28 Mars 2024

Qeveria aprovon projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Buxhetin

Prishtinë, 1 korrik - Kabineti qeveritar, në mbledhjen e 99-të me radhë të Qeverisë të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka aprovuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-071 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.

Me këtë rast, ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se ky draft buxhet është diskutuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është i dakorduar plotësisht me ta. “Falë konstruktivitetit të treguar nga organizatat buxhetore, ne sot diskutojmë në Qeveri një buxhet që siguron financim të qëndrueshëm, si hap primar për një stabilitet të qëndrueshëm fiskal”, tha ministri Hoti.

Në këtë mbledhje është miratuar vendimi për themelimin e Komisionit për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.

Qeveria i ka dhënë mbështetje edhe vendimit për Rekomandimin e Presidentit të Republikës së Kosovës për Autorizimin e Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes për Protokollin Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës.

Kjo ka për qëllim financimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë dhe bëhet fjalë për protokoll financiar që parasheh një ndihmë prej 66 milionë euro nga Qeveria Franceze me kushte shumë të volitshme.

Mbështetje i është dhënë edhe nismës për lidhjen e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Programi Fulbright i Shkëmbimit Akademik.

Ky program financon bursa studimore për studentë nga Kosova në SHBA dhe ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit mes institucioneve arsimore, shkencore dhe kërkimore në të dyja shtetet, të inkurajojë përmirësimin e kualifikimeve të profesionistëve akademikë, studiuesve, mësimdhënësve dhe studentëve, si dhe të promovojë projekte kërkimore të përbashkëta.

Për këtë qëllim, është miratuar edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, për Programin Fulbright të Shkëmbimit Akademik.

Gjatë mbledhjes së sotme është votuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Punëve të Brendshme për Implementimin e Vulës Apostile. Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 9 qershor të këtij viti të Ligjit 05/L-093 për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizimin e dokumenteve të huaja, Republika e Kosovës parashihet të filloj implementimin e saj nga data 14 korrik 2016.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)