm në këtë aspekt. Sido që të jetë, ne jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për t'u bërë. Po ashtu jemi të vetëdijshëm se zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit janë sfida reale, por kemi besim se do t'ia dalim.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë përmirësime aty ku ka mangësi. Por, nuk ka asnjë dyshim kur është fjala për vullnetin tonë politik dhe përkushtimin e qytetarëve për integrimet Veriatlantike në të ardhmen.

Roli i Gjermanisë në integrimin e rajonit në BE është shumë i rëndësishëm, si një forcë motorike ekonomike europiane. Roli fondamental global i SHBA'së, në konsolidimin e demokracive perëndimore dhe respekti për të drejtat e njeriut, fatmirësisht për shqiptarët këtë perspektivë dhe besim e bën edhe më të fortë.

Sa i përket rolit të Rusisë në rajon, është një përpjekje e dukshme për ndikim dhe prezencë. Unë pres që Rusia të vazhdojë të bllokojë BE'në në çdo mënyrë, në mënyrë që kjo të etablohet si logjikë dhe realitet në rajon, por sido që të jetë këto aspirata janë të dënuara të dështojnë në rajon.

Me përjashtim të flirteve të ndonjëhershme të disa vendeve me politikën ruse dhe oligarkët, zhvillimi politik dhe ekonomik, të drejtat e njeriut dhe standardet tjera nuk janë kompatibile me aspiratat e popujve të Ballkanit përfshirë edhe popujt sllavë.

2. Kancelarja Merkel ka theksuar të ardhmen e pakontestueshme të rajonit në Bashkimin Europian, por tha se secili vend duhet të punojë individualisht për t'i përmbushur reformat në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që t'i bashkohet BE'së. Kosova po akuzohet si një nga vendet që ka mbetur prapa në përmbushjen e këtyre reformave dhe po ashtu akuzohet se ka një nivel të lartë të korrupsionit dhe ka shumë punë të bëhet, sidomos në luftimin e korrupsionit?

Kadri Veseli: Kosova është vendi i fundit që e ka shpallur pavarësinë në rajon dhe është shteti më i ri. Për t'i ndërtuar institucionet e reja, duhet të merret me ringjalljen ekonomike. Realisht, vendi ka kaluar një periudhë rindërtimi në një periudhë rekorde me një energji të paprecedentë. Sido që të jetë, në fazat tjera ka ngecur, pra në periudhën që do duhej të ishte periudhë e zhvillimit ekonomik dhe e reformave.

Konsolidimi i shtetësisë, dialogu dhe obligimet ndërkombëtare janë disa nga sukseset kosovare, por edhe korrupsioni - edhe në rajon edhe te ne - nuk mund të mohohet si fenomen. Diçka pozitive është që Toleranca e qytetarëve ndaj korrupsionit është shumë e ulët sikurse edhe thirrjet e opinionit publik që të luftohet korrupsioni.

Një besim më i madh dhe komunikim më i mirë ndërmjet njerëzve dhe institucioneve nevojitet që të parandalohet e të luftohet kjo dukuri neveritëse që është duke e pamundësuar zhvillimin ekonomik dhe emancipimin civil të vendit.

3. Përveç luftimin të korrupsionit, Qeveria Gjermane ka kërkuar fuqizimin e sundimit të ligjit në secilin sektor, si një veprim të nevojshëm siç thonë ata për të tërhequr investime gjermane në Kosovë. Ju jeni një nga politikanët që keni bërë thirrje për më shumë investime gjermane. Aktualisht Kosova është duke u dominuar nga investimet turke. Çka mund të përfitojë Kosova nga investimet turke?

Kadri Veseli: Ekonomia e tregut të lirë vendos rregullat e konkurrencës së lirë, pa paragjykuar origjinën e investimeve dhe të kapitalit. Por, është mendim i imi se është interes i yni strategjik që në vendin tonë të tërheqim investime të huaja që kanë origjinë perëndimore.

