28 Mars 2024

Projektet dhe Buxheti 2015 për infrastrukturën dhe urbanistikën në Prishtinë

Prishtinë, 20 gusht - Komuna e Prishtinës organizoi dy dëgjime publike. Në to u diskutua buxhetimi i projekteve të Drejtorisë së Infrastrukturës lokale dhe ato të Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit, mbrojtjes së mjedisit dhe Drejtorisë së Kadastrës.

“Drejtoria e Infrastrukturës është një prej drejtorive që e ka buxhetin e vet, e ka diskrecionin, ndërsa sa i përket buxhetit, për vitin 2015 kësaj drejtorie kemi vendosur t’ia ndajmë 5 milionë euro, ndërsa në vitet 2016 dhe 2017 nga 6 milionë euro, të cilat janë planifikuar për infrastrukturë urbane dhe rurale, të cilat janë rrugë të vogla që kanë mbetur pa kompletuar dhe me mjetet që ka në diskrecion kjo drejtori, do të vendoset sipas kërkesave që vijnë nga bashkësitë lokale, ndërsa si prioritet ne do t’i shohim ato që janë më problematike”, u shpreh kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas kryetarit Ahmeti, projektet më të rëndësishme do të jenë ndërtimi i rrugës mbi lumin Mat dhe mbi lumin Prishtina.

“Këto dy projekte janë më madhoret për shkak edhe të efekteve, ku në njërën prej tyre kanalizimi duhet të mbyllet. Projekte që do të realizohen janë në rrugën “Enver Maloku”, në platonë në lagjen “Dardania” dhe ndërtimi i rrugës \"A\" që lidhet me rrethrrotullimin në lagjen “Arbëria” me rrethrrotullimin kryesor që është tek udhëkryqi i Fushë Kosovë-Mitrovicë dhe po ashtu ndërtimi i rrugës paralele \"B\", e cila do të vazhdojë prej rrethrotullimit që ndodhet në lagjen e spitalit, Mati të lidhet me rrugën që të çon në Veternik, në drejtim të Shkupit”, deklaroi z. Ahmeti.

Gjithashtu, kryetari Ahmeti u shpreh se gjatë vitit të ardhshëm do të bëhet edhe vlerësimi i projektit të unazës së brendshme të kryeqytetit, i cili në masë të madhe do ta çlironte komunikacionin, mirëpo, sic u shpreh ai, për këtë projekt duhet të bëhet vlerësimi, fizibiliteti dhe arsyetimi financiar, pasi që për shkak të kostos së tij, është e pamundur të realizohet vetëm me buxhetin e Komunës.

“Gjatë vitit të ardhshëm do të fillojmë ta zbatojmë me përpikëri ligjin e ndërtimit, i cili parasheh tre lloje të taksave të ndërtimit në drejtorinë e infrastrukturës.

Ajo janë, taksa administrative që e mbulon koston e marrjes së një lejeje, taksa e densitetit të infrastrukturës që nënkupton të gjitha shërbimet publike që ofrohen në një lagje si dhe taksa e infrastrukturës që do ta zgjidhte problemin në shumë lagje”, tha në këtë dëgjim publik kryetari Ahmeti.

Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi, rikujtoi se gjendja infrastrukturore në Komunën e Prishtinës ka qenë shumë e rëndë dhe se gjatë këtij vitit janë përcaktuar prioritetet e kësaj drejtorie, pasi që qeverisja e kaluar e ka lënë këtë drejtori pa projekte pasi që kryesisht ka punuar me paramasa.

 “Nga gjendja në terren kemi konstatuar se problemi më i madh është ai me ujërat e zeza dhe duhet të jetë prioritet i rëndësishëm. Gjatë vitit të ardhshëm do të jetë shumë më e lehtë për shkak të buxhetit që do të miratohet sepse qysh në fillim të vitit do t’i kemi të gatshme të gjitha projektet dhe do t’i nisim procedurat për projektet e planifikuara në vititn 2015”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, qytetarët shprehën interesimin për t’u njoftuar me detajet e kolektorëve që Drejtoria e Infrastrukturës është duke i ndërtuar dhe do t’i ndërtojë në të ardhmen, po ashtu ata u njoftuan se brenda kësaj jave do të përfundojnë procedurat e tenderit për shenjëzimin horizontal dhe vertikal të rrugëve, si dhe për projektin e parkingjeve dhe zgjerimin e ndriçimit në lagje të ndryshme të kryeqytetit.

