19 Prill 2024

Komuna e Prishtinës hap diskutimet publike për buxhetin 2015

Prishtinë, 19 gusht - Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, hapi diskutimet publike me banorët e kryeqytetit për buxhetin e vitit 2015. Të hënën u mbajtën dy aktivitete, një në Kuvendin Komunal dhe një në teatrin Dodona në lidhje me buxhetin e Drejtorisë së Kulturës.

Të pranishëm në seancat dëgjimore ishin edhe drejtorët e drejtorive të Komunës së Prishtinës, ndërsa qytetarët e interesuar patën mundësi të informohen më hollësisht për projektet infrastrukturore në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, si dhe për kolektorët që janë të paraparë të ndërtohen për të zgjidhur problemin me ujërat e zeza dhe ata atmosferik.

“Qëllimi i diskutimeve publike përveç që është obligim ligjor në këtë fazë të përgatitjes së draftbuxhetit të vitit 2015 të kornizës afatmesme të shpenzimeve për vitet 2015–2017, organizohet edhe me qëllim që të marrim sugjerimet, komentet dhe pyetjet e qytetarëve në mënyrë që ato t’i përfshijmë në hartimin e buxhetit të vitit 2015. Po ashtu, përmes  këtyre diskutimeve iu jepet mundësia që edhe bashkësitë lokale të japin prioritetet e tyre nëpër lagje,” u shpreh kryetari Ahmeti gjatë dëgjimit publik me qytetarë të cilët patën mundësi që të njihen me planet, projektet dhe sfidat e qeverisjes komunale gjatë tre viteve të ardhshme.

Kryetari Ahmeti prezantoi projektet kapitale si dhe planin për rritjen e të hyrave të buxhetit gjë që do të krijonte mundësinë e investimeve në fusha të ndryshme. Ai midis të tjerave shprehu edhe shqetësimin për vendimin e Qeverisë së Kosovës në raport me qarkoren buxhetore.

“Ne na është dërguar një qarkore buxhetore nga Ministria e Financave përmes së cilës përcaktohen kufijtë buxhetor. Na janë bërë disa shkurtime buxhetore, ndërsa sipas planifikimeve tona për vitin 2015 do t’i kemi 62 milionë euro në buxhetin e Komunës, 1 milion më pak se në vitin 2014 dhe kjo për faktin se Qeveria ka vendosur që të marrë për bazë shifrën prej 197 mijë banorëve, e jo 350 mijë, siç është llogaritur deri më tani. Shfrytëzojmë rastin ta kritikojmë edhe një herë këtë vlerësim të pabazuar, pasi që në asnjë rrethanë nuk dalin 197 mijë banorë në Komunën e Prishtinës.\"

\"Sidomos nëse e marrim parasysh numrin e nxënësve, studentëve si dhe duke e ditur se e tërë administrata e Qeverisë qendrore është në Prishtinë, atëherë numri prej 197 mijë banorëve nuk mund të merret për bazë, ndërsa ne do ta vazhdojmë deri në fund betejën me Qeverinë në raport me këtë vendim”, u shpreh Ahmeti.

Po ashtu ai shtoi se po synojmë krijimin e granteve specifike për shërbimet të cilat i ofron kryeqyteti, ndërsa për vitin 2015 janë planifikuar edhe dy kanale të të hyrave në buxhetin e Komunës së Prishtinës, të hyrat nga parkingu që mund të arrijnë shumën prej 5 milionë eurosh në vit, si dhe të hyrat nga procesi i legalizimit i ndërtimeve pa leje, proces i cili do të fillojë kah korriku i vitit 2015 dhe do të vazhdojë për 3 vite, duke marrë parasysh që në Prishtinë kemi 25 mijë njësi banesore të palegalizuara.

Një nga shqetësimet që u ngrit nga qytetarët ishte edhe mbledhja e mbeturinave, ndërsa kryetari Ahmeti lidhur me këtë u shpreh se është duke u parë mundësia që në të ardhmen në tatimin mbi pronë të faturohet ky shërbim, pasi që deri më tani vetëm 25% e qytetarëve e kryejnë obligimin e tyre.

Ndërsa, në dëgjimin publik i cili u mbajt në teatrin “Dodona” lidhur me planifikimin e buxhetit për Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u shpreh se synon që të rritet shuma e subvencioneve dhe transfereve për këtë Drejtori.

Projektet kapitale të planifikuara për këtë sektor u tha se janë: ndërtimi i pishinës së mbyllur, salla koncertale/universale, muzeu i qytetit dhe teatri i qytetit.

Gjatë këtij debati të pranishmit shprehën interesim për krijimin e mundësive për subvencionimin e sporteve individuale si dhe zgjerimin e hapësirave rekreative për të rinj.

“Biblioteka “Hivzi Sulejmani do të zhvendoset në lagjen Dardania, ajo do të jetë biblioteka e qytetit, do të përfundohet restaurimi i hamamit dhe i xhamisë së çarshisë si pjesë e projektit të trashëgimisë kulturore të Prishtinës. Në Drejtorinë e Urbanizmit e kemi futur ne buxhet planin për pjesën historike të kryeqytetit ku parashihet se si do të duket ajo pjesë e qytetit. Po ashtu, synojmë që hapësirat e papërdorura që janë pronë komunale do t’i rinovojmë dhe ato të bëhen vendtakime për aktivitete të ndryshme kulturore dhe të rinisë”, tha kryetari Ahmeti.

Draft/buxheti i Komunës së Prishtinës do t’i dorëzohet më datë 1 shtator Kuvendit Komunal të Prishtinës, i cili obligohet ligjërisht që të organizojë sërish dëgjime publike me qytetarë, ndërsa me datë 30 shtator, Komuna e Prishtinës planifikimin buxhetor e dorëzon në Qeverinë e Kosovës, rrjedhimisht në Parlamentin e Kosovës.

Gjatë ditës së sotme dhe në ditët në vijim Komuna e Prishtinës do të vazhdojë takimet me qytetarët në lidhje me të njëjtën temë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)