26 Prill 2024

Krijohet kompjuteri që riprodhon kopje të shkrimit me dorë

Londër, 14 shtator - Informaticienët kanë krijuar një program që mund të riprodhojë shkrimin e dorës të kujdo, që nga Platoni e deri tek Shekspiri.

Ata thonë se me këtë program mund ta bësh Shekspirin të vazhdojë të shkruajë vepra në 2016-n; por programi mund të shërbejë edhe për industrinë e botimeve dhe për parametrat e sigurisë në operacionet bankare.

Informaticienët në Universitetin e Londrës po programojnë kompiuterat për të gjeneruar pasazhe që duken si të shkruara me dorë nga një individ i caktuar.

Studiuesi Tom Haines thotë se deri tani e vetmja dëshmi që teksti nuk është shkruar me dorë është fakti që dallohet nga boja dhe gjurma në letër se është printuar. Kjo diktohet duke e parë me mikroskop.

Zoti Hanes tregon se për ta kthyer një tekst në shkrimin e një individi të caktuar, kompiuteri regjistron një nga një çdo shkronjë si dhe hapësirën mes fjalëve.

\"Tani po veçoj shkronjat një nga një. E drejtoj programin që O-ja të fillojë këtu dhe M-ja të mbarojë këtu; pastaj shtyp shkronjën M në tastjerë, për t’i treguar kompiuterit që simboli i ri është shkronja M; bëj të njëjtën gjë edhe për O-në. Pra, pak a shumë procesi kërkon që të bëhet kjo punë për çdo shkronjë. Kjo këtu është shkronja S, megjithëse nuk duket krejt si S”.

Ky proces mund të përdoret për shkrimin e kujdo, pasi një dokument i shkruar prej personit skanohet në kompiuter dhe krijohet një kopje dixhitale e tekstit.

Programi krijon shqetësimin se mos përmes tij mund të falsifikohen dokumenta të shkruara me dorë. Por ekspertët që vërtetojnë nëse një pasazh është shkruar vërtetë nga një individ i caktuar, nuk bazohen vetëm tek stili i shkrimit. Ka një numër mënyrash për të diktuar nëse një tekst është falsifikuar.

Për shembull gabimet drejtshkrimore. Shpesh falsifikuesit e teksteve harrojnë ta shkruajnë tekstin me gabimet që bën personi i caktuar, prej të cilit pretendohet se është shkruar dokumenti, gjë që sinjalizon një dokument të falsifikuar.

\"Do të thosha që mungesa e gabimeve drejtshkrimore është mënyra më e shpejtë për të vërtetuar një dokument të falsifikuar. Sistemi nuk e riprodhon gabimet. Po ashtu, një pasazh me shkrim shumë të keq e ngatërron sistemin. Por nëse sistemi e pranon atë që është shkruar, në variantin që prodhon kompiuteri shkrimi duket shumë më i rregullt se në realitet”.

Programi është ende diçka e re dhe Dr. Haines thotë se ata që nuk dyshojnë se mund të ketë falsifikime në një dokument të caktuar, mund të mashtrohen nëse mes fletëve të dokumentit futet një faqe e realizuar me këtë program:

\"Mund të arrish të mashtrosh nëse fut një letër të realizuar me këtë program kompiuterik në një stivë me letra të tjera të shkruara me dorë. Pra nëse dikush nuk dyshon se mund të ketë dokumente të falsifikuara, mund të mos kontrollojë me kujdes dhe nuk e dallon një letër të tillë. Por nëse dikush do të ndryshojë diçka në një dokument testamenti me këtë program, për sa kohë që askush nuk ka arsye të dyshojë dhe nuk i kontrollon një për një faqet e dokumentit, mund të arrijë të mashtrojë”.

Zoti Haines i kërkon një kolegu të shkruajë një pasazh që ia dikton nga një libër. Programi kompiuterik kopjon shkrimin e personit, por duke e bërë më të rregullt dhe më të lexueshëm. Sipas studiuesve që punuan për këtë program, synimi është që të shmanget përdorimi i tij për qëllim falsifikimi të dokumentave.

Programi mund t’u shërbejë bankave për të shkruar adresën mbi zarfa që të duket si një letër e shkruar me dorë dhe të mos tërheqë vëmendjen si dokument zyrtar me informata personale që mund të duan t’i vjedhin falsifikuesit.

Edhe kompanitë që prodhojnë kartolina, apo mesazhe përshëndetjeje janë të interesuara dhe mund ta përdorin programin në të ardhmen.

Lind pyetja: me gjithë opsionet që ofron kompiuteri për ta prodhuar një tekst në një font të caktuar, përse vlen një program i tillë për përdoruesin e përditshëm?

\"Nëse thjesht do të shkruash një mesazh, mjafton të përdorësh një program me tekst normal; por diçka e shkruar me dorë ofron një element më personal, në një farë mënyre të thotë: “Këtë po ta dërgoj me shkrimin tim, pra i kam kushtuar pak më shumë mundim këtij mesazhi”. Pra diçka që të vjen me shkrim dore, sjell me vete një konteks më emocional, prandaj njerëzit ende marrin mundimin për të shkruar letra”.

Në botën tonë të automatizuar, ky program kompiuterik i quajtur “Teksti im, me shkrimin tënd” përpiqet të rikthejë një imazh të individualitetit në komunikim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)