19 Prill 2024

Qeveria është e angazhuar në luftën kundër pastrimit të parave

Prishtinë, 31 gusht -  Ministria e Financave ka mbajtur sot tryezën me palët e interesit  për prezantimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, në të cilën morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Lulzim Ismajli, këshilltari për Çështje të Sigurisë në Zyrën e Kryeministrit Edon Myftari, drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare  Dardan Nuhiu, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte që të diskutohen me palët e interesit ndryshimet ligjore dhe modalitetet e zbatimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ligj i cili ka hyrë në fuqi me datë 15 qershor 2016 dhe i cili është i rëndësisë së veçantë për luftimin e pastrimit të parave, veprave të ndërlidhura penale dhe financimin e terrorizmit, si dhe funksionimin e rregullt të masave parandaluese nga subjektet raportuese siç janë të përcaktuara me këtë ligj të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në luftimin e këtyre dukurive. 

Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për implementimin e standardeve ndërkombëtare në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.  Andaj, për këtë arsye, ne kemi bërë ndryshimet ligjore me qëllim që të jeni në hap me vendet e tjera në luftën kundër këtyre fenomeneve. 

“Për atë që më përket mua si Kryetar i Bordit të NJIF-K, unë do të vazhdojë të përkrah punën e Njësisë për Inteligjencë Financiare dhe së bashku me anëtarët e tjerë të bordit do të punojmë pa rezervë në përcaktimin dhe orientimin e politikave shtetërore sa i përket pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit bazuar në rreziqet e identifikuara, si dhe për ngritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional” tha Ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit përcakton masat, autoritetet kompetente dhe procedurat për zbulimin, parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe po ashtu përcakton dispozitat të cilat janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe njësitë përkatëse të tyre si dhe për të gjithë subjektet jo publike që i nënshtrohen aktiviteteve që mund të ndërlidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

“Për shkak të rëndësisë që ky ligj të aprovohet brenda një periudhe të caktuar kohore me qëllim që të reflektojnë kërkesat e domosdoshme për të siguruar që NJIF-K t’i bashkohet grupit ndërkombëtar “Egmont Grup” të Njësive të Inteligjencës Financiare në të cilin NJIF-K ka aplikuar për anëtarësim ne kemi qenë të zotuar që këtë ligj ta procedojmë sa më parë dhe kemi bërë përpjekje maksimale që të adresojmë të gjitha çështjet me interes dhe nevojat për ndryshime që ka pasur për këtë ligj. Vlen të theksohet se të gjitha institucionet për zbatimin e këtij ligji kanë qenë të përfshira gjatë hartimit të tij si dhe gjithashtu edhe subjektet private që kanë obligime për zbatim të këtij ligj kanë qenë të përfshira në konsultime publike”, shtoi ministri i Financave Avdullah Hoti.

Sipas tij, me anë të këtij Ligji është bërë sistematizimi i dispozitave ligjore në fuqi, harmonizimi i mëtejmë i legjislacionit me standardet ndërkombëtare dhe evropiane si dhe evitimi i pengesave në zbatimin e legjislacionit me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në fushën e parandalimit dhe luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit i cili është edhe prioritet i Qeverisë.

“Tani, suksesi në zbatimin e këtij ligji varet nga përkushtimi dhe bashkëpunimi i të gjitha institucioneve të cilat janë të mandatuara për luftimin e këtyre dukurive si dhe subjektet raportuese të cilat gjithashtu kanë obligime për zbatimin e këtij ligji.  Siç e dini, pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit janë fenomen global dhe nuk njohin kufij kombëtarë, pasi tregjet financiare në ditët e sotme janë të ndërlidhura edhe mundësitë dhe metodat e organizatave kriminale për legalizimin e pasurisë së paligjshme janë të mundshme, andaj e gjithë kjo kërkon reagim dhe veprim të përbashkët si në nivel kombëtar ashtu dhe atë  ndërkombëtarë”, tha ministri Avdullah Hoti në fund të kësaj tryeze.

Në emër të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Lulzim Ismajl, e përgëzoj Ministrinë e Financave dhe Njësinë e Inteligjencës Financiare për organizimin e kësaj tryezë, tha se Banka Qendrore e në kuadër të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, ka dhënë dhe do të jep kontribut të vazhdueshëm, në luftimin e ekonomisë joformale, me theks të veçantë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.

