28 Mars 2024

Banorët e Kalabrisë në hall me kundërmimin e kanalizimeve

Prishtinë, 29 qershor - Kërkesa të ndryshme kanë shtruar banorët e lagjes “Kalabria”, mirëpo shqetësim kryesor ka qenë kundërmimi nga depërtimi i ujërave të zeza në disa sipërfaqe të banueshme. Lidhur me këtë preokupim të tyre ata kërkuan të informohen se kur do të ndërtohet kolektori mbi lumin “Mat”.

Drejtori Xhelal Sveçla i njoftoi se sipas informacioneve nga Drejtoria e Infrastrukturës kontrata për ndërtimin e kolektorit mbi lumin “Mat” tashmë është nënshkruar dhe pas mënjanimit të disa problemeve pronësore, ky projekt do të fillojë së realizuari.

Disa prindër të pranishëm shfaqën edhe shqetësimin e tyre për kushte në shkollën “7 Marsi”, respektivisht problemet me nyjet higjieno – sanitare, mungesa e sallës së sportit, problemet me dritaret, etj.

Kërkesë tjetër e banorëve të pranishëm ishte edhe ndriçimi publik i disa rrugëve në këtë lagje, shtimi i një linje të transportit publik si dhe mirëmbajtja e nënkalimeve tek rrethi kryesor.

Lidhur me këto kërkesa, banorët u informuan se shkolla “7 Marsi” do të rinovohet, si dhe do të ndërtohet salla e sportit, ndërsa nënkalimet planifikohet të jepen me koncesion si hapësira afariste, gjë që do të ndikonte në mirëmbajtjen edhe më të mirë të tyre.

Gjithashtu, banorët dorëzuan edhe lista me kërkesa konkrete, ndërsa u ankuan se disa kompani të caktuara të ndërtimin e kanë dëmtuar rrugën kryesore me makinerinë e tyre duke e bërë në masë të madhe vështirë të kalueshme.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashi, i informoi të pranishmit se në kuadër të zgjerimit të rrjetit të ndriçimit janë planifikuar edhe rrugë në këtë pjesë të qytetit, mirëpo tha se do të shqyrtohen mundësitë edhe për përfshirjen e rrugëve që janë të domosdoshme për banorët.

Gashi, gjithashtu, i informoi edhe lidhur me emërtimet e rrugëve dhe punën që është duke e bërë komisioni, ndërsa tha se ky projekt do të fillojë së realizuari pas votimit në asamblenë komunale.

Lidhur me problemet për mungesën e parkingjeve, drejtorët e Komunës thanë se është duke u punuar që përgjithësisht të zgjidhet ky problem që është i theksuar në të gjitha zonat e kryeqytetit.


Për shkak të pyetjeve të shumta që ndërlidheshin me çështjet e infrastrukturës dhe urbanizimit, në fund të këtij diskutimi u dakordua që të organizohet edhe një diskutim publik me drejtorët e drejtorive përkatëse.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)