26 Prill 2024

Kriza politike s’e ndal prodhimin në Trepçë

Mitrovicë, 19 nëntor - Gjiganti ekonomik “Trepça” ka arritur që gjatë dhjetëmujorit të parë të këtij viti ta përmbushë planin e paraparë të prodhimit, edhe pavarësisht krizës politike që po mbretëron në vend.

Kriza politike në vend s’e ka penguar prodhimin në gjigantin ekonomik “Trepça”, madje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në këtë ndërmarrje janë shfrytëzuar rreth 10 për qind më shumë xeherorë plumbi dhe zinku dhe 18.3 për qind janë prodhuar më shumë koncentrate plumbi dhe zinku, që i bie se është bërë një tejkalim prej 0.6-përqindësh i planit të paraparë.

Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun në ndërmarrjen “Trepça”, Bislim Muqa, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se gjatë këtyre dhjetë muajve minierat e kësaj ndërmarrje kanë prodhuar 170 780 tonë xeherorë plumbi dhe zinku, prej të cilave, sipas tij, pas përpunimit (pasurimit) të tyre në fabrikat e pasurimit, janë përfituar 14 120 tonë koncentrate plumbi dhe zinku.

“Shprehur në përqindje, i bie se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërmarrja ‘Trepça’ ka shfrytëzuar rreth 10 për qind më shumë xeherorë plumbi dhe zinku dhe 18.3 për qind ka prodhuar më shumë koncentrat plumbi dhe zinku”, ka thënë Muqa.

Ai ka deklaruar se, pavarësisht krizës politike, me të cilën po ballafaqohet vendi tash e sa muaj, ndërmarrja “Trepça” ka arritur ta përmbushë planin e paraparë të prodhimit.

“Për minierat e Stantergut dhe të Artanës janë planifikuar që për këtë dhjetëmujor të shfrytëzohen 169 639 tonë xeherorë, ndërkaq janë eksploatuar 170 778 apo 1 139 tonë më tepër se vitin e kaluar. Pra, kemi një tejkalim të lehtë të planit për 0.6 %. Shpresojmë që ky trend të vazhdojë deri në fund të këtij viti”, ka deklaruar Muqa.

Ai ka shprehur optimizëm se deri në fund të vitit do të realizohet në tërësi plani i paraparë i prodhimit.

“Mendoj se prodhimi do të realizohet sipas planit të paraparë për këtë vit”, ka thënë ai, duke shtuar se kriza politike në vend ka ndikuar në definimin e statusit juridik të ndërmarrjes “Trepça”, pasi Ligji për këtë ndërmarrje, i amandamentuar në pranverën e këtij viti nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk arriti të miratohej nga Kuvendi për shkak të shpërbërjes së parakohshme të tij.

Muqa ka theksuar se të gjitha procedurat duhet të nisin nga e para, sepse kanë kaluar gjashtë muaj.

“Me këtë ligj ndërmarrja ‘Trepça’ do të shndërrohej në kompani publike, me ç’rast ndërmarrja do të lirohej nga moratoriumi dhe pengesave të shumta që i dalin para. Pra, ‘Trepçë’-s do t’i hapej një perspektivë e re për t’u zhvilluar si një industri e fuqishme në rajon”, ka thënë Muqa.

Ai ka shtuar se “Trepça” po përballet edhe me problemet e trashëguara siç janë ato politike, pasi funksionon e ndarë në dy njësi, veri-jug.

“Ende nuk është definuar statusi juridik i ndërmarrjes. Ka edhe probleme sociale, sepse një numër i madh i punëtorëve të ‘Trepçë’-s, të cilët ishin përzënë dhunshëm nga puna në vitet e ’90-ta, nuk kanë mundur ende të kthehen në vendet e tyre të punës. Ka probleme mjedisore, ngase ‘Trepça’ për dekada të shumta të punës së saj, ka shkaktuar edhe dëme të shumta mjedisore, duke degraduar mjedisin etj.”, ka theksuar Muqa.

Koncentratin e plumbit dhe zinkut ndërmarrja “Trepça” e eksporton në tregun e jashtëm. Këtë vit ndërmarrja “Trepça” ka lidhur kontratë me kompaninë zvicerane “Glencore International-AG” për shitjen e koncentratit të plumbit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)