29 Mars 2024

Transferohet programi i teknologjisë informative nga ICITAP në MPB

Prishtinë, 24 prill - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt ceremonia e transferimit të  programit të teknologjisë informative të zhvilluar nga ICITAP-i, që do të përkrahë operimet e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion.

Ky program është transferuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në një ceremoni rasti, ministri Bajram Rexhepi falënderoi Qeverinë dhe popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Qeverinë e Kosovës dhe për qytetarët e saj.

“Është një kënaqësi që të transferohet një program që është zhvilluar nga ICITAP-i. Jemi shumë falënderues për ndihmën e tyre në ngritjen e kapaciteteve, në performancën e punës së përditshme që bën MPB në të mirë të qytetarëve”, tha ministri Rexhepi.

Ky sistem për menaxhim të informatave dhe rasteve i DSHAM-it, do të shërbejë për regjistrim, monitorim dhe kontroll të njerëzve që hyjnë në Kosovë, brenda mandatit të DSHAM-it, për monitorim dhe kontroll.

“Përmes këtij programi të gjitha të dhënat për hyrje-daljet e njerëzve dhe migracionin, do të koncentrohen në një vend, në mënyrë që të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit, t’i kenë informatat dhe statistikat për një kohë shumë të shkurtër”, tha ministri Rexhepi. 

Ndërsa ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha se i vjen mirë që është krijuar mundësia që të ndihmojë në komunikimin ndërmjet institucioneve për zbatimin e ligjit në Kosovë.

“Zbatimi i sundimit të ligjit është një prej prioriteteve kryesore të Ambasadës së  Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ambasadorja Jacobson.

Vlera e këtij sistemi që është mbështetje e ICITAP-it për MPB-në, është 314 mijë e 346  dollarë amerikan.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)