28 Mars 2024

KDI: Adresimi i rekomandimeve të ZAP është në nivel shqetësues

Prishtinë, 22 korrik - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK) ka analizuar raportet e auditimit për pasqyrat financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) për vitin 2013. Analiza është e fokusuar në fushën e prokurimit publik, në gjetjet që potencialisht kanë shkaktuar humbje të parasë publike nga komunat dhe adresimin e rekomandimeve të ZAP për vitin paraprak.
 
Analiza tregon se adresimi i rekomandimeve të ZAP është në nivel shqetësues. Nga 425 rekomandime për të gjitha 38 komunat, vetëm 113 janë adresuar plotësisht. Rekomandime që nuk janë adresuar fare janë 203, kurse ato që janë adresuar pjesërisht janë 109. Mosadresimi i rekomandimeve, ndër të tjera, shkakton përsëritjen e shkeljeve të njëjta, humbje të parasë publike dhe mungesë të kontrolleve.

Edhe më shqetësues është trendi i shkeljeve që, sipas ZAP, potencialisht mund të shkaktojë humbje të parasë dhe përzgjedhje të operatorëve të papërgjegjshëm. Analiza ka theksuar se shkeljet më të shpeshta janë:

Mos respektimi i kritereve të vendosura në dosjen e tenderit gjatë vlerësimit të ofertave

Pagesa potencialisht të parregullta dhe humbje financiare për komunën

Vonesa në realizimin e projekteve sipas afateve të parapara me kontratë

Mos-vazhdim në rast të vonesave, apo mungesë e sigurimit të ekzekutimit të kontratës

Ndarja e tenderëve për blerjen e artikujve identik për të shmangur procedurat e prokurimit.

KDI/TIK ka ofruar edhe një numër të rekomandimeve, si në vijim:

Institucionet e ndjekjes si Prokuroria dhe Policia e Kosovës, duhet t’i kushtojnë vëmendje raporteve që dalin nga ZAP, për të identifikuar rastet kur janë shkaktuar dëme materiale, në mënyrë që personat përgjegjës të merren në përgjegjësi;

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), të shtoj monitorimin e komunave, për të identifikuar dhe korrektuar të gjitha problemet në sistemin e prokurimit publik;

KRPP dhe Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), të sigurojnë trajnimet profesionale për të gjithë zyrtarët e prokurimit publik, për të shmangur gabimet e pa qëllimshme të cilat vijnë si pasojë e mungesës së njohurive të ligjit dhe rregulloreve të prokurimit;

Të tërhiqen licencat e certifikimit për zyrtarët të cilët kanë performancë të dobët në prokurim publik, bazuar edhe në gjetjet e ZAP-së;

Të shmanget mos respektimi i kritereve të vendosura në dosjen e tenderit gjatë vlerësimit të ofertave;

Zyrtarët kryesorë administrativë duhet të sigurojnë që të mos bëhen pagesa të dyfishta dhe shërbimet që ofrohen nga stafi i komunës të mos kontraktohen me operatorë privatë në asnjë rast.

Të mos tolerohen vonesat në përfundimin e punimeve, përmes shqiptimit të gjobave për operatorët ekonomik. Komunat të përzgjedhin vetëm operatorët e përgjegjshëm, për të garantuar implementimin e rregullt të kontratave publike.

Komunat duhet të planifikojnë më mirë kërkesat për furnizime të ndryshme që të mos ketë nevojë që të bëhet blerje e shpeshtë apo ndarje e tenderëve. Ky trend shmang konkurrencën dhe bën që komuna të mos përfitojë vlerën për para.

Mosadresimi i rekomandimeve, ndër të tjera, shkakton përsëritjen e shkeljeve të njëjta, humbje të parasë publike dhe mungesë të kontrolleve. Kryetarët e komunave duhet të sigurohen që të përgatisin planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve dhe të mos lejojnë përsëritjen dhe mos adresimin e rekomandimeve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)