Investimet nga SHBA-ja, Gjermania dhe vendet tjera do të sjellin jo vetëm kapitalin por edhe ndikimin dhe logjikën perëndimore, që është diçka që ne në Kosovë po e kërkojmë. Kosova ka pasuri të mëdha natyrore, që mund të jenë interesante për investitorët e SHBA'së, të Gjermanisë dhe të tjerëve.

Njëkohësisht, ambienti për investime është optimal në kushtet e rajonit. Para së gjithash Kosova po ashtu ka një demografi të re që e bën atraktive për investime. Këta janë disa nga faktorët që e bëjnë vendin tonë tërheqës për investime.

Kjo është ajo për çka PDK është e interesuar që të bëjë në katër vitet e ardhshme, pra që të merret me përmirësimin e ekonomisë dhe mirëqenies së njerëzve. Kështu që investitorët perëndimorë janë të nevojshëm dhe të mirëpritur në Kosovë.

4. Gjatë javës së fundit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendimin rreth rastit të zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit. Opozita e quajti vendim politike dhe një favor që iu bë PDK'së, të cilës i takoni edhe ju. Përfaqësuesit ndërkombëtare bënë thirrje për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese derisa PDK e mirëpriti vendimin. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?

Kadri Veseli: Më 8 qershor 2014, qytetarët e vendit në mënyrë solemne vendosën fituesin e këtyre zgjedhjeve - PDK'në. Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e fundit, parandaloi shkeljen e vullnetit të popullit dhe dhunimin e parimeve bazike në të cilat ndërtohet vendi jonë, ligjet dhe Kushtetutën.

PDK fitoi mandatin e tretë me votën e popullit në mënyrën më bindëse se sa në zgjedhjet e kaluara dhe synimi i PDK'së që të udhëheq vendim me Hashim Thaçin si Kryeministër është i natyrshëm, si një obligim që rrjedhë nga vullneti i njerëzve të Republikës tonë.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një shembull të legalizimit të vullnetit të popullit dhe parandaloi vendosjen e precedentit të shkeljes serioze të sundimit të ligjit.

Përndryshe qëllimi i zgjedhjeve do të hidhej poshtë dhe prezantimi i programeve tona politike dhe ekonomike nuk do të kishte asnjë kuptim.

Në klimën aktuale të frustrimit anti-PDK kjo mund të tingëllojë si njëanshmëri i Zëvendëskryetarit, megjithatë, unë besoj se për Kosovën dhe qytetarët kjo tregon një shenjë dhe një mesazh: që partitë politike të tregojnë më shumë përkushtim ndaj popullit dhe vullnetit të tij dhe që marrëveshjet politike duhet të bëhen në pajtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend.

5. Koalicioni opozitar LAN përfshirë VV që është i interesuar ta rrëzojë PDK'në nga qeveria është kundër çdo marrëveshjeje me PDK'në. Si e shihni rrugëdaljen nga kjo situatë? A frikësohet PDK-ja nga zgjedhjet e reja dhe nga mbetja në opozitë?

Kadri Veseli: Në zgjedhjet demokratike ka edhe fitues dhe humbës. Ndjenja e humbjes dhe demonstrimi i dëshirës për fitore me çdo kusht, pa zgjedhur mjetet, sikurse bllokada aktuale e bllokut opozitar ndaj PDK'së, nuk është produktive për klimën politike në vendin tonë, në një kohë të sfidave të shumta të ndërtimit të shtetit tonë.

Ne jemi kundër instalimit të një logjike të tillë që e largon vëmendjen nga prioritet tona siç janë forcimi i institucioneve demokratike, mirëqenies ekonomike, integrimeve euroatlantike. Sido që të jetë PDK nuk do të nxisë zgjedhje të parakohshme e as nuk do të mbajë përgjegjësi nëse ato ndodhin. Edhe nëse ndodhin, ne jemi të bindur se ato do të rikonfirmojnë fitoren për ne.

