29 Mars 2024

Ndërmarrja Publike Banesore, nuk duhet të jetë arenë politike

Prishtinë, 6 maj – Ndërmarrja Publike Banesore Sh. A Prishtinë, ka njoftuar se të premten katër persona: Driton Rukiqi, Arsim Gollaku, Lumnije Rama, dhe Naim Neziri, janë lajmëruar në Ndërmarrjen Publike Banesore duke u paraqitur si “anëtarë të përkohshëm të Bordit të Drejtorëve”, të emëruar nga dy anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Të lartpërmendurit e kanë thirrur edhe shërbimin policor duke aluduar se ekziston një problem në Ndërmarrjen Publike Banesore. “Zyrtarë të shërbimit policor kanë ardhur në Ndërmarrje dhe kanë biseduar me Sekretarin e Bordit të Drejtorëve, Nijazi Isakun, dhe përmes telefonit e kanë kontaktuar edhe Kryeshefin Ekzekutiv, z.Nexhat Kryeziun. Duke qenë se në Ndërmarrjen Publike Banesore nuk ka pasur asnjë problem siç ishte aluduar nga personat që paraqiteshin si “anëtarë të përkohshëm të Bordit të Drejtorëve,” zyrtarët e shërbimit policor janë larguar nga Ndërmarrja Publike Banesore.

Në kohën kur Ndërmarrja Publike Banesore ka denoncuar uzurpimet e pronës publike, dhe shërbimi policor i Kosovës ka kryer aksione për lirimin e pronave të ndryshme, jo domosdoshmërisht të kësaj ndërmarrjeje, personat që po paraqiten si “anëtarë të përkohshëm të Bordit të Drejtorëve” po tentojnë që ta bëjnë pikërisht të kundërtën. Pra, të futen në mënyrë të paligjshme dhe ta uzurpojnë Ndërmarrjen Publike Banesore”, thuhet në komunikatën e Ndërmarrjes Publike Banesore.

Sipas njoftimit edhe një herë ju rikujtojmë se vendimi për emërimin e të lartcekurve si anëtarë të përkohshëm të Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike si dhe Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i njëjti nuk përmban vulën zyrtare të Komunës së Prishtinës, aksionares së vetme të 100% të aksioneve në Ndërmarrjen Publike Banesore. “Ligji i ndërmarrjeve Publike nuk njeh termin “Anëtarë të Përkohshëm të Bordit”, por as Ndërmarrja Publike Banesore nuk ka shpallur konkurs për zgjedhje të Bordit të Drejtorëve, sepse ndërmarrja e ka Bordin e emëruar dhe është funksional. Organet Komunale nuk kanë arritur ende të formojnë Komisionin Komunal të Aksionarëve në përbërje prej 3 anëtarëve, i cili është përgjegjës për emërimin dhe shkarkimin e Bordit të Drejtorëve. Ligji për Ndërmarrjet Publike, Komisioni i Aksionarëve formohet prej tre anëtarëve, dy nga Asambleja Komunale dhe një nga Kryetari i Komunës.

Andaj përderisa organet komunale nuk e kompletojnë Komisionin e Aksionarëve prej tre anëtarëve, siç e përcakton Ligji për Ndërmarrjet Publike (Neni 5, paragrafi 2), Bordi i tanishëm në përbërje: Lazër Nrecaj kryesues, Shqipe Breznica, Liridon Latifi, Hasrete Canolli, anëtarë, si dhe Nexhat Kryeziu, Kryeshef Ekzekutiv, të zgjedhur me konkurs publik mbeten legjitim dhe funksional”, është thënë në njoftim. Ndërmarrja Publike Banesore Sh. A Prishtinë, ka kërkuar nga çdo individ, parti politike apo grupe të caktuar të interesit të përmbahen nga veprimet e kundërligjshme që i ndërmarrin në cilësi  të personave zyrtar në emër të: “Komisionit të Aksionarëve” apo “Bordit të Drejtorëve”. “Informojmë punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore, të vazhdojnë në realizimin e detyrave të veta në krye me Kryeshefin Ekzekutiv, sepse nuk do të ketë asnjë ndërrim në politikat menaxhuese të ndërmarrjes, derisa të mos kompletohet Komisioni Komunal i Aksionarëve në harmoni me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe Ligjit për Shoqëritë Tregtare.

Ndërmarrja Publike Banesore nuk duhet të jetë arenë e luftës politike. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve të Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatën e Ndërmarrjes Publike Banesore Prishtinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)