28 Mars 2024

Arifaj: Oferta e Thaçit është më e mira për vendin

Prishtinë, 21 prill - Ardian Arifaj, pasi i është bashkuar ekipit të kryeministrit Hashim Thaçi,  ka thënë se gatishmëria e shefit të Qeverisë për ta vendosur qytetarin në fokus të angazhimit të Qeverisë e ka bindur atë për bashkëpunim.

Arifaj në një intervistë për “Epokën e re”,ka thënë se nuk ka parë alternativë më të mirë për vendin sesa ajo e kryeministrit aktual.
 
“Jam bindur në ofertën e kryeministrit Thaçi, ndërkohë që nuk po shoh se ka parti të tjera që seriozisht po punojnë për krijim të alternativave. Por, verdiktin do ta thotë vetë qytetari i Kosovës. E imja është të mbetem i gatshëm të punoj me zell me kryeministrin Thaçi dhe ekipin e tij për të mirën e Kosovës”, ka thënë Arifaj.

Arifaj ka bërë me dije se është ftuar nga Hashim Thaçi të bëhet pjesë e ekipit të tij në mënyrë që të kontribuojë si ekspert në qeverisje. Ai ka thënë se, pavarësisht se do të jetë pjesë e ekipit të kryeministrit Thaçi, nuk do të jetë pjesë e strukturave të PDK-së. Arifaj ka thënë se në ekipin e kryeministrit Thaçi do të fokusohet në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe ecjes drejt Bashkimit Evropian.

“Sigurisht se do të kërkoj dhe do të më kërkohet të kontribuoj aty ku kam kapacitete të angazhohem. Kam përvojë të pasur profesionale dhe sigurisht se do të mund të kontribuoj në shumë lëmenj. Cak i Kosovës mbetet integrimi në BE dhe sigurisht se çdo angazhim do të jetë në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe ecjes drejt BE-së”, ka thënë Arifaj.

Ai është shprehur i bindur në ofertën e kryeministrit Thaçi, duke shtuar se tani nuk po sheh pretendentë të tjerë që seriozisht po punojnë për krijim të alternativave. “Gatishmëria që e kam parë tek kryeministri dhe tek bashkëpunëtorët e tij, që qytetari të vihet në fokus të angazhimit të Qeverisë, është arsyeja kryesore që më ka bindur ta pranoj ftesën e kryeministrit. Qytetarët e Kosovës tanimë e kanë shprehur qartë në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar se kërkojnë ndryshime dhe është esenciale për partitë politike që t’i përgjigjen pozitivisht kësaj kërkese të qytetarëve”, ka deklaruar Arifaj.

Duke folur për kalimet e individëve nga shoqëria civile në politikë, ai ka thënë se kjo dukuri është normale dhe se në shumicën e rasteve kjo bëhet me motivet më të mira dhe në kërkim të mundësive të reja për të kontribuar për Kosovën.

Në këtë kontekst, Arifaj, i cili për një kohë të gjatë ka vepruar nën petkun e shoqërisë civile, ka vlerësuar se në Kosovë vazhdimisht shoqëria civile ka krijuar dhe do të vazhdojë të krijojë kuadro që i nevojiten vendit.
(Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)