29 Mars 2024

Qeveria e sindikatat të përkushtuara për bashkëpunim dhe dialog

Prishtinë, 5 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur konferencë për media me përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari, Haxhi Arifi.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Parë dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Kryeministri Mustafa theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret deklarimin e anëtarëve të BSPK-së, që çështjet në Kosovë të zgjidhen me dialog, të zgjidhen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të zgjidhen përmes rrugëve institucionale, dhe jo me protesta të dhunshme.

“Ne së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe ministrin Abrashi kemi pas takime me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura, me kryetarin e Bashkimit, por edhe me përfaqësuesit tjerë të Federatave të Sindikatave të vendit. Unë i kam njoftuar lidhur me aktivitetet të cilat po i ndërmerr Qeveria në zhvillimin ekonomik, në rritjen ekonomike, në hapjen e mundësive për punësim, por edhe në masat e drejtpërdrejta të cilat Qeveria i ka marr në përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit. I kam njoftuar, po ashtu, edhe për aktivitet e Qeverisë në fushën e legjislacionit, sidomos të atij që ka të bëjë me krijimin e ambientit për zhvillim ekonomik, në rend të parë me Ligjin për Investime Strategjike, dhe ligjet e tjera të cilat mund të hapin mundësi të ardhjes së investitorëve të huaj, dhe rrjedhimisht rritjes së aktiviteteve ekonomike, të përmirësimit të numrit të punësuarve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të vendit. I kam njoftuar edhe për projektet e mëdha për të cilat ne do të fillojmë në realizimin e tyre në Kosovë, veçmas në projektin e ndërtimit të një Termocentrali të ri që është një investim prej mbi 1 miliard euro, si investim kapital më i madhi në Kosovë, i cili vetëm në fazën e tij të ndërtimit, do të angazhojë diku prej 5 mijë deri në 8 mijë punëtorë, dhe do të ketë efekte pastaj edhe të punësimit në të ardhmen, por edhe efekte në krijimin e bazës energjetike për zhvillimin ekonomik. Por, po ashtu, edhe në pritjet tona që ta realizojmë edhe një projekt shumë të madh të fushës së turizmit në Brezovicë. I kam njoftuar për masat që i kemi ndërmarr ne në Qeveri për sigurimin e buxhetit, për rritjen e pagave, përkatësisht aplikimit të përvojës në bazën e pagave, sepse ajo paraqet rritje reale të pagave, për ndihmat sociale, të cilat i kemi rrit për 25 për qind, për sigurimin e fondeve për pensionet kontribut-dhënëse, si dhe për pensionet e veteranëve të luftës.

Kemi biseduar për çështjet e efekteve të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, që do të jenë shumë të mëdha në zhvillimin ekonomik, si marrëveshje e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe po ashtu si një mundësi që të na hapet dera për integrime evropiane dhe euroatlantike. U pajtuam bashkërisht se ne duhet të ndërtojmë partneritet me miqtë tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian dhe me të gjitha vendet tjera demokratike në mënyrë që ata t’i besojnë këtij vendi, edhe në pikëpamje të përkrahjes së zhvillimit social, të zhvillimit arsimor, zhvillimit kulturor, zhvillimit shëndetësor, sepse të mbyllur, të izoluar dhe në konflikt me të tjerët ne nuk mund ta zhvillojmë vendin tonë. Ndërtimi i raporteve të mira ndërfqinjësore, të stabilitetit, të paqes në rajon, janë rrugë e domosdoshme në integrimet tona evropiane, integrimeve tona euroatlantike, hapjes së perspektivës zhvillimore, dhe mundësisë që një shtet i ri si ne, i cili akoma ka nevojë për përkrahje shumë të madhe, të ketë perspektivë në të ardhmen. Dhuna nuk ka qenë kurrë kulturë e këtij vendi, s’ka qenë mënyrë e sjelljes së këtij vendi, nuk është as tani, dhe s’duhet të jetë edhe në të ardhmen.

