29 Mars 2024

AAK: Agim Veliu po bën politikë shkel e shko

Podujevë, 17 prill - Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Podujevë, në 100-ditëshin e qeverisjes komunale nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka analizuar hollësisht rolin e mekanizmave institucionalë në nivelin qendror, në përkrahjen e Komunës së Podujevës, dhe kapacitetin e Komunës për ofrimin e shërbimeve cilësore para qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies.

Aleanca oër Podujevë, po ashtu, ka analizuar hollësisht edhe kapacitetin koordinues të Komunës në planifikim strategjik të ofrimit të shërbimeve, qoftë nëpërmes administratës komunale, kompanive publike komunale apo atyre regjionale.

AAK ka vlerësuar se, që nga paslufta, me qeverisjen e LDK-së politikëbërjen e kryetarit Veliu, herë si pjesë e qeverisjes e herë si pjesë e parapolitikës, Podujeva ka dështuar në planifikim, e, si rrjedhojë, po planifikon dështimin.

Komuna e Podujevës qeverisë në mënyrë ad hoc apo “shkel e shko”, pa ndonjë sistem të planifikimit, duke shkelur një tërësi parimesh operative, që do të siguronin realizimin në mënyrë sa më të efektshme dhe të harmonizuar të planifikimit dhe monitorimit të politikave qeverisëse në tërësi. Pa një planifikim është i pamundshëm procesi i vendimmarrjes për përcaktimin e drejtimeve strategjike dhe shpërndarjen e burimeve.

Komuna e Podujevës nuk ka paraqitur para qytetarëve dhe  këshilltarëve komunalë as planifikimin më të thjeshtë kalendarik të aktiviteteve dhe veprimeve. Ka mungesë të vizionit politik, nuk posedon as plan pune apo agjendë të qartë të veprimit në zbatimin e politikave strategjike dhe zhvillimore. Nuk posedon platformë të qartë komunikimi me qytetarët, bizneset dhe grupet tjera të interesit dhe në këtë formë rrezikohet politikëbërja gjithëpërfshirëse, e përgjegjshme dhe transparente.

Mungojnë hapësira e punës për grupet e këshilltarëve komunalë, po ashtu  mediat dhe shoqëria civile nuk inkurajohen të përcjellin punën e Komunës.

Komuna e Podujevës nuk posedon asnjë dokument të një vlerësimi periodik për matjen e indeksit të transparencës dhe llogaridhënies.

Nuk ka asnjë praktikë në partneritetet me sektorin lokal privat përkitazi me planifikimin e programeve për zhvillimin lokal ekonomik dhe me ekzekutimin e projekteve si dhe në  zbatimin e projekteve të ndihmesës specifike teknike, të financuara dhe të zbatuara së bashku me sektorin lokal privat.

Nuk ka përkrahje të efektshme të krijimit të vendeve të reja të punës dhe të mundësisë për krijimin e të ardhurave për një numër të madh të njerëzve, duke mos inkurajuar zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në nivelin lokal, që përndryshe njihet si zhvillimin ekonomik lokal.

Zyrtarët komunalë nuk kanë kapacitete në hartimin dhe thithjen e donacioneve zhvillimore dhe fondeve të IPA-së apo fondeve të tjera zhvillimore.

Nuk ka planifikim e as investime në zonat industriale, zonat bujqësore apo turistike.

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik ka 10.000 euro për investime kapitale, ndërkaq bujqësia 310.000 euro në një komunë kryesisht bujqësore.

Mënyra e menaxhimit është ad hoc dhe nuk ka kapacitete as profesionale as organizative, duke qenë se menaxherët dhe punëtorët komunalë janë larg një mënyre të të menduarit më proaktiv të menaxhimit.

Komuna e Podujevës është prej pak komunave që nuk ka zyrën “One stop shop”, për marrjen e gjitha shërbimeve në një zyrë të vetme, lehtë të qasshme dhe me shërbime cilësore.

Në mungesë bashkërendimi të aktiviteteve në mes të Komunës dhe ndërmarrjeve publike, Komuna investon rreth 1 milon euro në infrastrukturë, si ujësjellës dhe kanalizim, që janë detyrim i kompanive publike regjionale si kompani profitabile.

Ndërkaq kompanitë publike që menaxhohen 100 % nga Podujeva (Stacioni i Autobusëve, Ndërmarrja Publike Banesore, Tregu) asnjëherë nuk kanë raportuar para Asamblesë Komunale rreth perfomancës, gjendjes financiare apo shërbimeve që ato ua ofrojnë qytetarëve nga taksat e mbledhura.

Nisur nga të gjitha këto, Dega e AAK-së në Podujevë dhe grupi këshilltarëve komunalë të AAK-së në këtë Komunë, e konsiderojnë tmerrësisht të dobët, të papërgjegjshme dhe improvizuese, në dëm të interesave qytetare dhe të ardhmes së komunës sonë, punën e deritashme, në 100-ditëshin e saj, të bërë nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)