“Ne kemi qenë pjesë aktive në hartimin dhe zbatimin e disa Strategjive nacionale , në drejtim të luftimit të ekonomisë joformale, si Strategjia kombëtare  për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit dhe krimeve financiare, Strategjia kundër krimit të organizuar, Strategjia kombëtare kundër-terrorizimit. Si institucion do të vazhdojmë të jemi pjesë aktive në secilën fazë të hartimit të Strategjive dhe bazës ligjore me qëllim të fuqizimit të luftës kundrejt pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit në nivel kombëtar.  Banka Qendrore e Kosovës ka ofruar kontributin institucional në procesin  e hartimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, në mënyrë që të mbrojmë në treg financiar qëndro ne kemi ofruar imputin që ky ligj të jetë në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet ndërkombëtare”, shtoi Zëvendësguvernatori Lulzim Ismajli.

Ndërsa, këshilltari për Çështje të Sigurisë në Zyrën e Kryeministrit Edon Myftari bëri të ditur se “Kosova sikurse gjithë shtetet tjera ka qenë e prekur dhe vazhdojnë të jetë e prekur nga fenomeni i terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Institucionet e Kosovës, Qeveria gjegjësisht Kuvendi, vitin e kaluar jemi në dijeni që kanë miratuar Ligjin që ndalon pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në luftërat e huaja. Po ashtu, Zyra e kryeministrit udhëheqë dhe koordinon Strategjinë nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmin që shpije në terrorizëm. Një nga segmentet të kësaj Strategjie gjithëpërfshirëse, ku të gjitha institucionet qoftë ato shtetërore qoftë ato të sigurisë dhe jo të sigurisë janë të përfshira në zbatim, një element kyç është fondet apo financimi i dyshimtë dhe si mund të bëhet vetëdijesimi apo parandalimi që do të ndikonte apo do të shtynte në veprat penale, siç janë terrorizimi apo ekstremizmi i dhunshëm”, shtoi z.Myftari.

Ai gjithashtu tha se ““Ligji në fjalë po ashtu harmonizon përpjekjet e Kosovës, të Institucioneve tona në raport me institucionet ndërkombëtare dhe është një nga kriteret të paraqitura në MSA dhe në harmonizimin e politikave tona qoftë ato ligjore qoftë ato strategjike, vizavi bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe në fushën e terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare  Dardan Nuhiu tha se “ Është vlerësuar si qenësore që të kemi bazën e duhur ligjore dhe të sigurohemi, sikurse sektori publik ashtu edhe sektori privat kanë mjetet  dhe ndërmarrin masa të duhura në mënyrë që të parandalojmë  dhe luftojmë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit. Ligji i ri ofron një bazë të qëndrueshme ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizimit në harmoni me standardet ndërkombëtare të FATF-së dhe direktivën e re të BE-së dhe Parlamentit Evropian për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar, qëllime të  pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit. Andaj, ky ligj do ti shërbej edhe objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në integrimet evropiane”.

“Sistematizimi i dispozitave ligjore ka eliminuar dhe limituar pengesat në zbatimin e legjislacionit dhe ka qartësuar detyrat dhe kompetencat  e NJIFK-së, si Institucion përgjegjës për parandalimin e këtyre dukurive, si dhe kompetencat e Bordit që të kryej funksionin e mekanizimit  përgjegjës, koordinues për përcaktimin dhe orientimin e politikave shtetërore të parandalimit të pastrimit të parave të bazuar në  rreziqet e identifikuara si dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në pajtim me qëllimet e këtij Ligji” shtoi drejtori Nuhiu.

Ndërsa, drejtori i i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, bëri të ditur se Administratës Tatimore të Kosovës është një prej institucioneve kyç që ka përgjegjësi ligjore në bashkëpunim ndërinstitucional të kontribuoj në zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Roli kyç i ATK-së  është në ofrimin e informata, ne ofrimin e kompetencës profesionale për analizat e informatave financiare nga NJIFK dhe trajtimin e këtyre informatave dhe raporteve për qëllimet e vlerësimeve tatimore që është institucion i specializuar për këtë çështje .

Në fund të kësaj tryeze përfaqësuesja e Departamentit Ligjore në Njësinë e Inteligjencës Financiare të Kosovës, Flutura Blakçori – Xërxa, prezantoi para të pranishmëve në mënyrë të detajuar ndryshimet ligjore të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)