28 Mars 2024

Tetë milionë euro nga importi i makinave

Prishtinë, 5 gusht -  Në gjashtë muajt e parë të këtij viti buxhetit të Kosovës i janë shtuar mbi tetë milionë euro të hyra nga TVSH-ja e mbledhur nga importi i makinave të reja dhe të përdorura.

TVSH-ja për makinat e përdorura (1 025 copë) kap vlerën e mbi shtatë milionë eurove, kurse për makinat e reja (581 copë) mbi një milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës (DK), Adriatik Stavileci, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se gjatë periudhës janar - qershor 2015, sasia në copë e makinave të reja ka shënuar rritje për 186 apo 47.09 për qind. “Gjatë periudhës janar - qershor 2014, sasia në copë e makinave të reja ishte 395, ndërkaq për periudhën e njëjtë të viti 2015 kjo shifër ka arritur në 581 copë”, ka thënë Stavileci.

Edhe numri i makinave të përdorura, sipas tij, ka shënuar rritje për 15.57 për qind. “Sasia (copë) ka shënuar rritje prej 1 025 copash ose 15.57 për qind, pasi vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kemi pasur import të makinave të përdorura për copë 6 584”, ka thënë Stavileci.

Rritja e numrit të makinave të importuara ka bërë që të ngrehen edhe taksat doganore. “Baza doganore ka shënuar rritje prej 2.459.417,50 eurosh që, shprehur në përqindje, 43.31 për qind. Ndërkaq taksa në total ka shënuar rritje prej 635.528,16 eurosh që, shprehur në përqindje, 40.24 për qind”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, taksat kanë shënuar rritje edhe për makinat e përdorura në 16.62 për qind. “Baza doganore ka shënuar rritje prej 6.965.794,40 eurosh që, shprehur në përqindje, 20.55 për qind. Në total taksat kanë shënuar rritje prej 2.499.868,11 eurosh që, shprehur në përqindje, 16.62 për qind”, ka bërë me dije Stavileci.

Po sipas tij, TVSH-ja për makinat e reja ishte mbi një milion, kurse për makinat e përdorura TVSH-ja ishte mbi 7 milionë. “TVSH-ja për makinat e reja gjatë periudhës janar-qershor 2014 ishte 995.499.15 euro, kurse për të njëjtën periudhë të viti 2015 TVSH-ja kap vlerën e 1.404.682.31 eurove. Për makinat e përdorura për janar - qershor 2014 TVSH-ja ishte 6.634.395.39 euro, kurse në periudhën e njëjtë të viti 2015 shuma e mbledhur nga TVSH-ja kap vlerën 7.900.768.35 euro”, është shprehur Stavileci.

Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe ish-drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, ka thënë se zakonisht makinat që nuk e kanë katalizatorin kanë ndikimin e vet, pasi lirojnë gazrat nga djegia e karburanteve dhe e ndotin një vend.

“Në qoftë se janë futur me katalizator dhe në përputhje me disa norma të bashkësisë ndërkombëtare, atëherë nuk do ta ndotin ambientin”, ka thënë ai.

Lulzim Beqiri, njohës i Ekonomisë, ka thënë se rritja e importit për makinat e reja është lajm i mirë dhe shpresëdhënës për ambientin, buxhetin e Kosovës dhe për qytetarët. Sipas tij, një rritje kaq e madhe kuptohet edhe për ngritje të standardit të qytetarëve të Kosovës, njëkohësisht edhe ngritje e vetëdijes për kujdesin ndaj ambientit dhe sigurisë më të madhe në komunikacion.

I pyetur se si e komenton vendimin e Qeverisë së Kosovës për lejimin e importit të makinave të vjetra, Beqiri është përgjigjur se importi i makinave të vjetra mund t’i sjellë dëm ambientit.

“Mendoj se dëmet janë më të mëdha sesa përfitimet, nisur nga fakti se për një shumë të vogël të të hyrave po rrezikohet ambienti në Kosovë. Makina sa më e vjetër që është aq më të mëdha i ka shpenzimet dhe mundësinë e përpunimit e ka më të dobët, që nënkupton lirimin e më shumë ndotësve në ambient”, është shprehur ai.

Beqiri ka bërë me dije se, sipas Bankës Botërore, Kosova renditet në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në rajon.

“Është shqetësuese, pasi lejimi i importit të makinave të vjetra rrit mundësinë e ndotjes edhe më shumë”, ka deklaruar ai. Kurse sa i përket rritjes së të hyrave nga TVSH-ja, ai ka deklaruar se çdo e hyrë në buxhetin e Kosovës është e mirëseardhur, sidomos nga importi i gjërave që nuk e cenojnë sigurinë dhe ambientin në të cilin jetojmë.

“Si pasojë e lejimit të importit të makinave me vjetërsi mbi 13 vjet mendoj se nuk ka dobi buxheti nga këto të hyra, pasi dëmi është më i madh sesa dobia e kësaj shume prej 7.900.768.35 eurosh. Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës ka lejuar importin e makinave të vjetruara, këtë e ka ndërlikuar nëpërmjet kostos së importit, sepse importimi i makinave të vjetra do ta ketë një kosto të lartë në mënyrë progresive në bazë të vjetërsisë së makinës”, ka përfunduar Beqiri.

Albulena S. MAVRAJ

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)