24 Prill 2024

Lansohet sistemi i menaxhimit të integritetit për të Luftuar Korrupsionin

Prishtinë,  31 korrik  - Programi i UNDP-së Kundër Korrupsionit, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit lansoi sot Sistemin e Menaxhimit të Integritetit (IMS).

Programi i UNDP-së Kundër Korrupsionit, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), ofron ndihmë të vazhdueshme për institucionet e Kosovës në ngritje të transparencës, llogaridhënies dhe zhvillim të sistemeve të integritetit.

Institucionet publike të Kosovës përballen me rreziqe të korrupsionit të cilat mund të kenë ndikim negativ në funksionimin e tyre dhe besimin e publikut.

Sistemi i Menaxhimit të Integritetit (IMS) është zhvilluar për t’i ndihmuar institucionet në trajtimin e rreziqeve sistematike të identifikuara të integritetit, me qëllim të fuqizimit të rezistencës institucionale ndaj korrupsionit dhe kështu duke ulur nivelin e korrupsionit.

Për këtë qëllim, UNDP, në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsionit (AAK), është duke zhvilluar këtë sistem për institucionet publike të identifikuara si më të cenueshme ndaj korrupsionit, për ta futur planifikimin e integritetit në punën e tyre të përditshme. Zhvillimi i IMS do të asistohet në vazhdimësi nga UNDP dhe AAK, për të siguruar pronësi vendore mbi këtë proces.

Duke i pasur parasysh këto aktivitete, gjatë 3 muajve të punës intensive me grupin punues të Komunës së Prishtinës, UNDP ka përfunduar fazën e parë të IMS, përkatësisht Planin e Integritetit. Sipas Strategjisë Kundër Korrupsionit të Kosovës 2013 – 2017, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, të gjitha institucionet publike duhet të zhvillojnë dhe zbatojnë IMS. Megjithatë, Komuna e Prishtinës është qeveria e parë lokale në Kosovë që ka miratuar dhe që zbaton një plan të tillë.

Procesi i hartimit të Planit të Integritetit u mbështet nga afër nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Kjo agjenci do të vazhdojë t’i mbështesë anëtarët e Grupit Punues, i cili përbëhet nga stafi politik dhe administrativ i komunës, i udhëhequr nga kryetari i komunës, z. Shpend Ahmeti, në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve që kanë dalë nga Plani. Plani përmban një regjistër të rrezikut që identifikon cenueshmëritë e korrupsionit në të gjitha drejtoritë e Komunës.

UNDP në Kosovë ka ushtruar rolin e lehtësuesit në përgatitjen e Planit të Integritetit për Komunën e Prishtinës. Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe sinqeritetin e kryetarit të komunës dhe stafit kyç të komunës gjatë tërë procesit të hartimit të Planit. Ky dokument nuk përbën qëllimin përfundimtar të kësaj nisme.

Ky është në fakt proces i zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të reja të stafit komunal për të zbutur korrupsionin.

Gjatë tre muajve të fundit kemi qenë dëshmitarë të angazhimit të shquar të komunës së Prishtinës për t’i identifikuar, detajuar dhe përcjellë rreziqet e mundshme të korrupsionit dhe për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për trajtimin e tyre. Në procesin e hartimit komuna ka siguruar një mjet/mekanizëm të ri që i mundëson asaj të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët bazuar në qeverisjen e mençur (smart). Por, për sukses të plotë duhet të sigurohet të mësuarit e tij.

Ky plan është dokument dinamik; është udhërrëfyes për vetë-korrigjim të cilin Komuna e Prishtinës mund ta ndryshojë kurdoherë që mendon se realiteti në terren ka ndryshuar dhe se për këtë arsye Plani duhet të përshtatet sipas kushteve të reja. Kjo i siguron qëndrueshmëri këtij procesi, meqë Komuna ka kapacitete të mjaftueshme të brendshme për ta finalizuar procesin e hartimit të Planit të Integritetit, hartimin e politikave për trajtimin e cenueshmërive të korrupsionit, si dhe për ta monitoruar zbatimin e mekanizmave të integritetit publik.

Për më tepër, UNDP në Kosovë dhe Agjencia Kundër Korrupsionit kanë kënaqësinë që t’i ndihmojnë komunat e tjera në zhvillimin e sistemeve të tilla, bazuar në kërkesat e drejtpërdrejta që i kemi pranuar nga Kryetarët e Komunave.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)