20 Prill 2024

MF merr sugjerime edhe nga AKB për pakon fiskale 2.0

Prishtinë, 23 janar - Në vazhdën e diskutimeve me komunitetin e biznesit për pakon fiskale 2.0 Ministria e Financave ka organizuar sot takim diskutimi me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit, ku u theksua se krijimi dhe promovimi i politikave më të favorshme fiskale është parakusht për zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në këtë takim morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri,  si dhe përfaqësues të kompanive që janë anëtarë brenda AKB-së.

Ministri i Financave Avdullah Hoti duke falënderuar përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit për bashkëpunimin e deritanishëm, e në veçanti në këtë proces të diskutimit të politikave të reja fiskale tha se “Qëllimi i këtij takimi është që ne të prezantojmë para juve disa masa të reja të Pakos Fiskale që i kemi aprovuar në Qeveri në dhjetorin e vitit që shkoi dhe të marrim nga ju sugjerimet shtesë për të plotësuar këto masa.

Sipas tij masat bazë që parashihet të përmbajë pako e re fiskale janë: Zgjerimi i listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë, për lirim nga tatimi doganor; Heqja e normës së akcizës në mazut; Ndryshim/plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës 0 përqind apo normës së reduktuar 8 përqind të TVSH-së; Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore; Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës; Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen (njihen) humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj; si dhe  Krijimi i kodeve të reja doganore për disa produkte, sipas praktikave të BE-së.

Ministri Avdullah Hoti  më tej shtoi se përveç këtyre shtatë masave që kanë kaluar në Qeveri në dhjetor të vitit që shkoi, ne kemi marrë edhe propozime të tjera nga diskutimet që kemi pasur deri më tani me përfaqësuesit tjerë të bizneseve.  Sipas tij, pas përfundimit të konsultimeve me gjithë komunitetin këto masa do të dërgohen në Qeveri për aprovim.

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini duke falënderuar ministrin Avdullah Hoti dhe institucionin që ai udhëheqë për bashkëpunimin e vazhdueshëm në diskutimin për përmirësimin e politikave fiskale në vend, theksoi se këto politika fiskale ashtu sikurse edhe ato të vitit të kaluar do të kenë efekt pozitiv tek bizneset dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Krijimi i politikave të reja fiskale ndihmon sektorin e prodhimit në Kosovë, zhvillimin e tij por edhe në uljen e informalitetit i cili është shumë i lartë në Kosovë. Po ashtu ndryshimi i politikave  fiskale përmes pakos 2.0  dhe konsultimet që po bëni ju si Ministri dëshmojnë edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë që prodhimi vendorë të jetë konkurrues edhe në tregun e jashtë” shtoi, kryetari i AKB-së Agim Shahini.

Ai me tej theksoi se “Kërkesat kryesore të AKB-së për përfshirjen në këtë listë të politikave të reja fiskale janë heqja e akcizës në pijet jo-alkoolike, si dhe funksionimi sa më shpejtë i Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave të tatimpaguesve. Për ne si AKB, është më se e domosdoshme riaktivizimi i një bordi të tillë, i cili do të ndihmonte edhe Administratën Tatimore, Doganë, si dhe  Ministrinë e Financave”.

Me këtë rast,  ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami bëri të ditur se  Qeveria e Republikës së Kosovës përmes këtyre politikave fiskale do t’u krijojë lehtësira dhe mundësi në zhvillimin e bizneseve, punësim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe zhvillim ekonomik në vend.

“Ne jemi duke punuar së bashku në këto masa lehtësuese për bizneset në Kosovë me qëllim që të kenë një tretman të barabartë në tregun e brendshëm dhe ate të jashtëm. Por, jo vetëm kaq ne do të jemi në vazhdimësi përkrah bizneseve edhe me masat tjera kundër informalitetit, i cili po dëmton bizneset e vendit tonë. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)