26 Prill 2024

Kosova ka mungesë të kuadrove profesionale

Prishtinë, 21 korrik - Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Mbrojte nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRrSB), Ferki Fejza, ka deklaruar se kjo agjenci i ka arritur në mënyrë të kënaqshme objektivat e parapara edhe pse, sipas tij, ajo përballet me një staf dhe buxhet të kufizuar.

I pyetur për rrezikun nga lodrat të cilat importohen nga Kina dhe që mund të jenë kancerogjene, Fejza është përgjigjur:

“Nuk ka ndonjë indikacion deri tani për prani të elementeve radioaktive në lodra dhe mallra të tjera. Sa iu përket lodrave të fëmijëve, duhet pasur parasysh se shkaktarët kancerogjenë, pos rrezatimit, janë edhe përbërësit e ndryshëm kimikë, që në këtë rast mendoj se aludohet të përbërësit e ndryshëm kimikë, varësisht prej materialit që janë ndërtuar ato lodra. Nuk ka ndonjë indikacion deri tani për prani të elementeve radioaktive në lodra dhe mallra të tjera",m ka theksuar ai.

Por, fatkeqësisht, Kosova nuk ka laborator apo institut që është i akredituar dhe licencuar për analiza të kësaj kategorie, duke pasur parasysh edhe ekzaminimin e mallrave të konsumit, lodrave dhe mallrave të tjera”.

Fejza në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ka bërë me dije se agjencia ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me Institutin Nacional për Radioelemente në Belgjikë, implementimin e së cilës e ka marrë përsipër qeveria belge.

Ai ka shtuar se Kosova ka mungesë të kuadrove profesionale për këtë lëmë dhe, sipas tij, në të ardhmen është shumë e nevojshme që katedrat e Universitetit të Prishtinës, kryesisht Fizika, ta shikojë mundësinë e përshtatjes së planprogramit të tyre dhe krijimin e drejtimeve në fusha të ngushta të Fizikës Mjekësore dhe të Mbrojtjes nga Rrezatimi, pasi Kosova ka nevojë për to.