29 Mars 2024

Shqipëria duhet të ketë një rritje ekonomike mbi 4.5 përqind

Tiranë, 25 maj - Në Shqipëri përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare thanë sot se vendi duhet të bëjë më shumë për të krijuar një klimë sa më tërheqëse për investimet e huaja dhe për të nxitur zhvillimin e ekonomisë.

Drejtoresha e Bankës Botërore Tahseen Sayed deklaroi se Shqipëria duhet të ketë një rritje mesatare mbi 4.5 përqind që të përshpejtojë arritjen e standartee të vendeve të Bashkimit europian. Një element kyç për të ardhmen e investimeve të huaja u konsiderua realizimi i reformës në Drejtësi.

Zhvillimet ekonomike dhe cështja e investimeve të huaja ishin në qendër të një takim që bashkoi sot përfaqësuesit e qeverisë, të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të botës së sipërmarrjeve të huaja që veprojnë në Shqipëri.

Ndërsa nga njëra anë u vlerësuan reformat dhe ndërhyrjet e realizuara, nga ana tjetër u theksua se vendi ka një rrugë të gjatë përpara.

Për Drejtoreshën e Bankës Botërore Tahseen Sayed Shqipërisë i duhet një rritje mesatare ekonomike prej mbi 4,5 përqind dhe kjo sipas saj kërkon një zhvendosje strukturore drejt rritjes së produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.

Autoritetet deklarojnë se një ndër shtyllat e rritjes ekonomike do të jetë eksporti, i cili përfaqëson 33 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, një nivel jo i duhur për të mbështetur një rritje të shpejtë, ndërkohë që sipas drejtoreshës së Bankës Botërore eksportet shqiptare janë të përqëndruara vetëm në disa produkte, gjë që rrit shkallën e cënueshmërisë së tyre. Lidhur me investimet e huaja ajo tha se duhet të ketë një rregjim transparent politikash që të jetë dhe i parashikueshëm.

Edhe përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Jens Reinke theksoi se “komuniteti ndërkombëtar ka ende një vlerësim të dobët për Shqipërinë si destinacion investimesh”.

Sipas tij “niveli i investimeve është ende i ulët dhe to janë në një drejtim, të përqëndruara në sektorin e energjisë, apo te gazsjellësi TAP. Ka nevojë për më shumë investime të huaja dhe në industrinë e shërbimeve”.

Ai u tregua ndërkohë kritik lidhur me sistemin fiskal. “Shqipëria nuk po ecën mirë në sistemin e të ardhurave. Ajo që dua të them është se ky sistem është jo funksional. Sistemi i taksave duhet të jetë i parashikueshëm, i drejtëpërdrejtë dhe autoritetet tatimore duhet të gëzojnë besim. Administrata duhet të përmirësojë punën përsa i përket llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit”.

Por të gjithë bien dakort megjithatë për rëndësinë që ka realizimi i reformës në Drejtësi për të ofruar garancitë e nevojshme për sipërmarrjet e huaja.

Këtë e theksoi dhe kryeministri Edi Rama: “Padyshim që reforma në drejtësi është themelore për ti dhënë gjithë këtyre reformave të tjera qëndrueshmëri. Unë kam patur me disa kontakte me disa kompani, që janë dhe këtu në sallë që kanë hasur në arbitraritete të paimagjinueshme në gjykatë, por besoj shumë që duhet të ndajmë bashkërisht një bindje. Shqipëria nuk mund të bëhet vendi që duam nëse informaliteti, privilegjet dhe shpejtësitë e ndryshme të siguruara përmes korsive preferenciale nuk do të luftohen përditë dhe kudo, qoftë një biznes i brendshëm, qoftë një biznes i huaj”.

Zoti Rama solli shembullin e konfliktit me kompaninë kanadeze të naftës Bankers Petroleum e cila sipas tij nuk paguante taksat dhe se arbitrazhi i dha të drejtë qeverisë.

Ai hodhi poshtë ndërkohë zërat se investitorët e huaj po lënë Shipërinë: “Çfarë janë këta që çohen dhe thonë: Po ikin investitorët? Kush investitor po ikën? E kam dëgjuar nga përfaqësues të dhomave te huaja të tregtisë. Kush janë investitorët që po ikin?! Më thoni një investitor që po ikën nga Shqipëria? Bankersi nuk po ikën nga Shqipëria. Bankersi po shitet domethënë që po fiton, ata që e kanë po fitojnë. Bankers do vazhdojë të qëndrojë aty, do vazhdojë të punojë aty, do ketë gjithë mbështetjen tonë. Po ashtu dhe aeroporti i Rinasit. Po e shesin dhe shumë më tepër seç e morën. Mos duhet ti ndalojmë edhe gjermanët dhe amerikanët të shesin se duhet të rrinë këtu?! Kanë ardhur të fitojnë, kanë bërë fitimet e tyre, po shesin dhe po vijnë të tjerët”.

Ndaj kritikave të shpeshta për situatën ekonomike të vendit, kryeministri Rama ngriti disa herë zërin, duke kërkuar që të mos harrohet sipas tij gjendja në të cilën ndodhej vendi kur qeveria e tij nisi punën 32 muaj më parë, apo reformat e ndërmarra që nga ajo për energjinë elektrike, të reforma e pensioneve, e ndarjes territoriale apo dhe operacioni kundër informalitetit.

Për opozitën shqiptare, “takimi i sotëm i kryeministrit me biznesin u kthye në një bumerang aktakuzash publike, sy për sy, cka dëshmon se sa e rëndë është situata ekonomike, sa e thellë kriza e biznesit, dhe sa e pashpresë mundësia e tyre për të hapur vende të reja pune nën qeverisjen e Ramës, nënvizoi kreu i Partisë demokratike Lulzim Basha në një deklaratë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)