27 Prill 2024

Përurohet Fabrika e Ujit në Vushtrri

Vushtrri, 27 maj - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot mori pjesë në përurimin e Fabrikës së Ujit në fshatin Ashlan të Vushtrrisë.

Duke përgëzuar donatorët dhe autoritetet komunale për punën e bërë në zgjidhjen e problemit të ujit në këtë pjesë të komunës së Vushtrrisë, Veseli theksoi se shumë investime që po bëhen në vend tregojnë qartë se gjërat në sektorin e ekonomisë janë duke lëvizur në drejtimin e duhur pozitiv, por se vendi ka nevojë për një dinamikë shumë më të shpejtë të zhvillimit ekonomik.

“Kosova është vend i mundësive ekonomike, është vend ku mund të investohet, mund të krijohen vende pune, mund të prodhohet dhe fitohet me mund e punë të ndershme”, theksoi kryetari i Kuvendit.

 Më tutje, kryetari Veseli shtoi se “ përditë, ballafaqohemi me realitetin e varfërisë dhe papunësisë, me realitetin e një force të madhe punëtore që nuk ka treg të punës dhe kjo është sfida jonë më e madhe, nga e cila varen të gjitha proceset tjera”.

“Kjo sfidë nuk mund të kapërcehet duke rritur burokracinë shtetërore. Nuk mund të kapërcehet duke fryrë sektorin publik joprodhues dhe duke rritur taksat mbi bizneset. Nuk mund të kapërcehet duke e bërë shtetin punëdhënësin kryesor. Problemet e papunësisë zgjidhen vetëm nga rritja ekonomike, e cila vjen nga prodhimi në sektori privat, nga iniciativa e lirë e njerëzve që duan punën dhe mirëqenien që del prej saj, prandaj duhet t’i përkrahim në çdo aspekt njerëzit e punës. Ne duhet të eliminojmë pengesat që izolojnë ekonomikisht vendin në mënyrë që sipërmarrësit tanë të mund të hyjnë në tregjet ndërkombëtare. MSA-ja dhe liberalizimi i vizave janë një mundësi e mirë në këtë drejtim”, theksoi në vazhdim kryeparlamentari Veseli.

Duke folur për angazhimin e institucioneve kryetari Veseli potencoi se “ne në institucionet e shtetit, Qeveria dhe Parlamenti, nuk mund të lejojmë të humbim kohë me agjenda të kota të interesave të ngushta, me agjenda shterpe dhe vetshkatërruese.

“Unë përditë takoj e bashkëbisedoj me qytetarë nga të gjithë anët e vendit. Të gjithë pa përjashtim kanë vetëm një shqetësim: ekonominë. Njerëzit e këtij vendi janë sakrifikuar për liri e pavarësi, për shtet, por sot duhet ta kemi të qartë se as liria  as pavarësia nuk funksionojnë nëse nuk kemi zhvillim ekonomik. Sot vetëm zhvillimi ekonomik i jep kuptim lirisë. T’u kthehemi pra qytetarëve, të merremi me brengat reale të tyre dhe familjeve të tyre. T’u ndihmojmë bizneseve që duan të zhvillohen. T’u krijojmë lehtësira atyre që kanë projekte dhe ide të mira ekonomike. Jo vetëm si pozitë, por edhe opozitë, të gjithë pa përjashtim. Kosova është e të gjithëve dhe të gjithë kemi obligime ndaj lirisë dhe zhvillimit të saj”, tha ndër të tjera në fjalën e tij kryetari i Kuvendit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)