28 Mars 2024

Gratë ndërmarrëse hasin në shumë sfida

Prishtinë, 5 mars - Përkundër faktit se ka një rritje në kyçjen e grave në biznes, gratë ndërmarrëse janë një burim i pashfrytëzuar për krijimin e vendeve të punës, u tha ndër të tjera sot gjatë një diskutimi të mbajtur në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së, në kuadër të fushatës të saj për zhvillim ekonomik.

Debati kishte për qëllim ngritjen e besimit të nevojshëm te gratë në themelimin dhe krijimin e bizneseve të suksesshme si dhe në zvogëlimin e hendekut gjinor në punësim.

Arzana Mulolli nga Agjencia Rajonale për Zhvillim-Qendër, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, njoftoi të pranishmit për mundësinë e shfrytëzimit të fondeve të BE-së për përmirësimin e konkurrueshmërisë së bizneseve, përmirësimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e punësimit si dhe përmirësimin e infrastrukturës, mjedisit dhe shërbimeve. 

“Këtu theks i veçantë i është kushtuar përfshirjes së grave meqë kjo është kërkesë e veçantë edhe e zyrës së Bashkimit Evropian, që të gjitha projektet të perfshijnë punësimin e gruas apo edhe qasjen e tyre direkte në fonde duke aplikuar përmes biznesit të tyre apo organizatës me të cilën ato operojnë”, tha Mulolli, duke nënvizuar në veçanti mbështetjen për gratë ndërmarrëse.

Ndërkaq Lëndita Kastrati, drejtoreshë ekzekutive e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës G7 tha se pozita ekonomike e gruas nuk është aq e favorshme. Sipas saj, në sferën e ndërmarrësisë, prezenca e gruas është shumë e vogël në krahasim me mesataren e vendeve të rajonit (33%) dhe mesataren e globale (38%).

“Në Kosovë kemi 11 % të bizneseve në pronësi të grave, prej tyre 95% janë biznese të vogla dhe mikro biznese që numërojnë 1-10 punëtorë. Barrierat kryesore për gratë ne biznes janë: korrupsioni, konkurrenca e pabarabartë, ekonomia informale, mosfunksionimi i gjykatave, mungesa e qasjes në financa, kamatat e larta në banka. Poashtu gratë trashëgojnë vetëm 8% të pronës prandaj e kanë shumë të vështirë që të aplikojnë për kredi në banka”, tha Kastrati.

Nga ana tjetër, Hamide Latifi, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Gratë në biznes” ka bërë thirrje që kriza e tanishme në Kosovë, në veçanti në fushën e ekonomisë, të shihet si një mundësi për të kapitalizuar potencialin e fjetur të grave në ndëmarrësi.

“Deri tani pavarësisht nga retorika e institucioneve kanë munguar politikat stimuluese për gratë ndërmarrëse dhe një qasje institucionale për investime tek nismat e grave ndërmarrëse.\"

\"Tashmë përvojat në vend dhe në botë kanë dëshmuar se investimet tek bizneset e grave kthehen shumëfish – qoftë duke nxitur zhvillimin ekonomik, por poashtu duke krijuar stabilitet social në vend dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, potencoi ajo.

Në aspektin e të bërit biznes, sipas Lumir Abdixhikut, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest, gratë janë në pozitë shumë më të disfavorshme se sa burrat.

Në këtë aspekt, ai përmendi se bizneset e grave janë më të vogla, kështu për shembull përderisa një biznes i një mashkulli ka 7 punëtorë, ai i një gruaje ka përgjysmë më pak, përkatësisht 3.5 punëtorë,  biznesi i një mashkulli ka qarkullim 50 mijë euro, ndërsa i një gruaje 20 mijë euro, paga mesatare e punëtorëve te bizneset e grave është më e ultë se sa e bizneseve të meshkujve, etj.

Gjatë diskutimit u theksua se gratë kanë shumë pak mundësi të financimit për bizneset e tyre dhe kryesisht mbështeten në kreditë e bankave komerciale, kamatat e të cilave janë të larta, teksa mungesa e kolateralit ju shkakton shpeshherë pengesë edhe për marrjen e kredive.

Pavarësisht politikave jo të mira fiskale në Kosovë dhe shumë vështirësive me të cilat përballen gratë ndëmarrëse, panelistët u bënë thirrje grave që të shfrytëzojnë të gjithë potencialin e tyre  për fuqizimin ekonomik dhe për të ndihmuar zhvillimin socio-ekonomik të vendit.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)