24 Prill 2024

KE-ja ofron 90 milionë euro për Kosovën

Prishtinë, 30 mars - Kryesuesi i Bordit Drejtues të Asociacionit të Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA), njëherësh kryetar i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se ARDA-ja është asociacion i pesë Agjencive Zhvillimore Rajonale (AZHR) në nivel vendi.

Në këtë bisedë për “Epokën e re”, Ahmeti ka bërë me dije se ekzistojnë pesë AZHR, të cilat janë të themeluara nga komunat dhe regjionet përkatëse të Kosovës. Sipas tij, ARDA-ja është rrjeti i të gjitha AZHR-ve dhe përbëhet nga kryesuesit e bordeve të këtyre agjencive.

Kryesuesi i Bordit Drejtues të ARDA-s ka thënë se misioni i këtij asociacioni është zhvillimi rajonal ekonomik i komunave. Po ashtu, mision i këtij asociacioni, sipas Ahmetit, është bashkëpunimi ndërkomunal dhe inkorporomi i projekteve të përbashkëta, përkatësisht aplikimi me projekte të përbashkëta në të gjitha grandet.

“Ideja është që nëpërmjet këtij asociacioni komunat bashkërisht t’i targetojnë zhvillimet e përbashkëta të infrastrukturës dhe zhvillimet e tjera të cilat do të kishin ndikim në zhvillimin rajonal të komunave siç janë: bujqësia, projektet kapitale të kanalizimit dhe infrastrukturës rrugore dhe projekte të tjera që janë interes apo treg i përbashkët i komunave”, ka thënë Ahmeti.

I pyetur se nga kush financohet ARDA-ja, Ahmeti është përgjigjur se aktualisht ky asociacion financohet nga Komisioni Evropian (KE) me 95 për qind, ndërsa 5 për qind financohet nga komunat e Kosovës.

Ahmeti ka deklaruar se ARDA-ja është në formim e sipër dhe se pretendimet janë që komunat të përfitojnë sa më shumë grande nga KE-ja. “Nëpërmjet këtij asociacioni komunat mund të përfitojnë shumë. Kujtoj se nëpërmjet ARDA-s mund të gjeni mundësi të reja për aplikim në fondet dhe grande të caktuara dhe në të njëjtën kohë mund t’i koordinoni veprimet e përbashkëta si komuna për të nxjerrë këto grande”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se është hipotetike për ta nxjerrë një konkluzion se sa janë të informuar qytetarët për punën e këtij asociacioni.

Ai ka deklaruar se secila komunë në vetvete ka obligime të jetë e përkushtuar për informim të publikut për të aplikuar për fonde, qoftë nga organizatat ndërkombëtare apo vendore.

“Ne si Komunë e Lipjanit kemi bërë vizita të shumta në terren nëpërmjet departamenteve përkatëse në mënyrë që t’i informojmë dhe ndihmojmë qytetarët të aplikojnë në këto grande. Ne mbajmë takime një herë në të tre muaj. Megjithatë, produktiviteti dhe efikasiteti i punës së ARDA-s nuk do të thotë se mund të matet me faktin e aplikimit, sepse kjo do të duhej të matet me faktin e përfitimit të grandeve”, është shprehur Ahmeti.

Ndërkaq, duke folur rreth shumës prej 90 milionë eurosh të parapara për Kosovën, për vitin 2014-2020 si fonde të KE-së, Ahmeti ka bërë me dije se tash është koha kur komunat po përgatiten për të aplikuar për këto grande. Në të njëjtën kohë, sipas Ahmetit, po mbahen konferencat e donatorëve në të cilat komunat do t’i shpalosin vizionin dhe idetë për projektet, të cilat janë me interes për komunat e tyre.
 
ARDA-ja ka ndikim në zhvillimin e komunave
 
Kryesuesi i Bordit Drejtues të Asociacionit të Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA) ka thënë se ky asociacion ka ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të komunave pasi, sipas tij, nevojat e komunave janë në s’përputhje me mundësitë e komunave. “Mundësitë e investimeve në komuna janë të vogla në proporcion me gjendjen faktike në terren. Papunësia është e lartë në të gjitha komunat tona.

Nevoja e zhvillimeve të bizneseve është e madhe. Kështu që, kjo është e mirëseardhur për komunat dhe po besoj se gradualisht qytetarët tanë do të krijojnë interesim dhe përkushtim më të madh për të aplikuar në këto grande në mënyrë që Kosova të përfitojë sa më shumë fonde nga Bashkimi Evropian”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka shtuar se Kosova ka përfituar mjaftueshëm fonde nga BE-ja në raport me vendet e regjionit. “Kosova në dy-tre vjetët e fundit prin për përfitimin e fondeve në raport me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Grandet, në rast të mosaplikimit të mjaftueshëm nga qytetarët, komunat dhe agjencitë e tjera, Komisioni Evropian zakonisht i rishpall në mënyrë që komunat të riaplikojnë”, ka deklaruar Ahmeti, duke shprehur optimizëm se karshi periudhës paraprake, këtë vit nuk do të ketë tepricë të mjeteve të ofruara si fonde.

Ai ka theksuar se ARDA-ja është një organizatë e cila është themeluar që dy vjet, prandaj ka nevojë të formësohet dhe të profesionalizohet edhe më tutje. “Agjencitë e tilla zhvillimore janë të pranishme në të gjitha shtetet të cilat e kanë kaluar fazën e tillë të tranzicionit çfarë jemi ne në Kosovë. Pritjet e mia janë të mëdha për funksionalizim të këtij asociacioni dhe ndihmën që mund ta japë për komunat”, ka deklaruar Ahmeti.

Asociacioni i Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA) është një rrjet për zbatimin e politikave të Kosovës dhe BE-së. ARDA është organizatë e pavarur, joqeveritare, e themeluar në janar të viti 2013 nga pesë Agjencitë e Zhvillimit Rajonal (Veri, Lindje, Perëndim, Jug dhe Qendër) në Kosovë.
(Albulena S. MAVRAJ)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)