Ndërsa, në dëgjimin publik i cili u mbajt për planifikimin e buxhetit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe atë të Kadastrit, si dhe kornizën afatmesme të shpenzimeve 2015- 2017, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u shpreh se “Kemi shumë lagje në të cilat nuk janë marrë parasysh gjendja aktuale në terren. Përderisa në një pjesë të qytet është e paraparë të jetë zonë ekonomike, aty në fakt ndodhen 100 shtëpi. Në lagjen “Kalabria” , nëse i referohemi planit rregullativ në detaje, atëherë del se duhet të rrënohet gjysma e kësaj lagje, ndërsa në pjesën ku është e paraparë të ndërtohet unaza qendrore janë nderuar objekte të larta.

Po ashtu, edhe në lagjen e spitalit – Mati 1, gjendja aktuale ndryshon shumë nga ajo që është në planin rregullativ.

\"Kjo do të thotë se nëse duam ta ndërtojmë një rrugë, p.sh të themi rrugën “Shaqir Igrishta” që e lidh rrethin tek banesat e standardit dhe më lartë lidhet me rrugën “Enver Maloku”, shpronësimi është i pamundur sipas planit rregullativ pasi që pjesa ku është e paraparë rruga rezulton me banesa shumëkatëshe.

Prandaj, në shumicën e lagjeve kemi filluar matjet gjeodezike për ta konstatuar gjendjen aktuale në terren dhe më pas kjo do të merret parasysh në hartimin e hartave zonale të hollësishme dhe këto i kemi parashikuar në buxhet” - tha mes të tjerash, Kryetari Ahmeti.

Ahmeti paraqiti dhe punën që po realizohet në realizimin e sistemit GIS, i cili do ta mundësojë digjitalizimin e Prishtinës, që nga gjendja aktuale, incizimin tredimensional e deri tek të gjitha shtresat që kanë të bëjnë me rrjetin e energjisë elektrike, rrjetin e ujësjellësit, në mënyrë që në fund të procesit të arrihet faza kur qytetarët nuk do të kenë nevojë që kushtet urbanistike t’i kërkojnë në Drejtorinë e Urbanizmit, por përmes sistemit online do ta verifikojnë se në pjesë të caktuara të qytetit çfarë u lejohet të ndërtojnë.

 “Po ashtu jemi duke punuar edhe në një plan lokal për “peizazhet e Prishtinës”, që do të thotë identifikimi i hapësirave të gjelbra në çdo lagje e që do të na mundësonte të kemi hapësira gjelbëruese në çdo lagje. Jemi duke punuar në projektin ekzekutiv dhe implementimin e projektit për riciklimin e mbeturinave, si dhe një prej ndryshimeve kryesore është që planet rregullative apo hartat zonale më nuk do të bëhen me formatin “çmimi më i lirë fiton”. Përpara ka fituar aplikuesi me çmimin më të lirë dhe më pastaj e ka bërë planin rregullativ.

Mendoj se kjo mënyrë ka hapur rrugë që ai i cili e bën planin rregullativ të hyjë në diskutime me pronarë të tokave. Andaj, ne do të shkojmë me planet përmes konkursit me jurinë profesionale, e cila do t’ju ofrojë mundësinë të gjithë arkitektëve që të ofrojnë zgjidhje urbanistike, konform ligjit të prokurimit”, tha kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në këtë takim, Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Liburn Aliu tha se e rëndësishme është se si në të ardhmen do të zbatohen këto plane rregullative. “Aktualisht probleme kemi më shumë me ndërtimet të cilat janë me leje, se sa ato pa leje. Nëse sot nuk mund t’i ndërtojmë rrugët e parapara me plane rregullative, kjo nuk ndodh për shkak se aty ndodhen objektet pa leje, por janë objektet me leje që kanë aplikuar në një anë, ndërsa në anën tjetër paralelisht kanë nisur ndërtimin dhe në fund procesi është përmbyllur me një leje ku objekti përfundon në rrugë.

Edhe qytetarët e pranishëm njëkohësisht kërkuan revidimin e planeve rregulluese si dhe hartimin e hartave zonale.

Gjatë ditës së sotme, Komuna e Prishtinës do të vazhdojë dëgjimet publike lidhur me Drejtorinë e Ekonomisë dhe zhvillimit lokal që do të mbahet në shkollën fillore, në Barilevë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)