26 Prill 2024

Zhvillim ekonomik fuqizohet përmes sektorit të prodhimit

Prishtinë, 4 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e organizuar me prodhuesit kosovarë, me rastin e inaugurimit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, aktivitet në kuadër të shënimit të tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Para prodhuesve të Kosovës, përfaqësuesve të institucioneve dhe ekspertëve të ekonomisë, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se tash është koha për të punuar, për të pasur besim dhe për t’i realizuar synimet për zhvillim ekonomik.

Duke theksuar se Kosova ka prodhues dhe biznese të shkëlqyeshme, të cilat mund të jenë konkurruese në vend, në regjion dhe në tregun evropian, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka edhe njerëz punëtorë të cilët mund t’i japin drejtim të mirë këtij vendi duke bërë thirrje për pozitivizëm.

“Ne duhet një ditë të kthehemi dhe të flasim pozitivisht për vetveten, mos të mallkojmë këtë shtet dhe këtë vend sepse e kemi bërë këtë shtet që ta zhvillojmë, e kemi bërë këtë shtet që t’i besojmë, dhe i kemi qytetarët të cilët e kanë përgjegjësinë e tyre që të japin besimin, por edhe të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që drejtojnë këtë vend. Themelimi i këtij klubi të prodhuesve është një akt simbolik edhe i tetë vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, sepse mendoj se është mënyra më e mirë që ne ta shënojmë përvjetorin e pavarësisë së vendit tonë, përmes fuqizimit të sektorit privat të prodhimit dhe përmes fuqizimit të ekonomisë sonë”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se Qeveria deri tani ka punuar dhe ka bërë reforma ta caktuara të cilat kanë pasur qëllim që të lehtësojnë punën e bizneseve, të nxisin sektorin privat, veçmas sektorin e prodhimit, por po ashtu ka theksuar gatishmërinë që të punohet edhe më shumë bashkërisht që të bëhen të gjitha ndryshimet e nevojshme që ambienti të jetë sa më i mirë dhe më i përshtatshëm për bizneset.

“Ne do ta bëjmë ndryshimin e bilancit tregtar, do të eksportojmë më shumë, do të përgatitemi për eksport. Në takimin që patëm herën e kaluar nga ju u shpreh nevoja qe ne duhet të përgatisim bizneset tona që ato të shfrytëzojnë  përparësitë që tani i jep nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizimi Asociim, që të jenë konkurruese në tregun evropian, sepse është një e drejtë e jona që kemi tani me nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Po ashtu është nevojë e jona që të përgatitemi si biznese që ne të jemi konkurrent, që ne të marrim pjesë në tregun prej 500 milionë konsumatorëve kryesisht përmes sektorit të prodhimit”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka vlerësuar lartë rezultatet e firmave iniciuese të themelimit të këtij klubi, të cilat do ta bartin këtë aktivitet të konkurrencës duke shprehur përkrahjen e Qeverisë.

“Jemi të interesuar që të tërheqim sa më shumë investime të jashtme direkte, por asnjë prej investimeve nuk do të jetë i suksesshëm në qoftë se ne atë nuk e ndërlidhim me investitorët e brendshëm dhe me bizneset tona të brendshme.

Prandaj, ju kisha lut që të bashkëpunojmë. Ligjin për Investime Strategjike e kemi në proces dhe këtë ligj edhe gjatë diskutimit në Parlament ta konsultojmë me ju në mënyrë që ai të jetë sa më i përshtatshëm. I kemi edhe ndryshimet edhe plotësimet e ligjeve tjera, të cilat jemi të interesuar që t’i konsultojmë me ju, ngase ajo çfarë duhet të bëjmë është që të kemi më shumë prodhime në Kosovë, që ta gjejmë sektorin me të cilin ne do të jemi konkurrent me bizneset tjera, dhe që të krijojmë markën tonë, dhe të krijojmë realitetin tonë ekonomik, edhe në vend, edhe në konkurrencën regjionale, evropiane dhe në konkurrencën botërore”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka ftuar që të punohet edhe më tutje bashkërisht.
“Të gjithë ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë dhe të gjithë ne dëshirojmë që për Kosovën të flitet si një vend i zhvilluar, si një vend që ka marrë orientimin e qartë të zgjidhjes së problemeve zhvillimore, të rritjes ekonomike, të zgjidhjes së papunësisë, të uljes së varfërisë, dhe të rritjes së konkurrencës edhe brenda edhe jashtë. Kemi një sektor bankar i cili është stabil, por për aq sa ne do ta kemi prodhimin e fuqishëm, edhe sektori bankar do të jetë më bashkëpunues dhe më i lehtë për përballim”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar sukses dhe duke premtuar që Qeveria e Kosovës edhe organet përkatëse të saj do të bashkëpunojnë ngushtë me këtë Klub.

Visar Kelmendi, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës tha se ky Klub ka sot 9 firma me 15 mijë punëtorë, 23 fabrika, dhe diku mbi 50 brende. Ai, po ashtu, tha se qëllimi bazë i themelimit të Klubit, është avokimi në institucionet qeveritare relevante për ndryshimin e klimës e të bërit biznes, duke shprehur besim në zhvillim ekonomik të Kosovës, duke u bazuar në reforma strukturore gjithëpërfshirëse të ekonomisë kosovare drejt prodhimit dhe fuqizimit të prodhimit vendor.

“Ky besim i yni i thellë po vjen duke u rritur, duke parë edhe shembujt e 9 shtëpive tona, edhe shembujt e prodhuesve tjerë që nuk janë anëtarë të Kosovës në cilësinë dhe në kualitetin e produkteve që ata po prezantojnë. Kjo është njëra anë. Në anën tjetër duke parë një frymë shumë pozitive në takimet tonë të para me aktorët relevantë të shoqërisë, të Qeverisë, me kryeministrin tonë, me ministrat përkatës ekonomik, me kryeparlamentarin, me odat ekonomike të ndryshme me të cilat kemi pasur kontakt, po na e rrit besimin se jemi në rrugë të drejtë”, tha Kelmendi.

Astrit Panxha, drejtor Ekzekutiv i Klubit të prodhuesve të Kosovës tha se ky Klub është një organizatë joqeveritare që është themeluar prej disa prodhuesve të mëdhenj të Kosovës.

“Në këtë proces besojmë se institucionet vendore, qoftë lokale apo Qeveria, janë partnerët tanë strategjik. Klubi dëshiron të krijojë, të fuqizojë një partneritet me institucionet e Kosovës. Deri sot është bërë mjaft për prodhimet e Kosovës. Kemi hapa të ndryshëm që janë ndërmarrë në të kaluarën”, tha Panxha, duke përmendur angazhimet e deritashme të institucioneve në Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)