16 Prill 2024

Qeveria e Kosovës jo-transparente në prokurimin publik

Prishtinë, 26 mars - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka mbajtur sot një tryezë në të cilën është shpalosur “Indeksi i Transparencës në Prokurimin Publik”, ku është analizuar publikimi i dokumenteve të prokurimit nga Qeveria e Kosovës.

Nëntëmbëdhjetë ministri si dhe Zyra e Kryeministrit kanë qenë subjekt i matjes së transparencës në pesë shtylla dhe 23 indikatorë.

KDI gjatë vitit të kaluar ka bërë matjen e transparencës në prokurimin publik në të dy nivelet e pushtetit, komuna dhe qeverinë e Kosovës.

“Mungesa e transparencës nga institucionet e Kosovës në fushën e prokurimit publik ndikon negativisht në bizneset e Kosovës dhe vetë zhvillimin ekonomik të vendit.”, shprehet Artan Canhasi, menaxher i programit në KDI.

Ai ka konstatuar se në Kosovë ka dy lloje të bizneseve:  ato që nuk dijnë se çka do të blejë qeveria, në çfarë sasie dhe në cilën kohë, dhe ato  të cilat i marrin këto informacione nga brenda përmes favoreve, dhe më pas i shfrytëzojnë për avantazh në ofertim.

“Qeveria e Kosovës për vitin 2014, ka demonstruar nivel të ulët të transparencës në prokurimin publik. Kjo pasi që qytetarëve, mediave dhe bizneseve nuk u janë ofruar shumë dokumente të cilat janë esenciale në prokurimin publik”, ka theksuar Isuf Zejna nga KDI.

Të gjeturat e këtij Indeksi flasin që  institucionet e Kosovës nuk reflektojnë transparencë në ueb faqet e tyre; shumë dokumente kritike të ministrive si buxheti, raportet financiare, planet e prokurimit, njoftimet për tender dhe ankande mungojnë.

Në kuadër të këtij raporti është bërë edhe një testim i qasjes në informacione zyrtare. Nga 20 institucionet e matura nëntë (9) janë përgjigjur brenda afatit ligjor, nëntë (9) të tjera me vonesë prej një (1) deri në 30 ditë.

Aq më keq, Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk kanë ofruar fare qasje në informacione.

KDI nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje për më tepër se dy (2) muaj, këto dy ministri nuk kanë pranuar t’i ofrojnë informacionet zyrtare për çështjet të prokurimit. Raste të tilla,  nxjerrin në pah nevojën për të adaptuar bazën ekzistuese ligjore për të kërkuar transparencë më të madhe në prokurimin publik.

Ilaz Duli nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka thënë se një numër i madh i dokumenteve për prokurimin publik mund të gjenden në ueb faqen e këtij institucioni. Mirëpo ai është pajtuar se transparenca në këtë fushë është shumë e ulët. Ai  ka premtuar se e njëjta do tëpërmirësohet me aplikimin e prokurimit elektronik.

Besnik Bislimi nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) ka thënë se shoqëria civile në Kosovë, mund të ndihmoj në dy (2) drejtime Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

E para duke ofruar raporte dhe tryeza të tilla me të gjetura faktike mbi situatën në menaxhimin e financave publike apo transparencës dhe forma e dytë, duke ofruar rekomandime se si të përmirësohet ky sistem.

Ai po ashtu ka konstatuar se në prokurimin publik në Kosovë ka shumë pak transparencë dhe ka nevojë që Komisioni të shkoj përtej raporteve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) dhe të merret edhe me të gjeturat e organizatave monitoruese.

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL, ka thënë se gjeneza e mungesës së transparencës në prokurimin publik është korrupsioni. Kjo pasi që qëllimisht institucionet nuk kanë aplikuar norma të cilat do të ndikonin në rritjen e transparencës në këtë sektor.

Ai po ashtu ka shtuar se korrupsioni në prokurim, nuk vjen vetëm nga zyrtarët e prokurimit nëpër institucione, mirëpo shumë shpesh burim i tij është niveli politik i cili e ndikon prokurimin publik.

Pjesëmarrësit në këtë debat, kanë shtruar nevojën e përmirësimit të bazës ligjore, si dhe implementimin e prokurimit elektronik, si mekanizëm për të rritur transparencën e prokurimit publik.

Aty po ashtu është diskutuar edhe për kolezionet ndërmjet ligjeve të aplikueshme në Kosovë, rreth çështjes së publikimit të informacioneve dhe dokumenteve zyrtare.

Majlinda Sinani-Lulaj nga Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se Ligji i Qasjes në Dokumente do të filloj të ndryshohet me qëllim të adresimit më të drejtë të disa çështjeve që kanë kufizuar viteve të fundit të drejtën qytetarë për të qenë të informuar.

Kjo ka ndodhur për shkak të interpretimit arbitrar të Ligjit nga disa zyrtarë të institucioneve apo edhe mungesës së adresimit të drejtë të përgjegjësisë për mos dhënie të informacioneve.

Si konkluzion i përgjitshëm i debatit ishte që matja e transparencës në prokurimin publik është domosdoshmëri dhe duhet të vazhdojë, pasi është mënyrë e mirë për të vlerësuar nëse institucionet po përmirësojnë performancën e tyre në raport me informimin e publikut apo e kundërta.

Komisionit Rregullativ të Prokurimit i është kërkuar që të shoh mundësin e nxjerrjes së një rregullore të veçantë për fushën e transparencës në prokurim, për t’i detyruar institucionet të publikojnë të dhënat e tenderëve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)