29 Mars 2024

Raporti i BB-së konfirmon progresin e Kosovës në të bërit biznes

Prishtinë, 26 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kanë shpalosur sot Raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, i publikuar një ditë më parë, i cili e rendit Kosovën në pozitën e 60-të në botë, duke konfirmuar progres të madh të Kosovës në krijimin e kushteve për të bërë biznes.

Kryeministri Mustafa tha se raporti përveç që dëshmon përmirësimin që çdo vit po bëhet në përmirësimin e ambientit të biznesit, po ashtu tregon se ka një ndërlidhshmëri dhe bashkëpunim shumë më të ngushtë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat krijojnë kushte që bizneset të veprojnë në mënyrë më të suksesshme, të rritet efikasiteti dhe efiçienca e institucioneve karshi ofrimit të shërbimeve për biznese dhe po ashtu të rritet siguria e të bërit biznes në Kosovë.

“Është objektiv i yni themelor që ne të arrijmë progres në zhvillimin ekonomik, sepse realizojmë atë që është qëllimi kryesor i kësaj Qeverie edhe në rritjen ekonomike, në rritjen e numrit të  punësuarve, në zvogëlimin e varfërisë, por edhe në krijimin e stabilitetit makroekonomik dhe stabilitetit buxhetor. Mendoj se edhe ky progres i cili po arrihet gjithmonë në ngritjen e shkallës sonë tek të bërit biznes është një tregues shumë i rëndësishëm se po punohet në mënyrë më serioze dhe se ka një përkushtim të madh të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami,  tha se raporti i Bankës Botërore, që e rendit Kosovën në vendin e 60-të në botë për të bërit biznes konfirmon progresin e madh të arritur në përmirësimin e ambientit të biznesit në Kosovë.

“Banka Botërore i ka ndarë 190 vendet që marrin pjesë në këtë raport në tri kategori: në vendet të cilat kanë një ambient të mirë të biznesit, ku bënë pjesë në fakt edhe Kosova, në vend të cilat kanë vend relativisht të mirë dhe vendet të cilat nuk kanë ambient të mirë për të bërë biznes. Siç e dini, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë shumë seriozisht përmirësimin e ambientit të biznesit”, tha ministrja.

Duke folur për hapat e ndërmarrë nga Qeveria, ministrja Bajrami, tha se në dhjetor të vitit të kaluar me mbështetjen e kryeministrit në Mbledhje të Qeverisë dhe me inicimin në Këshillin Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik është themeluar Task Forca për përmirësimin e ambientit të biznesit.

“Janë caktuar ministritë të cilat janë kompetente për përmirësimin e indikatorëve të ndryshëm të ambientit të biznesit e që janë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Drejtësisë. Të gjitha këto ministri kanë drejtpërdrejt kompetenca për përmirësimin e ambientit të biznesit. Tanimë, siç po e shihni edhe nga tabela janë disa indikatorë në të cilat ne kemi pasur përmirësime, në ato në të cilat nuk kemi pasur përmirësime dhe mund të shihet që është një regres.\"

\"Në fakt ai nuk është regres, por është thjesht një lloj stagnimi ku me përmirësimin e vendeve tjera mandej në Raport paraqitet si regres. Ka përmirësime në disa indikatorë, por ne po përmendim tre, të cilat janë më kryesorët: është fillimi i biznesit, në fakt ky indikator mat lehtësinë e regjistrimit të fillimit të një biznesi. Kosova këtu rangohet nga pozita e 27-të në vitin e kaluar në pozitën e 13-të, duke u bërë kështu vendi i dytë në rajon pas Maqedonisë për fillimin e një biznesi.\"

\"Ne këtë e kemi arritur duke eliminuar disa procedura, afatet kohore dhe duke eliminuar komplet disa taksa të cilat janë implementuar më herët për regjistrimin e një biznesi. Gjithashtu, është bërë edhe eliminimi i kontrolleve nga Administrata Tatimore e Kosovës në rastin e fillimit të një biznesi. Indikator tjetër në të cilin kemi pasur sukses është pagesa e tatimeve.\"

\"Ky indikator mat lehtësinë e pagesës së tatimeve dhe deklarimin tatimor. Edhe këtu është bërë një përmirësim, nga vendi i 77-të jemi radhit këtë vit në vendin e 43-të dhe kjo është bërë kryesisht me përmirësimin e proceseve, eliminimin e burokracisë dhe shkurtimin e procedurave që ka ndërmarrë Administrata Tatimore e Kosovës dhe gjithashtu Ministria e Financave përmes deklarimit online të tatimeve. Indikatorë tjetër në të cilin ne kemi pas progres është tregtia përtej kufijve ku jemi rendit nga pozita e 59-të vitin e kaluar në pozitën e 51-të. Kjo është arrit përmes funksionalizmit të tërësishëm të sistemit ASYCUDA dhe procedurave tjera, lehtësimin të procedurave për eksport dhe import që e ka bërë Dogana e Kosovës”, tha ministrja e MTI-së.

Më tej, ministrja Bajrami, theksoi përkushtimin e Qeverisë që përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të vazhdojmë me ciklin e dytë të reformave.

“Gjatë këtij procesi kemi pas ndihmë shumë të madhe nga Projekti i Partneritetit për Zhvillim i USAID-it dhe falënderojmë USAID-in dhe Ambasadën Amerikane dhe gjithashtu kemi pas një bashkëpunim shumë të ngushtë me Bankën Botërore. Cikli i dytë i reformave do të filloj në nëntor. Ne do të jemi shumë aktiv dhe ju bëjmë thirrje edhe bizneseve, sepse një përmirësim i ambientit të biznesit mund të arrihet vetëm me partneritet të plotë në mes të sektorit publik dhe privat në këtë e kemi mundësuar në platformën më të lartë kombëtare siç është Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik por edhe me kontakte direkt që i kemi, qoftë me bizneset drejtpërdrejt qoftë me Asociacionet e Biznesit”, tha ministrja Hykmete Bajrami.

Ndërkaq, lidhur me konkurrueshmërinë e bizneseve kosovare në vendet e BE-së, kryeministri Mustafa, foli për punën e përbashkët me Bashkimin Evropian në reformën ekonomike, veçanërisht në rritjen e konkurrueshmërisë.

“Ne do të punojmë tani që t’i aftësojmë bizneset tona, që ato të jenë konkurrente në tregun e Bashkimit Evropian, sepse nuk mjafton që ne vetëm të kemi të drejtë asimetrike nga MSA-ja për të cilën foli ministrja Bajrami, por të arrijmë që pastaj bizneset tona të jenë konkurrente në këtë treg, përfshirë pastaj edhe komponentën e punësimit si pjesë të reformës, komponentën e arsimit dhe të forcimit të shtetit ligjor”, theksoi kryeministri Mustafa.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)