Ne besojmë se formimi i qeverisë së re dhe fokusimi në agjendën e zhvillimit ekonomik është më i rëndësishëm për interesat e vendit dhe për mirëqenien e popullit. Ne jemi të hapur për bashkëpunim politik dhe institucional për të mirën e vendit dhe të popullit tonë dhe besojmë në zhvillimet e shpejta dhe pozitive drejt implementimit të vullnetit të popullit dhe përmbushjes së obligimeve ndaj tij.

6. Disa ditë më parë, autoritete kosovare arrestuan 42 persona nën dyshimet për terrorizëm dhe pjesëmarrjen në Luftën Civile të Sirisë dhe konfliktit të Irakut. A ekziston rreziku i përfshirjes së vendit tuaj në një valë të aktiviteteve vahabiste, që mund t'i rrezikojë vendet e rajonit dhe me gjerë?

Kadri Veseli: Besimi në Zot dhe në tolerancën ndërfetare është bazamenti i popullit tonë, pasi jemi një komb me dy besim (Myslimanë dhe të Krishterë).

Ne i mbajmë këto besime në familjet tona dhe në tolerancën dhe respektin e ndërsjellë dhe ato kurrë nuk na kanë ndarë as më herët e as nuk do të ndajnë në të ardhmen. Kosova është pjesë e identitetit të saj shpirtëror, kulturor dhe kombëtar europian.

Vendi jonë është falënderues për SHBA'në dhe vendet e BE'së për lirinë e vet dhe atë synon ta zhvillojë tutje në frymë perëndimore. Kështu që nuk do ta lejojë askënd që të abuzojë ose ta ndalojë në rrugën e natyrshme të identitetit të vet dhe zhvillimit.

7. Por disa qytetarë të vendit tuaj janë të involvuar dhe po marrin pjesë në disa luftëra të Xhihadit në vende të ndryshme si Siria dhe Iraku. Si i komentoni këto veprime?

Kadri Veseli: Do të ketë sanksione për ata që e inkriminojnë veten në këto konflikte. Ligji për këto sanksione do të jetë një ndër prioritetet kryesore të Parlamentit të ri të Kosovës. Paralelisht me ndjekjen e vazhdueshme me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni, do të ketë veprime edhe ndaj atyre që e nxisin, financojnë dhe që në ndonjë mënyrë përfitojnë nga këto veprime në territorin e vendit tonë. Këtu mendoj për predikuesit, financuesit dhe ata që ndërmjetësojnë në veprime të tilla. Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë fole për njerëz të tillë e as strehë e veprimeve radikale religjioze dhe ideologjike. Nuk do ta lejojmë këtë.

8. Keni qenë rreth 10 vjet Shef i Shërbimit Inteligjent të Kosovës. Duke u bazuar në shumë biseda me ekspertët ndërkombëtare rreth këtij fenomeni, gjatë kohës suaj, edhe pse ka qenë i pranishëm në Kosovë, ka pasur suksese në frenimin e tij, a nënkupton kjo që tani ka mekanizma më të dobët parandalues dhe reagime më të dobëta nga ana e institucioneve të reja të vendit tuaj?

Kadri Veseli: Tash e sa kohë unë jam tërhequr nga monitorimi aktiv i kësaj çështje të ndjeshme - nuk mund të jap ndonjë gjykim thelbësor për këtë çështje. Sido që të jetë, unë besoj fuqishëm në ekzistimin e vetëdijes kombëtare tek bashkatdhetarët tanë, që do të na mbajë larg këtyre provokimeve.

Po ashtu besoj se mekanizmat tanë institucional kanë kapacitete adekuate dhe janë të vendosur për t'u marrë me këtë fenomen. Besoj në aftësinë e institucioneve tona shtetërore që të merren suksesshëm me këtë çështje sikurse edhe në mbështetjen e pa rezervë të njerëzve tanë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)