25 Prill 2024

Për 10 muaj janë regjistruar 1297 biznese me pronare femra

Prishtinë, 16 prill - Aktiviteti “Si mund të mbështesim rritjen e bizneseve të themeluara nga femrat” i organizuar nga Wominnovation në ambientet e Innovation Centre Kosovo ka mbledhur akterët kryesorë të vendit që merrem me çështjet e avancimit të bizneseve të themeluara nga femrat kosovare.

Mbi 60 femra të profileve të ndryshme nga jeta publike, ekonomia, politika, sektori i biznesit privat, shoqëria civile, duke përfshirë grupe të ndryshme etnike, ishin pjesë e ngjarjes “Si mund të mbështesim rritjen e bizneseve të themeluara nga femrat”, të organizuar të martën nga Wominnovation – projekt i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë ndërsa që implementohet nga Athene Project  Management.

Aktiviteti në fjalë synon fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejmë të pozitës së femrave ndërmarrëse në sektorin e biznesit në Kosovë si dhe identifikimin e mënyrave të rritjes së numrit të bizneseve kosovare që janë të themeluara nga femrat.

Fuqizimi i femrave në ekonominë e Kosovës sipas drejtuesve të Wominnovation është mes objektivave kryesore që ky projekt synon ti adresoj përmes këtij aktiviteti. Të pranishmit në këtë aktivitet e mbështetën zhvillimin dhe rritjen e numrit të bizneseve të themeluara nga femrat ndërmarrëse kosovare.

Bashkëpunimi Norvegji-Kosovë

“Ne poashtu jemi në një pikë fillestare të vendosjes së bashkëpunimit në prodhimtari mes kompanive norvegjeze dhe atyre kosovare, ku femra nga Kosova janë duke bërë thurje punëdore për tregun norvegjez dhe poashtu ka shumë biznese tjera që mund të vijnë këtu”, tha Astrid Green menaxhere e Wominnovation dhe Drejtore menaxhuese e Athene Project Management.

Ajo shtoi se Wominnovation aktualisht është duke punuar në realizimin e 5 bashkëpunimeve të ndryshme mes bizneseve kosovare dhe atyre norvegjeze.

“Ne duam të punojmë me aktivitete që nevojiten dhe ne duam ti dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë femrat ndërmarrëse dhe ato që kanë biznese ekzistuese”, tha Green.

E pranishme në aktivitetin e Wominnovation ishte edhe Mimoza Kusari-Lila Zëvendës Kryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Zonja Kusari-Lila tha se çështja e mbështetjes së femrave në ndërmarrësi është një nga prioritetet e saja në politikë.

“Unë jam e bindur se Kosova do të zhvillohet shumë më shpejt e më tepër nëse roli i femrës në shoqërinë tonë përmirësohet”, tha ajo teksa prezantonte para të pranishmëve. Të dhënat nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, sipas Kusari-Lilës tregojnë se vetëm 11 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë janë në pronësi të gjinisë femërore.

“Kjo shifër është tejet e vogël krahasuar me ekonomitë e vendeve perëndimore, ku pjesëmarrja e femrave në ndërmarrësi varion nga 25-45 për qind”, tha ajo duke shtuar se statistikat tregojnë që numri i biznesve të themeluara nga femrat kosovare është në rritje.

“Për 10 muaj në ARBK janë regjistruar 1297 biznese me pronare femra”, pohoi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë. Ministria e drejtuar nga Kusari tashmë e ka nisur skemën  ‘voucher’, ku bizneset - me theks të veçantë ato që kanë pronare femra kanë mundësi të përfitojnë këshilltarë dhe trajnime pa pagesë për ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Motivimi i femrave kosovare

Jan Braathu ambasador i Norvegjisë në Republikën e Kosovës tha se qëllimi kryesor i qeverisë norvegjeze është krijimi i vendeve të punës në Kosovë.

Ai tha se “krijimi i vendeve të punës nuk mund të jetë i suksesshëm nëse nuk përfshinë të gjitha kapacitetet e kësaj shoqërie, gjë që do të thotë se ne duhet ti inkurajojmë dhe motivojmë femrat e Kosovës që edhe ato të kontribuojnë në krjimin e vendeve të punës në shtetin e tyre, kjo është ajo që ne po mundohemi të mbështesim”. 

Braathu tha se gjithnjë e më shumë femra të reja janë duke iu bashkangjitur sektorit të teknologijisë informative dhe se ambasada norvegjeze është e dedikuar që ta mbështesë këtë trend.

“Ne po e bëjmë këtë jo vetëm pse na pëlqen të mbështesim femrat ndërmarrëse por sepse ne mendojmë se kjo është një gjë e mirë për ekonominë e Kosovës, dhe ne jemi të dedikuar që të mbështesim zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës jo vetëm sot por poashtu edhe në të ardhmen”, tha Braathu.

Nga 47,401 biznese private të regjistruara në Kosovë në vitin 2011, vlerësohet se vetëm 11 për qind janë në pronësi të grave.

Kjo përqindje shpreh nevojën për të patur një numër më të lartë të pjesëmarrjes së femrave në biznesin privat. Sfidat më të mëdha që i kanë femrat ndërmarrëse  janë kostot e nisjes së biznesit dhe qasja në resurse.

Në aktivitet përveç afaristeve të ndryshme, institucioneve, morrën pjesë edhe përfaqësues të organizatave si UN Women, Women for Women International, Gratë në Biznes, SABOR, STIKK, NGO Lady, Oda Ekonomike e Grave të Kosovës,  etj.

Wominnovation është e përkushtuar që t’ju ndihmojë femrave ndërmarrëse që kanë ide për biznes dhe atyre femrave që sapo kanë nisur biznesin e tyre, t’i asistoj ato që të jenë lidere në sektorin e biznesit.

Wominnovation synon të rrisë numrin e bizneseve të themeluara nga femrat, të rrisë ambiciet e ndërmarrëseve për të zgjeruar bizneset e tyre dhe të inspirojë më shumë femra që të bëhen udhëheqëse të bizneseve, përmes ofrimit të njohurive praktike, rrjetëzimit, punëtorive dhe matchmaking. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)