17 Maj 2024

Komuna e Gjakovës aprovon buxhetin prej 19.8 milion euro në 2016

Gjakovë, 23 shtator - Sot në Komunën e Gjakovës është mbajtur mbledhja e tetë për vitin 2015 të Kuvendit të Komunës së Gjakovës ku janë diskutuar 7 pika të rendit të ditës. 

Pas një diskutimi shumë të gjatë nga kuvendarët komunal, në këtë mbledhje është miratuar Buxheti i Komunës së Gjakovës për vitin 2016.

Teki Shala, drejtor i drejtorisë së financave në komunën e Gjakovës ka prezantuar një analizë për vijat buxhetore, projektet dhe mundësit financiare për investime në vitin 2016.

Komuna e Gjakovës në vitin 2016 do të ketë 19 milion e 895 euro buxhet komunal, ku nga granti i përgjithshëm do të jetë afro 7 milion euro, granti specifik i arsimit do të jetë 7 milion e 710 mijë euro, ose 400 mijë euro më pak se vitin e kaluar.

Sipas tij në vitin e ardhshëm do të ketë shkurtim buxhetor që bazohet në zvogëlimin e numrit të nxënësve dhe faktorëve të tjerë relevant që ka paraparë Ministria e Financave të Kosovës.

Sa i përket gandit specifik për shëndetësi ai do të jetë 2 milion e 235 mijë euro, ndërsa të hyrat vetjake komunale parashihen të jenë 3 milion e 30 mijë euro.

Nga ana e këshilltarëve pati komente, sugjerime, vërejte por edhe vlerësime lidhur me dokumentin më të rëndësishëm komunal që ka hartuar komuna për vitin e ardhshëm fiskal.

Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, ka falënderuar asambleistët për komentet e tyre dhe ka sqaruar që ky buxhet paraqet një rëndësi të veçantë dhe adreson projektet kyçe infrastrukturore për mirëqenien e të gjithë qytetarëve te Komunës së Gjakovës si dhe projekte zhvillimore me një rëndësi të madhe për qytetin.

Asambleistët kanë aprovuar edhe propozimin e asambleistit Bahri Bokshi që komuna nga buxheti i saj të mbështesë familjet në asistencë sociale, në raste të shpenzimeve për nevojat e ceremonive të varrimit.

Po ashtu, asambleistët kanë aprovuar edhe Draft Rregulloren për tatimin mbi Pronën e Paluajtshme për vitin 2016.

Nga zyra e projekteve, në kuadër të kabinetit të kryetares, janë prezantuar dy pika për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike.

Burim Meqa, përfaqësues i zyrës së projekteve, ka prezantuar shqyrtimin për propozim vendimin për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër, për ndërtimin dhe menaxhimin e impiantit për riciklim të mbeturinave si dhe për menaxhimin e ‘Qendrës Ekologjike” në hapësirën e Çabratit.

Të dy këto projekte kanë dalë si rezultat i Konferencës së Investitorëve 2015, ku investitorë të ndryshëm kanë shprehur interesimin për të investuar në këto projekte.

Në kuadër të implementimit të zgjidhjes urbanistike për Komunën e Gjakovës, janë prezantuar edhe dy pika që kishin të bëjnë me shpronësim të pronave të cilat përfshihen në zgjerimin e rrugës “Bardhyl Çaushi” dhe rrugës “Gjergj Sokoli” dalja veriore e Qytetit- dalja për Pejë, si dhe revidimi i planit zhvillimor për rrugën unazore në pjesën veriore të qytetit.

Të dy këto pika janë aprovuar nga asambleistët duke vënë në theks rëndësinë për qarkullimin e lirshëm dhe shkarkimin e lëvizjes së madhe të automjeteve në këtë zonë.

Vazhdimi për diskutimin e pikave tjera të rendit të ditës do të bëhet në ditën e Hëne, me datën 28 Shtator 2015.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)