23 Prill 2024

Qeveria mbetet mbrapa me nxitjen e patriotizmit ekonomik

Prishtinë, 28 shtator - Prodhuesit vendor vazhdojnë të kenë ankesa në angazhimin institucional sa i përket promovimit të prodhimeve vendore. Njohës të ekonomisë dhe konsumit thonë se qeveria është treguar e pavullnet në nxitjen e patriotizmit ekonomik.

Megjithëkëtë disa nga këta prodhues kanë shënuar rritje të vazhdueshme në afarizmin e tyre.

Një nga këta prodhues është edhe Birra Peja, konsumi i së cilës vërehet se ka shënuar rritje krahasim me vitet e kaluara.

Ernest Jusufi, drejtor menaxhues i kësaj kompanie tha se kjo rritje vjen vetëm si pasojë e investimeve teknologjike.

“Ne besojmë se kjo rritje vjen si rrjedhojë e investimeve në teknologji të reja, që si rezultat ka dhënë produkt të standardizuar dhe me kualitet më të lartë”, tha Jusufi.

Sa i përket vetëdijësimit të qytetarëve për të konsumuar prodhime vendore, Jusufi  tha se ende nuk është në nivelin e duhur. Për këtë ai fajësoi institucionet e vendit, të cilat sipas tij nuk pa angazhohen sa duhet në promovimin e prodhimeve vendore.

“Përpos iniciativave nga prodhuesit vendorë për të sensibilizuar opinion se produktet tona janë kualitative, e të cilat bëhen me forca vetanake, mendojmë që në këtë drejtim Qeveria duhet të gjejë mekanizma që të ndihmojë prodhuesin me kushte më të favorshme në mënyre që së paku të jetë konkuruese me çmim”, tha ai.

Sipas Jusufit, me fushata e projekte afatgjate qeveria mund të ndihmojë që konsumatori të zgjedh produktet kosovare kundrejt atyre të importuara.

Drejtori menaxhues i Birrës Peja tha se krijimi i një Brendi Kosovar është punë e vështirë.

“Në përgjithësi kosovarët janë mosbesues ndaj produkteve vendore, për shkak se edhe në sistemin e kaluar shume pak ka pasur brende kosovare dhe se në botëkuptimin e konsumatorit tonë brend të mirë kanë prodhuar vetëm ish republikat e RSFJ-së”, shtoi Jusufi.

Ai mendon se në këtë drejtim qeveria mund të bëj më shumë përmes fushatave vetëdijësuese që të ndryshojë këtë bindje tek konsumatorët.

Edhe, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini,  tha se konsumi i prodhimeve vendore mbetet i ulët.

“Për këtë janë fajtor kryekëput institucionet pasi që krijojnë politika që nuk janë konkurruese për prodhuesin vendor, dhe kësisoj qytetari është i detyruar ta preferoj produktin që importohet “, tha Shahini.

I një mendimi të ngjashëm është edhe kryetari i shoqatës Konsumatori, Selatin Kaqaniku.

“Me këtë vullnet të papërgjegjshmërisë së institucioneve tona karshi prodhuesve vendorë, nuk mund ta rrisim as konsumin e as shitjen e prodhimeve vendore, e aq më pak patriotizmin ekonomik”, tha Kaqaniku.

Në Kosovë ka pasur disa fushata me qëllim vetëdijësimin e konsumatorit për konsumimin e produkteve vendore. Shumica e këtyra fushatave kanë qenë të inicuara nga organizata joqeveritare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)