24 Prill 2024

ATK-ja mbledh 201 milionë euro dhe shqipton 6 915 gjoba

Albulena S. Mavraj

Prishtinë, 15 shtator - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për tetë muajt e parë të këtij viti ka arritur të grumbullojë të hyra në vlerë prej 201.2 milionë eurosh, shumë e njëjtë me atë të vitit të kaluar.

Valentina Bytyqi-Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK, ka deklaruar se të hyrat e realizuara gjatë periudhës janar-gusht 2014 kapin shumën prej 201.2 milionë eurosh.

“Kjo shumë është e përafërt me të hyrat e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Administrata Tatimore e Kosovës i konsideron si trend pozitiv këto të hyra, pavarësisht situatës aktuale ekonomike”, ka thënë ajo.

Bytyqi-Sefa ka thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë tre vjetëve të fundit ka rritje të numrit të deklaruesve dhe të numrit të deklaratave dhe pagesave, të cilat kanë ndikuar në ruajtjen e trendit të të hyrave.

“Si rezultat gjithëpërfshirës, kemi rritje të kënaqshmërisë së tatimpaguesve ndaj shërbimeve të ATK-së. Kjo është reflektuar edhe në Raportin e të Bërit Biznes të vitit 2014-t, në të cilin Kosova është e ranguar për qëllime tatimore në vendin e 43-të nga 198 shtete”, është shprehur Bytyqi-Sefa.

Sipas saj, ATK-ja nga Fondi Monetar Ndërkombëtare (FMN) është cilësuar si një administratë e orientuar me shërbime në harmoni me praktikat e mira të pranuara ndërkombëtarisht.

Sa i përket numrit të inspektorëve tatimorë dhe gjobave të shqiptuara gjatë periudhës janar-gusht, Bytyqi-Sefa ka bërë me dije se ATK-ja i ka 289 inspektorë operativë dhe ndaj bizneseve janë shqiptuar afërsisht 7 000 mijë gjoba.

“Edhe gjatë kësaj periudhe për bizneset, të cilat nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre tatimore, janë lëshuar gjoba. Për periudhën janar-gusht 2014 janë lëshuar 6 915 gjoba”, është shprehur ajo.

Shahini: Aktivitetet biznesore janë duke u stagnuar

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se aktivitetet biznesore nga viti në vit janë duke u stagnuar dhe nuk janë duke ecur përpara.

“Shifrat e mbledhjes së të ardhurave, mosrritja e buxhetit të konsoliduar të Kosovës dhe ndalja e investimeve të ndryshme tregojnë se kemi ngecje të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Për ta pasur një zhvillim ekonomik kërkohet angazhim dhe një strategji shtesë”, ka thënë ai. Shahini e ka akuzuar ATK-në për mosprofesionalizmin e stafit.

“ATK-ja ka staf të madh, pavarësisht se si është instaluar në ATK, por i mungon profesionalizmi”, ka theksuar Shahini. Ai ka shtuar se ankesat e bizneseve ndaj ATK-së kanë rënë, por prapë numri i tyre mbetet i lartë.

“Vitin e kaluar dhe sivjet ndaj ATK-së kanë rënë ankesat, por mbetet prapë numër i madh. Duhet shikuar nëse janë bizneset ato që po bëjnë veprime të jashtëligjshme me aktivitetet e tyre apo inspektorët tatimorë janë duke i thyer normat dhe janë duke tentuar që me çdo kusht t’i marrin taksat”, është shprehur ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)