29 Mars 2024

Raporti i Williamsonit, i dëmshëm

Prishtinë, 30 korrik -  Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, i ka komentuar të gjeturat e raportit të prokurorit të Task Forcës Hetimore Speciale të BE-së (TFHS), Clint Williamson, i cili është bazuar në Raportin e Dick Martyit.

Në këtë bisedë për “Epokën e re”, Salihu ka deklaruar se prokurori Williamson nuk u ka vënë pikë pretendimeve për trafikim të organeve gjatë viteve të luftës në Kosovë. “Sipas raportit, Williamsoni nuk ka gjetur prova të sigurta, por ka indikacione se mund të ketë pasur edhe kësi lloj krimi, trafikim organesh.

Prandaj kjo nuk e mbyll vazhdimin e hetimeve të mëtutjeshme. Ende ekziston mundësia të vazhdojnë hetimet sepse pretendohet se ka pasur kësi lloj krime.

\"Në aspektin penal juridik dhe në aspektin e të Drejtës Ndërkombëtare kjo lejohet dhe nuk është e kundërligjshme, sidomos për shkak se këto krime nuk vjetërsohen. Pra, kësaj çështje Williamsoni nuk i ka vënë pikë”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka vlerësuar se prokurori amerikan është dashur t’i mbyllë hetimet për trafikim të organeve.

“Është dashur të mbyllet ky rast, por këta (ndërkombëtarët) ende mendojnë se duhet të vazhdojnë hetimet dhe se ato nuk janë mbyllur. Kjo është shumë e dëmshme për Kosovën. Ndërsa për lloje të krimeve të tjera, ndërkombëtarët thonë se kanë prova të sigurta dhe së shpejti do t’i bëjnë publike emrat e personave për të cilët besojnë se kanë kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë, vrasje, tortura etj.

Ata pretendojnë se numri më i madh i këtyre viktimave janë serbë, por ka edhe shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera”, është shprehur profesor Salihu. Sipas tij, mospërfundimi i hetimeve për trafikim të organeve mund ta dëmtojë seriozisht imazhin e Kosovës.

“Zvarritja e këtij procesi do të ketë ndikim shumë negativ. Pra, ka ndikim shumë të keq për imazhin dhe autoritetin e Kosovës dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky raport dhe zvarritja e hetimeve ka pasoja negative”, ka thënë Salihu.

Raporti i Williamsonit nuk e dëmton kauzën e UÇK-së

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Penale, ka thënë se me të gjeturat në raportin e prokurorit amerikan Clint Williamson nuk mund të dëmtohet kauza e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Ai ka thënë se sikurse të gjitha luftërat çlirimtare, edhe ajo e UÇK-së ka qenë legjitime.

“Me ngritjen e ndonjë aktakuze mund të dëmtohet ndonjë individ, por assesi kauza e drejtë e luftës çlirimtare të Kosovës. Lufta e luftëtarëve të UÇK-së ka qenë luftë çlirimtare. Dhe çdo kund luftërat çlirimtare janë të ligjshme, nuk janë të ndaluara, përkundrazi lejohen si mjet i fundit për çlirimin e një kombi ose të një territori të caktuar.

Kështu që, në këtë aspekt nuk e denigron luftën e drejtë të UÇK-së, por individë të caktuar. Luftëtarë të UÇK-së kanë qenë 12 mijë ose 24 mijë veta ndërkaq, sipas tyre, do të akuzohen 6-10 veta. Pra, 6 deri në 10 veta nuk mund ta dëmtojnë kauzën, imazhin, qëllimin dhe të drejtën e një populli për liri”, ka thënë Salihu. Në këtë kontekst, profesor Salihu ka deklaruar se proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve janë duke u zvarritur nga ndërkombëtarët për qëllime të caktuara.

Ai ka thënë se ndërkombëtarët kanë mundur t’i përfundojnë temat e luftës qysh në vitet e para të çlirimit të Kosovës.

“Procesi i ndjekjes së luftëtarëve të UÇK-së po zvarritet për qëllime të caktuara. Këtë që janë duke e bërë tani ndërkombëtarët kanë mundur ta bëjnë në vitet 1999-2001.

Mirëpo këta i kanë strategjitë e veta, përndryshe do të ishte shumë më mirë që kjo çfarë është duke u bërë tani të bëhej menjëherë pasluftës, në mënyrë që të mbyllej kjo çështje dhe të vazhdohet puna”, është shprehur Salihu, duke vlerësuar se prokurori Williamson është duke e ndërtuar tezën e përgjegjësisë penale komanduese.

“Kështu është në aspektin e së Drejtës Penale Ndërkombëtare. Përveç atij që e ka kryer ndonjë krim, përgjigjet edhe eprori i tij, komandanti i tij, në qoftë se e ka urdhëruar të kryhet krimi, në qoftë se ka ditur se do të kruhet krimi dhe nuk e ka parandaluar ose në qoftë se, ndërkohë është njoftuar se ka kryer ndonjë person ndonjë krim dhe nuk e ka marrë në përgjegjësi\", ka theksuar ai.

\"Këtu janë tri situata në të cilat sajohet e ndërtohet edhe përgjegjësia komanduese, sipas së Drejtës Ndërkombëtare, sipas statutit të Tribunalit të Hagës, por edhe sipas statutit të gjykatës, në bazë të së cilës do të pretendohet të gjykohen disa ish-luftëtarë të UÇK-së”, ka thënë Salihu.

Ndërkaq duke folur për kërkesën e Williamsonit për funksionalizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, profesor Salihu ka thënë kjo gjykatë do të funksionojë për shkak të defekteve që ka Kosova në sistemin e drejtësisë.

“Kjo do të thotë se ne ende nuk kemi arritur ta funksionalizojmë dhe instalojmë sistemin tonë të drejtësisë, duke përfshirë prokurorinë, policinë, gjykatat dhe burgjet. Këto janë katër segmentet për zbatimin e drejtësisë penale. Prandaj ata kërkojnë që sa më shpejt të funksionalizohet Gjykata Speciale.

Formimi i kësaj gjykate është si pasojë e mosarritjes së ndërtimit të sistemit gjyqësor. Kjo është një e vërtetë e hidhur”, ka thënë Salihu, duke shtuar se Gjykata Speciale nuk do të merret vetëm me krime lufte.

“Kjo gjykatë nuk do të jetë vetëm për krime të luftës. Kjo gjykatë do të jetë edhe për krime të tjera ordinere që janë kryer, përfshirë edhe krimet që janë kryer pas 12 qershorit të vitit 1999”, ka deklaruar profesor Salihu.

Kosova duhet ta tejkalojë edhe këtë sfidë të dhimbshme

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka deklaruar se në këtë vjeshtë ose në fillim të vitit 2015 mund të ketë ngritje të aktakuzës për disa nga ish-luftëtarët e UÇK-së.

Ai ka thënë se këto aktakuza nuk do të jenë të aspak të këndshme. “Pas këtij raporti, në vjeshtë ose në fillim të vitit të ardhshëm, do të dilet me emra, mbiemra dhe akuza konkrete.

Ata veçse e kanë paralajmëruar këtë punë. Opinioni publik duhet të përgatitet për këso lloj ndodhish sepse nuk do të jenë të këndshme, por do të jenë të rënda dhe të dhimbshme. Edhe këtë sfidë duhet ta tejkalojnë Kosova dhe populli i saj”, ka thënë Salihu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)