Nga kryetari Arifi dhe bashkëpunëtorët e tij jemi informuar për progresin e arritur në zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, si dhe për zbatimin e Marrëveshjes Kolektive në sektorin publik. Me kujdes kemi dëgjuar shqetësimet e tyre që kanë të bëjnë kryesisht me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave në Punë, sidomos në sektorin privat, që lidhen me çështjen e pagës minimale, me ushtrimin e detyrës së Inspektoratit të Punës, me pozitën e punonjëse në kompani të cilat janë privatizuar ose të cilat janë dhënë me koncesion, me realizimin e të drejtave të punëtorëve nga privatizimi, sepse akoma një numër shumë i madh i tyre pret që ta marrin 20 për qindëshin dhe nuk e kanë marrë akoma për shkak të shumë lëndëve në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, por edhe për vështirësi tjera të punës së Bashkimit të Sindikatës, siç është çështja e mungesës së hapësirës për punë normale të tyre, dhe për shqetësimet tjera të cilat na janë adresuar dhe për të cilat bashkërisht me ta do të punojmë në zgjidhjen e tyre. E kemi mirëpritur deklarimin se edhe punëtorët edhe pjesëmarrësit e BSPK-së dhe anëtarët e tjerë janë gjithmonë që problemet dhe çështjet në Kosovë të zgjidhen me dialog, të zgjidhen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të zgjidhen përmes rrugëve institucionale, dhe se nuk kemi hapësirë dhe nuk kemi nevojë, dhe nuk do të ishte zgjidhje e drejtë, as zgjidhje që i përngjan këtij vendi dhe që i nevojitet këtij vendi, protesta dhe dhuna. Kemi shprehur përkushtimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin tonë në të ardhmen, bashkëpunim i cili çon në përmirësimin e jetës së punëtorëve, përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe në mirëqenien e përgjithshme sociale që është një prej synimeve themelore të punës dhe aktiviteteve të Bashkimit të Sindikatave”, ka thënë kryeministri Mustafa, në fjalën hyrëse.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, potencoi rëndësinë e thellimit të partneritetit mes Qeverisë dhe sindikatave, në mënyrë që objektivat të realizohen përmes dialogut. “Bile mund të them se jam shumë entuziast nga ato deklarime, qëndrime të shumë njerëzve sindikalistë që kanë realizuar objektivat e tyre, qoftë pensionistëve, qoftë punëtorët e arsimit, qoftë punëtorët e shëndetësisë, veteranëve të luftës, familjarët e dëshmorëve të luftës, invalidëve të luftës, minatorëve, dhe të gjitha kategorive të shoqërisë kosovare. Mund të them me përgjegjësinë më të lartë se sot punëtoria kosovare është në një pozicion shumë më të mirë se sa shumë punëtori të vendeve të rajonit. Natyrisht, synimi ynë është gjithmonë standardi evropian dhe kriteret evropiane.

Prandaj, e falënderoj edhe z. Arifi për qëndrimin e tij të qartë kundër protestës dhe kundër dhunës, por në favor të dialogut për zgjidhjen e problemeve. Dhe kjo është edhe filozofia për mbrojtjen e shtetit”, ka theksuar Thaçi.

Nga ana e tij, kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, potencoi se në këto takime, është biseduar lidhur me programin e sindikatave për këtë vit, duke theksuar se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet gjithmonë duke respektuar institucionet.

“Përmes partneritetit që e kemi me Këshillin Ekonomiko-Social, Qeveri-Punëdhënës-Punëmarrës, kemi ardhur deri te zgjedhja e afër 70 për qind të kërkesave tona vitin e kaluar. Këtë vit ishte diçka e mirë që kryeministri na ftoj prapë, që të prezantojmë se çfarë është realizuar dhe çfarë synojmë të realizojmë sivjet, përmes mekanizmit që e kemi në Këshillin Ekonomiko-Social. Ne i kemi dhënë përparësi dialogut dhe kështu do të vazhdojmë. Dhe përmes këtij dialogu, duke i prezantuar problemet ndoshta edhe të përditshme, nga Federatat dhe nga BSPK-ja do të gjejmë shprehje, në kuptimin pozitiv, që t’i realizojmë”, theksoi Arifi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)