18 Prill 2024

Mungesa e ujit të pijes privim i të drejtave njerëzore

Prizren, 23 shtator - Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe ka pranuar ankesa nga qytetarët të bashkësive të ndryshme lokale që kanë ngritur shqetësimin në lidhje me furnizimin me ujë të pijes.

Banorët e lagjes Arbanë te rruga e transitit janë ankuar se ka disa vite që e kanë dërguar një peticion në komunë e kompaninë e ujësjellësit për ndërtimin e ujësjellësit, gjë që sipas tyre deri më tani ka hasur në vesh të shurdhër, duke i detyruar që zgjidhjen të bëjnë me hapjen e puseve, që nuk i plotësojnë kushtet sanitare.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” përmes një shkrese ka sqaruar se është i njoftuar me problemin në lagjen, ku nuk ka rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit. Sipas kësaj kompanie duhen 250 mijë euro për vendosjen e rrjetit primar dhe sekondar, shumë kjo që është e papërballueshme për “Hidroregjionin...”. Prandaj sipas përfaqësuesve të kësaj kompanie pritet gjetja e ndonjë donatori që do të financonte këtë projekt.

Edhe zyrtarët komunal nga Drejtoria për Shërbime Publike kanë bërë të ditur se kanë njohuri për kërkesën e banorëve të kësaj lagjeje dhe kanë sqaruar se ndërtimi i ujësjellësit figuron si pozicion buxhetor për vitin 2015.

Vlen të theksohet se banorë të lagjes “11 marsi”, “2 korriku” dhe rrugës “Adem Jashari” kanë bërë të ditur se nuk kanë furnizim të rregullt me ujë të pijes. Ndërkohë gjatë debateve publike me qytetarët e komunës së Prizrenit, edhe përfaqësues të bashkësive lokale të Hasit, pastaj Lubizhdës e Malësisë së Re kanë kërkuar zgjidhjen e furnizimit të rregullt me ujë të pijes.

EC Ma Ndryshe përkujton se Rezoluta 64/292 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e ka njohur furnizimin me ujë të pastër si një të drejtë njerëzore dhe esenciale për realizimin e të gjitha të drejtave njerëzore. Prandaj mungesa e ujit të pijshëm është privim nga një e drejte elementare për jetesë.  

Ndërkohë neni 17 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, që flet për kompetencat vetenake të komunave thekson se komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive sa i përket interesit lokal, në fushën e ofrimin e shërbimeve publike dhe komunale, përfshirë furnizimin me ujë.

Duke i marrë parasysh të këto informata, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që:

-          Të marrë masat e nevojshme për furnizimin normal me ujë të pijshëm dhe brenda kushteve higjiene-sanitare për të gjithë banorët e komunës së Prizrenit;

-     Të gjejë donatorë që do të përkrahnin projektet për shtimin e kapaciteteve të ujit të pijes;

-           Të rrisë nivelin e dialogut me KRU “Hidroregjioni Jugor” për të eliminuar problemet dhe defektet në furnizimin me ujë të pijes në lokalitete të ndryshme. 

Gjithashtu, EC Ma Ndryshe rekomandon KRU “Hidroregjioni Jugor” që të rris nivelin e transparencës karshi konsumatorëve dhe të ketë qasje proaktive në gjetjen e donatorëve.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)