28 Mars 2024

NASA me projekt për kolonizimin e Marsit

Florida, 4 qershor - Katër robotë të ndërtuar nga NASA mund të jenë pionierë në kolonizimin e Marsit, pjesë e një ekipi ndërtimi paraprak për të krijuar vendbanime për eksploruesit njerëzor.

Por së pari robotët prej dy milionë dollarësh po gjejnë strehë këtu në Tokë ku inxhinierët po përpiqen të perfeksionojnë aftësitë e tyre.

Njihuni me \"Valkyrie\", një robot humanoid i krijuar nga NASA. Hapat e parë po i ndërmerr pikërisht në Universitetin e Masaçusets. Pasi ndërtoi katër robotë të ndryshëm humanoid, agjencia e hapësirës mbajti një në vendin e krijimit, qendrën Johnson në Hjuston.

Tre të tjerët u janë dhënë hua universiteteve në Masaçusets dhe në Skoci në mënyrë që profesorët dhe studentët të mund të komunikojnë me humanoidët që janë gati 2 metra të gjatë dhe peshojnë 140 kilogram. Synimi, që ata të bëhen sa më shumë të pavarur.

Universiteti Northeastern dhe Universiteti Lowell i Masaçusets po bashkëpunojnë në një projekt dy-vjeçar për të përmirësuar këtë robot që e thërrasin shkurt \"Val\".

Holly Yanco, është profesore në universitetin Lowell që po punon me projektin:

\"Në kokën e saj mund të shihet kamera me dy lente. Një nga gjërat e para që bëmë me robotin ishte lidhja me një pajisje në mënyrë që dikush që e kontrollon nga larg atë, të mund të shoh përmes syve të saj” .

NASA e ndërtoi robotin Valkyrie disa vite më parë për të konkuruar në një garë robotike të organizuar nga ushtria amerikane për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit në raste katastrofash.

Tani, agjencia e hapësirës po kërkon ekspertizë nga jashtë për ta tjetërsuar atë në një lloj paisje mekanike të hapësirës.

Ata nuk janë ende si robotët hollivudian në filmin \"The Martian” që ndihmojnë për të mbijetuar në Mars. Por vrimat e vogla që nuk e lejojnë Val-in të mbinxehet mund të bllokohen nga pluhuri marsian.

\"Përveç faktit që është një nga katër të tillë në botë, Val është një humanoid plotësisht elektrik që NASA një ditë synon ta dërgojë në Mars për të ndërtuar vendbanime para se astronautët të shkojnë atje”, - thotë Yanco.

Do të duhen edhe dy dekada të tjera para se NASA të synojë të ul njerëz në Mars në mesin e viteve 2030. Në se jo, robotët Valkyries, do të jenë pasuesit e tyre që do të shërbejnë si android pararojë që mund të bëjnë të mundur jetën në Mars.

Nga pozicionet që kanë Toka dhe Marsi, këto misione pararojë do të kryhen çdo dy vjet, thotë Taskin Padir, profesor në Universitetin Northeastern.

\"Pra teknologjia robotike mund të ndihmojë në mbarëvajtjen dhe riparimin e paisjeve para arritjes së astronautëve. Kur ata të mbërrijnë, meqë robotët do të jenë të parët që do të kolonizojnë Marsin, ata do të punojnë krah për krah me astronautët për të kryer misione eksplorimi në Mars dhe më tej\", thotë profesori Padir.

Vonesat në kohë mes komunikimeve nga Toka në Mars do të thotë se njerëzit nuk do të jenë në gjendje të kontrollojnë nga larg robotët, që do të kërkohet të ndërtojnë struktura dhe të kryejnë riparime.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)