25 Prill 2024

Çështja e “Trepçës” s’diskutohet në Bruksel

Prishtinë, 24 janar -  Për “Trepçë”-n nuk mund të negociohet dhe të diskutohet në Bruksel, përndryshe minatorët e kombinatit “Trepça” do të kthehen menjëherë në grevë.


Vendosmërinë e minatorëve e ka konfirmuar edhe menaxheri i përgjithshëm i kombinatit “Trepça”, Ahmet Tmava, i cili ka deklaruar se për “Trepçë”-n nuk mund të negociohet në Bruksel. “Nëse do të nisin negociatat për ‘Trepçë’-n në Bruksel, atëherë minatorët do të rifuten në grevë”, ka thënë Tmava.

I pyetur nga gazeta “Epoka e re” për deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, të cilët insistojnë në këto negociata, Tmava është përgjigjur se zyrtarët e Serbisë patën thënë se as shteti i Kosovës nuk do të bëhej, por është bërë.

Ndërkaq ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, ka thënë për “Epokën e re” se qeveria në dialogun në Bruksel do t’i respektojë vijat e kuqe dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Pozicioni, si Qeveri e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit, është i bazuar në vija të kuqe, në mesin e të cilave është edhe ajo se për pronat dhe për pasurinë e Republikë së Kosovës nuk flitet në dialogun e Brukselit. Mund t’ju them se që nga fillimi i dialogut, në vitin 2011, pala serbe ka kërkuar vazhdimisht që këto tema të shtrohen në dialog, por ne kemi qenë të prerë, duke i refuzuar dhe do t’i refuzojmë kategorikisht, sepse ato janë tema që kanë të bëjnë me sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Nuk bisedojmë me Serbinë dhe me askënd për çështje të sovranitetit të Republikës”, ka siguruar Tahiri.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale - STRAS, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se çështja e ndërmarrjes shoqërore “Trepça” nuk duhet të diskutohet në Bruksel. “Çështjet pronësore të ‘Trepçë’-s nuk kanë pse të diskutohen në Bruksel dhe me askënd tjetër. Bisedimet për ‘Trepçë’-n në Bruksel do t’i tejkalonin kompetencat e delegacionit të Kosovës”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, ka thënë se çdo pasuri natyrore brenda territorit të Republikës së Kosovës i takon asaj dhe qytetarëve të saj.

“Çfarëdo kontesti që mund të ketë për ndonjë pasuri nga marrëveshjet e nënshkruara në sistemet e kaluara duhet të qartësohet nga qeveria, sepse kjo është pasuri e qytetarëve të Kosovës dhe duhet të mbrohet në çdo instancë, qoftë edhe në Bruksel. Nëse dimë ta argumentojmë dhe ta marrim nën menaxhim çështjen e ‘Trepçë’-s, atëherë Serbia nuk do të arrijë ta dëmtojë procesin më tutje”, është shprehur Syla.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)