29 Korrik 2014

KQZ anulon 15 vendvotime, 8 në Gjakovë

Prishtinë, 24 nëntor - Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë anulimin e votave në 15 vendvotime nga të cilat do të mbesin të pavlefshme rreth 1 mijë e 500 vota. Anulimi, sipas zyrtarëve të KZAP, është bërë pasi janë gjetur nënshkrime të falsifikuara të komisionerëve zgjedhor në këto 15 vendvotime, nga të cilat 8 janë në Gjakovë, 3 në Lipjan, 2 në Shtime, 1 në Malishevë dhe 1 në Shtërpcë.

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka përmbyllur procesin e shqyrtimit të ankesave dhe vendim i fundit është dhënë për anulim të votave në 15 vendvotime, por jo edhe përsëritje të votimit.

Ky anulim që përfshin 5 komuna, nga të cilat më së shumti janë në Gjakovë, akoma nuk dihet nëse do të ndikojë në rezultatin përfundimtar të ndonjërës nga këto komuna.
Kryetarja e KQZ-së Nesrin Lushta, pasi ka marr urdhrin e KZAP për anulim, tha se vendimi është obligativ dhe do të respektohet.

“Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur që të anulohen votat në 15 vendvotime ku janë gjetur parregullsi. Nga këto vendvotime 8 janë në Gjakovë, 3 në Lipjan, 2 në Shtime, 1 në Malishevë dhe 1 në Shtërpcë. Vendimet janë obligative dhe ato do të respektohen”, tha Lushta.

Por vendimi i KZAP është kundërshtuar ashpër nga anëtari i KQZ –së, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Blerim Burjani, i cili ka kërkuar të mos respektohet ky vendim, përderisa për këtë çështje të marrë vendimin Gjykata Kushtetuese, ku ai ka paralajmëruar se do të bëhet padi.

“Ne kemi pritur një KZAP tjetër nga ky që po shohim, jo një KZAP të ndikuar politikisht. Unë kërkoj që të mos respektohet ky vendim përderisa për këtë të jap vendimin Gjykata Kushtetuese”, tha Burjani.

Ndonëse gjatë rinumërimit të votave në këto 15 qendra të kontestuara ka dalë që votat të jenë të rregullta, anulimi i këtyre votave është bërë pasi janë gjetur falsifikime të nënshkrimeve të komisionarëve. KQZ gjithashtu ka bërë përjashtimin e 105 komisionerëve zgjedhor nga raundi i dytë në këto qendra votimi, ku janë gjetur parregullsi

Shpėrndaje artikullin:

Komento:




Prapa

© Copyright - Agjencia - Ekonomia - 2005 - 2015 - All Rights Reserved | Powered by Refresh