28 Mars 2024

Drenasi po përballet me vështirësi në procesin e zhvillimit ekonomik

Prishtinë, 5 mars -  Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Drenasit, ku u takua fillimisht me kryetarin e komunës, Nexhat Demaku, nga i cili u njoftua me rrjedhat dhe zhvillimet e përgjithshme në komunë, si dhe me problemet dhe sfidat me të cilat përballet komuna.

Kryetari Demaku gjithashtu e njoftoi presidenten edhe me çështjen e migrimit të qytetarëve nga kjo komunë dhe me uljen e madhe të kësaj lëvizjeje në javët e fundit.

Ai tha se komuna po përballet me vështirësi në procesin e zhvillimit ekonomik që do të ndihmonte edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, por tha se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të krijuar një mjedis dhe klimë sa më të mirë për biznes dhe tërheqjen e investimeve nga jashtë.

Pas vizitës në Kuvendin e Komunës, Presidentja Jahjaga mori pjesë në shënimin e fillimit të punës në punëtorinë e rrobaqepësisë për gratë e Drenasit, e udhëhequr nga zonja Kadire Tahiraj dhe theksoi se punëtoria është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të grave.

“Punëtoria po hapet në një ditë të veçantë, siç është dita e sotme, që simbolizon edhe sakrificën tonë si popull dhe si shtet për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë.  Pjesë e kësaj sakrifice dhe e kësaj dhimbjeje të madhe kanë qenë edhe gratë tona, kanë qenë heroinat tona, që unë u them grave që kanë qenë viktima të dhunës në përgjithësi gjatë luftës.\"

\"Një numër i tyre tanimë nuk janë në mesin tonë. Një numër tjetër i tyre kanë tani një projekt, që i fuqizon ekonomikisht ato përmes programeve të trajnimit dhe avancimit”, tha Presidentja Jahjaga, duke shtuar se kjo punëtori është nismë e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës në përgjithësi pas luftës, i përkrahur fuqishëm nga KRCT-ja, nga ambasada britanike dhe USAID-i.

“Ky është një projekt i përbashkët dhe i financuar në një pjesë të madhe edhe nga një fondacion, pas prezencës sime në Samitin Global të Grave vitin e kaluar, i cili është financim për blerjen e makinave.\"

\"Ky është hapi i parë. Projekte të tilla do të ketë edhe në komuna të tjera. Komuna tjetër e radhës do të jetë komuna e Gjakovës në të njëjtin projekt dhe do të përkrahet fuqishëm nga institucioni im, por edhe nga institucionet e tjera të vendit”, theksoi Presidentja Jahjaga.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)