28 Mars 2024

Zonat e Lira Ekonomike, vetëm në letër

Albulena S.MAVRAJ

Prishtinë, 25 maj -  Qeveria e Republikës së Kosovës në vitin 2009 e kishte miratuar Ligjin për Zonat e Lira Ekonomike në mënyrë që bizneset të kenë qasje më të lehtë në transport, energji, ujë dhe shërbime të tjera të domosdoshme për bizneset.

Edhe pse asokohe ky ligj ishte miratuar, fatkeqësisht ka mbetur vetëm në letër dhe pjesë e premtimeve të fushatave elektorale. Fatkeqësisht, edhe pas gjashtë vjetësh, s’është arritur të funksionalizohen Zonat e Lira Ekonomike, për të cilat në zgjedhjet e kaluara ishin dhënë fjalë të mëdha.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosfunksionalizim të Zonave të Lira Ekonomike dhe moskrijim të kushteve të favorshme për investitorët e huaj.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ata që kanë votuar për Zonën e Lirë Ekonomike nuk i dinë kriteret të cilat duhet t’i kenë këto zona. “E njoh mirë Zonën e Lirë Ekonomike, pasi kam importuar nga Japonia, Koreja dhe Kina gjatë vitit 2008 mallra në vlerë prej 4.4 milionë dollarësh. Për importin e tyre kemi shkuar nëpërmjet Zonës së Lirë Ekonomike, siç ka qenë Dubai. Prandaj, e di rëndësinë që e ka Zona e Lirë Ekonomike, kurse në Kosovë vetëm e kanë shpallur Zonën e Lirë Ekonomike, por nuk ka shkuar procesi përpara për lehtësirat që i ofrojnë këto zona”, ka deklaruar Bahtiri.

Ai ka bërë me dije se ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës të merret sa më parë me këto lloj zonash dhe për të njëjtat të caktohen kriteret.

“Duhet ligj adekuat për Zona të Lira Ekonomike. Ligji i miratuar në vitin 2009 ende s’është fuqizuar. Jemi duke pritur.

Ndërkaq në Mitrovicë e kam bërë një Zonë të Lirë Ekonomike si pjesë e asaj Industriale, për të cilën jemi certifikuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë Bahtiri. Sipas tij, të gjithë investitorët që vijnë në Zonën e Lirë Ekonomike duhet të jenë të liruar nga të gjitha taksat për makineritë që i sjellin. “Investitorët duhet të jenë të liruar nga taksat komunale dhe qeveritare, njëkohësisht duhet të jenë të liruar nga taksat për lëndët e para”, është shprehur Bahtiri.

I pyetur nëse është humbje për Kosovën mosfunksionimi i këtyre zonave, Bahtiri është përgjigjur: “Ligji duhet funksionalizuar për të pasur lehtësira në Zonat e Lira Ekonomike. Ne do të mund t’i thërrisnim shumë investitorë për Zonat e Lira Ekonomike, pasi ju e dini se evropianët e kanë 50 për qind pjesën e tatimit në fitim. Ndërkaq te ne është dashur ta kenë zero, pasi investitorët janë të interesuar të investojnë aty ka ku lehtësira nga taksat e ndryshme që i ngarkojnë bizneset”.

Shahini: Zonat e Lira Ekonomike, vetëm për fushata zgjedhore

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për gazetën se Zonat e Lira Ekonomike janë bërë të jenë aktuale vetëm gjatë fushatave zgjedhore. “Kushtet për investime në Zonat e Lira Ekonomike duhet të jenë më të leverdishme. Edhe qeverisja e kaluar, edhe kjo e tashmja, pothuajse agjendën ekonomike e kanë dytësore, ndërkohë që agjenda për bisedime me Serbinë po e merr një kohë të madhe, duke lënë kështu edhe agjendën e integrimeve prapa”, ka thënë Shahini, duke shtuar se do të duhej që secila ministri ta kryente punën e vet.

Shahini ka thënë se përgjegjësia për mosfunksionimin e Zonave të Lira Ekonomike bie te Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) si dhe Ministria e Financave (MF). “Natyrisht se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është përgjegjëse për këto zona, por edhe Ministria e Financave do të duhej të bënte reforma për investimet e huaja dhe vendore”, ka thënë ai.

Dibra: Buxheti i MTI-së, i pamjaftueshëm për implementim të shpejtë të zonave ekonomike

Në anën tjetër, këshilltarja për Medie në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, (MTI), Vjollca Dibra, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo ministri nëpërmjet Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) është duke punuar me të gjitha komunat e Kosovës për të ofruar kushte më të mira për investitorët potencialë si për ata të huaj, ashtu edhe për vendorët.

“Në mandatin e kaluar qeveritar është marrë vendim për themelimin e Zonave të Lira Ekonomike në tri komuna. Komuna e Mitrovicës tashmë e ka ndarë lokacionin prej 48 hektarësh dhe me përkrahjen financiare të MTI-së është duke e bërë rregullimin e pjesshëm të infrastrukturës. Ndërsa Komuna e Gjakovës është duke e përgatitur studimin e fizibilitetit, definimin e pronës dhe kompletimin e dokumentacionit në bazë të legjislacionit të Zonave Ekonomike. Edhe Komuna e Prizrenit e ka ndarë lokacionin për ndërtimin e Parkut të Biznesit. Është në fazën e kompletimit të dokumentacionit”, është shprehur Dibra.

Dibra ka treguar se buxheti i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për përkrahje për themelimin e Zonave të Lira Ekonomike është i kufizuar dhe nuk mjafton për ta siguruar implementim të shpejtë të zonave të tilla, duke i pasur parasysh edhe mundësitë shumë të kufizuara të komunave për investime kapitale. E pyetur nëse ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, është e interesuar ta vazhdojë projektin e Zonave të Lira Ekonomike, pasi është miratuar ligji për to, ajo është përgjigjur se ministrja Bajrami është e interesuar të vazhdojë zhvillimi i Zonave të Lira Ekonomike. “Do të kërkohet që në vitet në vijim të rritet buxheti për investime në Zona të Lira ekonomike”, ka thënë ajo.

Dibra ka përmendur edhe Parkun e Biznesit në Drenas, i cili, sipas saj, me gjithë vonesën në kompletim, tashmë është plotësisht funksional. “Ky park deri më tani ka arritur të tërheqë investime direkte të deklaruara nga ana e bizneseve në vlerë mbi 20 milionë euro. Aty janë punësuar mbi 350 punëtorë (prodhim dhe ndërtim). Buxheti i Kosovës nga Parku i Biznesit në Drenas krijon të hyra direkte nëpërmjet qirasë. Parku i Biznesit në Drenas konsiderohet si një tregim i suksesshëm!”, ka deklaruar ajo.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)