28 Mars 2024

Protestat e dhunshme, mesazhe për investitorët

Prishtinë, 30 janar -  Pamjet nga protesta e fundit rrezikojnë ta dëmtojnë shumë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Të kontaktuar nga gazeta “Epoka e re”, disa analistë kanë thënë se dhuna e protestuesve ndaj Policisë së Kosovës, lëndimet e pjesëtarëve të saj dhe të disa pjesëmarrësve në këtë protestë, kanë përçuar mesazhe negative edhe për ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Ndërsa ka edhe analistë të cilët kanë thënë se me protesta populli i Kosovës hyn në rangun e popujve perëndimorë dhe barazohet me imazh.
 
Shahini: Dhunën s’e lejon demokracia
 
I pyetur nga gazeta “Epoka e re” për mesazhin që është përcjellë në arenën ndërkombëtare nga protesta e fundit, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është përgjigjur se qytetarët me të drejtë po kërkojnë protesta dhe mund të protestojnë, por assesi ajo e drejtë e tyre nuk bën të shprehet në padrejtësi ndaj të tjerëve, duke u shndërruar në dhunë dhe demolim të objekteve shoqërore e private. “Dhuna dhe demolimet janë përtej çdo kompetence që lejon demokracia në të gjithë botën”, është shprehur Shahini.

Sipas tij, në qoftë se do vazhdojnë protestat e dhunshme, atëherë ato s’do të jenë më protesta, por demonstrata. “Nëse protesta vazhdon dhe do të jenë të dhunshme, duke shkatërruar gjithçka para vetes për t’i arritur objektivat e tyre protestuesit, atëherë ajo nuk është protestë, por demonstratë”, ka thënë Shahini.

Ai ka deklaruar protestat e dhunshme do t’i dëmtojnë Kosovën dhe imazhin e saj ashtu siç ka ndodhur në protestën e fundit. “Protestat e dhunshme e dëmtojnë imazhin e Kosovës për të bërë biznes, duke bërë kështu që investitorët ta kenë të vështirë të investojnë në Kosovë, si një vend ku s’mund të ketë siguri”, ka deklaruar ai.
 
Zogaj: Protesta tregon destabilitetin politik të Kosovës
 
Ndërkaq Alban Zogaj nga Instituti RIINVEST ka thënë se protesta e fundit tregon destabilitetin politik të Kosovës.

Sipas tij, çdo destabilitet politik dërgon mesazhe negative tek investitorët potencialë.

“Normalisht se protestat e fundit ishin të dhunshme dhe do të kenë pasoja negative tek investitorët potencialë në Kosovë, për arsye se këto protesta të dhunshme tregojnë se situata politike është e destabilizuar dhe mund të shpërthejë në çdo kohë dhe e tëra kjo bën që investitorët të tkurren dhe të jenë të kujdesëm ndaj këtyre situatave”, ka thënë Zogaj.
 
Kursani: Protesta s’është shkaku i largimit të investitorëve
 
Ndryshe është shprehur analisti Shpend Kursani. Ai ka bërë me dije se nuk ka ndonjë studim apo rast në botë, kur protestat kanë ndikuar negativisht në tërheqjen e investimeve të huaja.

“Në Francë apo Gjermani ndodhin dhjetëra protesta të dhunshme në ditë, mirëpo atyre vetëm sa u shtohen investitorët. Ky fakt tregon se protesta nuk qenka shkaku i largimit të investitorëve. Në të njëjtën kohë Kosovës nuk i vinin investitorët edhe para se të ndodhnin këto protesta.

 Pra, fakt ky tjetër që tregon se protestat nuk janë shkaktare të largimit të investitorëve, por është mungesa e sigurisë dhe transparencës, gjegjësisht haraçi që u vihet atyre nga njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin”, ka thënë Kursani.

Sipas tij, protestat vetëm sa do ta përmirësojnë imazhin e Kosovës, pasi deri më tani populli i Kosovës është konsideruar i klasës së tretë.

“Sa i përket imazhit, ajo nuk do të duhej të kishte fare rëndësi, sepse rëndësi ka si je brenda, e jo si dukesh jashtë. Sidoqoftë, mendoj se protestat vetëm se do ta përmirësojnë imazhin edhe të Kosovës, por edhe të popullit të Kosovës. Deri më tani populli i Kosovës është shikuar si i klasës së tretë dhe i prapambetur, i cili duron padrejtësi dhe kësisoj edhe shumë nga misionarët ndërkombëtarë e kanë nënçmuar. Me protesta populli i Kosovës vetëm se hyn në rangun e popujve perëndimorë dhe kësisoj barazohet me imazh”, është shprehur Kursani.

Nga përleshjet e protestuesve me policinë në protestën e 27 janarit janë lënduar 80 protestues dhe 72 policë, kurse janë përcjellë për në stacionin policor 160 protestues të dhunshëm.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)