19 Prill 2024

Komisioni miratoi Strategjinë Minerare 2012- 2025

Prishtinë, 26 qershor - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota, raportoi lidhur me përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit  për vitin 2011, e që kanë të bëjnë me këtë Ministri.

Nga dhjetë pikat e Raportit të Progresit, të adresuara në Ministrinë e Infrastrukturës, vetëm pesë prej tyre i përkasin Ministrisë së Infrastrukturës, bëri të ditur në fillim të paraqitjes së tij, ministri Mujota.

Ne vijoi ai, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe agjencionet e tjera, jemi duke u përpjekur që sfidat e paraqitura në Raport t’i tejkalojmë bashkërisht, ndërsa në hollësi foli për tejkalimin e  sfidave që paraqiten për ministrinë që ai udhëheq.

Duke iu referuar pikës 167 të Raportit, me ç’rast nga Ministria kërkohen masa për sigurimin e komunikacionit rrugorë, ministri Mujota nënvizoi:

“Në vitin 2011, numri i përgjithshëm i aksidenteve është rritur për 5%, i lëndimeve për 4% dhe i dëmeve materiale për 6.1%, ndërkaq, numri i aksidenteve me pasoja fatale në vitin 2011 është më i vogël për 17.4%”, krahasuar me vitin 2010”.

Në vijim, ministri foli për shthurjen operative dhe financiare të kompanive.

Lidhur me këtë, ai njoftoi se  ka përfunduar shthurja operative dhe financiare e kompanive “Infrakos” dhe “TrainKos”, për të cilat tha se janë duke  funksionuar të pavarura.

Ai në vijim foli edhe për funksionimin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave. Ky autoritet, tha Mujota, është funksional, por, nuk ka buxhet të mjaftueshëm  për të kryer detyrat në mënyrë efektive.

Për sa i përket planifikimit të orareve të fluturimeve, (sipas pikës 170 të Raportit), ministri njoftoi se nga 1 qershori i vitit të kaluar, ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë për kategorinë e koordinimit të Aeroportit nga niveli 3 në nivelin e dytë të koordinimit, dhe zyra për planifikim të orareve të fluturimeve ka aplikuar të gjitha parametrat e kërkuar.

Po ashtu, ministri foli edhe për pikën e Raportit e cila bënë fjalë për  standardizimin e sistemit dhe vlerësimit të sigurisë për aeroplanët e huaj. Lidhur me këtë, ministri Mujota njoftoi se Autoriteti i Kosovës për Aviacion Civil (AKAC) nuk është pjesë e standardizimit të sistemit dhe vlerësimit të sigurisë për aeroplanët e huaj, si pasojë e mosmarrëveshjes lidhur me statusin e Kosovës.

Pas kësaj, komisioni shqyrtoi Strategjinë Minerare të Republikës së Kosovës 2012- 2025, të cilën e paraqiti zv.ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci.

Ai, pasi foli për objektivin që synohet të arrihet me këtë Strategji, dhe rolin e saj për zhvillimin ekonomik, njoftoi se kombinati “Trepça”, sipas kësaj strategjie, do të funksionojë në bazë të Ligjit të veçantë.

Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës 2012- 2025, ka dhjetë objektiva, për realizimin e të cilave janë paraparë të merren 63 masa implementuese, tha Koci.

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, vlerësuan se Strategjia Minerare ka qenë dokument i domosdoshëm që i ka munguar vendit.

Gjatë procesit të votimit, Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës 2012- 2025, gjeti mbështetje nga anëtarët e komisionit, e cila pas kësaj do të shqyrtohet në mbledhjen e rregullt plenare  të Kuvendit të Kosovës.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)