29 Mars 2024

Cliff: Gjykata Speciale nuk po krijohet për UÇK-në

Prishtinë, 15 prill - Kosova ka nevojë ta pastrojë reputacionin e saj për shkak të akuzave të Dick Martyt dhe për këtë shkak po krijohet edhe gjykata speciale. Kështu tha të martën, në një debat me studentët e Kolegjit “Pjetër Budi” Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff.

Sipas tij, kjo gjykatë do të merret ekskluzivisht me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt, të miratuar nga Këshilli i Evropës.

“Kjo gjykatë do t’i hetojë pretendimet e ngritura. Nevojitet që hetimet të kenë kredibilitet ndërkombëtar, pavarësisht rezultateve. Po të kryhej hetimi për këto pretendime nga vendorët, atëherë shumë shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do ta konsideronin tallje një gjë të tillë, pasi që hetimet duhet të kenë kredibilitet ndërkombëtar”, theksoi Cliff.

Ai tha, po ashtu, tha se raporti i pokurorit Williamson do të prezantohet në qershor dhe në atë raport mund të ndodh që të mos jetë i përfshirë asnjë nga emrat e përmendur në raportin e Martyt, andaj nuk duhet paragjykuar asgjë. Sipas tij, gjykata speciale nuk po krijohet për hetimin e UÇK-së. “Në raportin e Martyt përmenden individë të UÇK-së. Nëse diçka e atillë si trafikimi i organeve ka ndodhur, atëherë duhet hetuar dhe dënuar. Por, kjo nuk nënkupton dënimin e gjithë UÇK-së”.

Cliff tha, po ashtu, se krijimi i gjykatës speciale me miratimin e Kuvendit të Kosovës do të jetë pozitiv për imazhin ndërkombëtar të Kosovës, duke demonstruar se nuk ka asgjë për tu fshehur. Sipas tij, miqtë e Kosovës po duan që të shmangin mundësinë që rasti i themelimit të gjyaktës nga ana e Rusisë të ngrihet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

I pyetur se pse nuk ekziston një gjykatë e ngjashme për Serbinë, ambasadori britanik u shpreh:

“Nuk ka gjykatë special për Serbinë, sepse nuk ka ndonjë raport të miratuar në Këshillin e Evropës për Serbinë”.
Për gjyqtarët e EULEX-it, ndërkaq, tha se do të fokuohen në lëndët që tashmë janë duke u hetuar.

Duke folur për zgjatjen e mandatit të EULEX-it, Cliff theksoi se në Kosovë ka ende punë për të bërë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për këtë shkak është e domosdodhme një gjë e tillë.

Sipas tij, mandati i EULEX-it duhet zgjatur për dy arsye. “Së pari nevojitet të kemi sundim rendi dhe ligji, si dhe gjyqësi të pavarur në Kosovë. Së dyti, ekziston nevoja që EULEX të merret me proceset e dala nga marrëveshja Kosovë-Serbi, si integrimi i pjesëtarëve të MUP-it në sistemin kosovar dhe krijimi i strukturës së gjykatave në veri dhe mjedise të tjera. EULEX do të foksuohet në këto çështje gjatë dy viteve të ardhshme”, tha Cliff.

Ambasadori Cliff ka folur edhe për reformën zgjedhore, duke sjellë ndërmend se nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian, atëherë duhet të organizojë zgjedhje të lira dhe fer, ngase ky është kriter primar.

“Mënyra si është miratuar në lexim të parë projektligji për zgjedhjet në Kuvendin e Kosovës nënkupton se një numër i madh i qytetarëve do të përjashtohen nga procesi i votimit – sidomos qytetarët e veriut të vendit, të cilët ende nuk posedojnë kartë identiteti kosovare, si dhe të zhvendosurit jashtë Kosovës. Por përjashtohen edhe shumë shqiptarë që jetojnë në diasporë.

As KQZ nuk ka shumë kohë për përgatitje të duhura”, theksoi Cliff.

Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendit, Cliff tha se deri tash në Kosovë ka pasur shumë politikë, e pak fokus në zhvillimin ekonomik. “Tash do të duhej që partitë politike të dalin me programe që kanë në fokus zhvillimin ekonomik të vendit”.

Ndërkaq, duke folur për përfshirjen e të rinjve në politikë, ambasadori u shpreh se vota është parakusht i demokracisë dhe se vetëm ata që votojnë kanë të drejtë morale që t’i kritikojnë ata që i udhëheqin.

“Pavarësisht pengesave që mund t’ua bëjnë politikanët të rinjve për përfshirje në politikë, ata duhet të gjejnë hapësirë dhe të organizohen vetë, në atë mënyrë që të japin kontributin e tyre dhe të përpiqen të ndryshojnë diçka për të mirë”.

Ambasadori Ian Cliff për kontributin e tij në zhvillimet në Kosovë dhe lobimin për njohjen e pavarësisë, u nderua nga Kolegji “Pjetër Budi” me çmimin “Hyjnesha në Fron”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)