19 Prill 2024

Mustafa: Prioritet kryesor i Qeverisë krijimi i vendeve të reja të punës

Viti, 27 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në  Komunën e Vitisë vizitoi Fabrikën e Stiroporit “Daka Term” në Pozheran,  Fabrikën për Protektimin e Gomave, “Euro Fisi” si dhe Fabrikën për prodhimin e materialeve elektrike “ElektroStublla”.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Mustafa shoqërohej nga ministrat Hykmete Bajrami, Ferid Agani dhe Arban Abrashi si dhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti. 

Kryeministri Mustafa, pas bisedave me drejtuesit dhe punëtorët e këtyre kompanive tha se Qeveria e Kosovës e vazhdojë t’i përkrah firmat private, duke iu referuar kërkesave të bizneseve dhe ambientit ekonomik që po iu ofrohet.

“Informatat janë se masat e politikave fiskale të cilat janë ndërmarrë, iu kanë ndihmuar, në këtë rast heqja e TVSH-së tek importi, që paguhet paraprakisht. Do të bëjmë përpjekje që edhe më tej t’i koordinojmë politikat fiskale dhe ekonomike, sepse jemi të interesuar që të shtohet numri i punëtorëve”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se këtu shihet që puna po ecën mjaft mirë, tregu i brendshëm ka kërkesë të mjaftueshme, ka mundësi për eksport jashtë vendit.

“Dhe ne jemi të interesuar që sa më shumë të eksportojmë, prandaj jemi këtu për t’i përkrahur dhe t’i inkurajojmë bizneset, por, po ashtu të marrim të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Mua më gëzon fakti se kemi shënuar rezultate të mira vitin e kaluar në tërë ekonominë, edhe në normën e rritjes vjetore, sepse tani ajo po sillet ndërmjet 3.6 dhe 4 për qind”, tha kryeministri Mustafa.

Duke iu referuar të dhënave të statistikave të cilat tregojnë se rritja mund të arrijë në 4 për qind, kryeministri Mustafa tha se ky është një rezultat i mirë kur dihen kushtet në të cilat është punuar.

“Kemi informata se edhe këtë vit trendet janë shumë të mira dhe dëshirojmë që t’i përkrahim maksimalisht bizneset, që të marrim të gjitha propozimet e tyre, t’i shqyrtojmë në Qeveri dhe të krijojmë vende të reja të punës”, tha kryeministri Mustafa, pas vizitës në Fabrikën “Daka Term”.

Ndërkaq, pas vizitës në Fabrikën e Protektimit të Gomave “Euro Fisi”, ku u bë edhe përurimi i repartit të rrjetave fasaduese, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë hapjen e një linje të re prodhimit për materiale të cilat deri më tani janë importuar.

“Është një zëvendësim i produkteve që ne kemi importuar. Kemi kërkesë që edhe këto lëndë të cilat importohen, të cilat shfrytëzohen për prodhimin e këtyre rrjetave, të lirohen nga dogana dhe TVSH ashtu siç është liruar materiali për prodhimin e stiroporit dhe siç i kemi liruar nga dogana makineritë që është një përparësi shumë e madhe për prodhim.\"

\"Ne tani do të përcjellim këtë në Ministrinë e Financave në mënyrë që në Qeveri, gjatë ndryshimeve të cilat do t’i bëjmë në TVSH, ta përfshijmë edhe lirimin e këtyre lëndëve të para sepse me këtë ne arrijmë që t’i plotësojmë nevojat e brendshme por edhe të eksportohen këto produkte, sipas informatave, në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri dhe në vendet e tjera që ne kemi shumë interesim”, tha kryeministri Mustafa.

Pas vizitës në Fabrikën për prodhimit të materialeve elektrike “ElektroStublla”, kryeministri Mustafa veçoi faktin se kjo kompani është konkurrente në tregun e brendshëm dhe në tregun e jashtëm.

“Por, kanë nevojë që të përmirësohen politikat fiskale, edhe në aspektin e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, sepse edhe këtu shihet që akoma kemi dallime sa i përket importit të lëndës së parë nga vendet e ndryshme, prej të cilave një pjesë lirohet nga doganat dhe një pjesë është akoma e parregulluar dhe ne duhet të bëjmë përpjekje që të gjitha këto të zgjidhen. Më vjen mirë që pata rastin që edhe vetë të shoh që njerëzit po punojnë për të krijuar kushte të barabarta për të gjitha bizneset”, tha kryeministri Mustafa.

Pronarët e tri kompanive në fjalë kanë falënderuar kryeministrin Mustafa për vizitën si dhe përkrahjen e ofruar nga Qeveria në përmirësimin e kushteve për biznes dhe lehtësirat fiskale që janë bërë deri më tani.

Ata, po ashtu, ka shfaqur kërkesat e tyre të cilat kanë hasur në mirëkuptimin e kryeministrit dhe ministrave prezentë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)