29 Mars 2024

Mustafa: Zhvillimi ekonomik i Kosovës i bazuar në dije

Prishtinë, 27 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në konferencën lansuese të “Strategjisë së Kosovës për Teknologji Informative”.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa vlerësoi punën e madhe që është bërë në këtë strategji.

Duke folur për faktin se si interneti po ndryshon formën e të bërit biznes, kryeministri tha se potencialet e ekonomisë digjitale nuk janë shfrytëzuar sa duhet në Kosovë.

“Këto potenciale mund të kontribuojnë pa masë në rritjen ekonomike dhe sidomos në fushën e punësimit. Janë instrumente të jashtëzakonshme për rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe rrjedhimisht në të ardhmen nuk mund të paramendohet relacioni konkurrues, relacioni i inovacioneve, standardizimi, shkathtësitë punuese, pa ekonomi digjitale”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se Qeveria e Kosovës, është e përkushtuar të krijojë të gjitha mundësitë që të aplikohet revolucioni digjital, duke inkurajuar transformimin digjital të bizneseve ekzistuese dhe përkrahjen e më shumë bizneseve digjitale në vend.

“Ne po ndërtojmë një ekonomi të re. Kemi një koncept të ri të zhvillimit ekonomik të bazuar në dije dhe karshi kësaj, aplikimi i teknologjisë informative do të jetë pjesë qenësore e kësaj strategjie dhe e këtij orientimi tonë të zhvillimit ekonomik”, tha kryeministri Mustafa, duke falënderuar partnerët gjermanë dhe norvegjezë për mbështetjen e këtij projekti.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se përgatitja e kësaj strategjie i hap rrugë jo vetëm zhvillimit të sektorit të komunikimeve elektronike, por vë baza të forta dhe solide për një ekonomi të bazuar në dije, për një ekonomi që hapëron drejt asaj që sot është trend botëror, ekonomisë digjitale.

“Kjo strategji mbështetet në 9 shtylla dhe orientimi kryesor është që ne ta zhvillojmë tregun e brendshëm, po ashtu tregun e jashtëm sidomos për kompani të cilat eksportojnë, por edhe fushën e inovacionit dhe të kërkimeve dhe hulumtimeve të aplikueshme në këtë fushë”, tha ministri Stavileci.

Ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për këtë Strategji.

“Kjo është një e arritur e madhe. Ky është një shembull se si Qeveria e Kosovës ka punuar së bashku me sektorin e IT-ve, i ka dëgjuar ata, dhe ka pranuar Strategjinë Nacionale për Teknologjinë Informative”, tha ambasadori.

Ambasadori më tutje, u shpreh se kjo është pjesë integruese e programit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, duke iu referuar faktit se Kosova është shtet evropian, ka ekonomi evropiane, e integruar çdo ditë e më shumë në ekonominë veriatlantike.


“STIKK është shembull shumë i mirë, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por për Evropën Juglindore. Ky ka qenë partneritet i mirë mes Qeverisë së Kosovës dhe IT-ve”, tha ambasadori Braathu.

Përfaqësuesja e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Henriette Kotter, tha se e kanë mbështetur këtë projekt duke besuar se sektori i IT-ve në Kosovë ka një potencial të madh të zgjerimit, mund të kontribuoj në rritjen e konkurrencës së Kosovës në tregun ndërkombëtar, për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ka shumë përparësi Kosova në këtë sektor, që nuk mund të gjenden në vende tjera, si burime njerëzore shumë të motivuara, infrastrukturë të mirë të IT-së dhe një organizatë mirë të organizuar dhe të aftë, STIKK, dhe në veçanti edhe shkathtësia e gjuhëve të huaja, që është me rëndësi të veçantë për tregun e gjuhës gjermane”, tha Kotter.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)